I dërguari i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për misione speciale, Richard Grenell, ka deklaruar sot se qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, nuk është e besueshme.
Grenell e ka bërë këtë deklaratë përmes rrjetit social X, ku ka shkruar:
“Kam shumë miq në Kosovë dhe Shqipëri... dhe shumë miq në Serbi dhe në të gjithë rajonin.
Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për paqen për të gjithë në Ballkan.
Por na duhen partnerë të besueshëm.
Qeveria Kurti nuk ka qenë e besueshme gjatë mandatit të parë të Trumpit, as gjatë mandatit të Bidenit. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për veprime njëanshme që destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO. Komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar kundër Kurtit”, ka shkruar Grenell në X.
Lidhur me këtë deklaratë, avokati Tomë Gashi, në një prononcim të shkurtër për "Bota Sot", ka reaguar duke e ironizuar Grenellin.
“Unë i “besoi” Grenellit posaçërisht nëse i merr 100.000 euro në muaj nga Serbia e kriminelit Vuçiq pasuesit të Millosheviqit.
Me siguri këto çka thotë Grenelli ja shkruan ose Vuçiqi ose dikush nga opozita ose të dy bashkë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, i pyetur nga "Bota Sot" nëse këto deklarata të Grenellit mund të ndikojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit, avokati Gashi e ka mohuar një gjë të tillë.
“Kjo fare nuk ka ndikim të keq për VV-në dhe për Kurtin. Kur dihet që Grenelli paguhet nga Serbia mbi 100.000euro në muaj”, është shprehur ai.