Kohët e fundit po e shohim një rikthim të theksuar të zërave që kërkojnë zhbërjen e Gjykatës Speciale apo miratimin e një rezolute në Kuvend për këtë arsye.
E në lidhje me këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” ka folur kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Fetah Rudi.
Kujtojmë se, ndaj Rudit ishte bërë një atentat në vitin 2000, i cili e kishte lënë në karrocë invalidësh që atëherë, megjithatë ende nuk ka ardhur drejtësia për këtë rast dhe shumë raste të ngjashme, që ndodhën pasluftës.
Sipas tij, një nga kauza e tij është pikërisht zbardhja e vrasjeve politike në Kosovë dhe për këtë potencoi se mbështetë Specialen dhe kërkon që të mos pengohet puna e saj.
Për këtë, tha se kundërshton fuqishëm zhbërjen e kësaj gjykate.
“Normalisht njëra ndër kauzat e mia ka qenë dhe është zbardhja e vrasjeve politike në Kosovë, gjë me të cilën është duke u marr Gjykata Speciale. Dhe, në këtë mënyrë, gjithçka duhet t'i lihet në dorë kësaj Gjykate dhe të mos pengohet puna e saj. Nëse vjen diçka e tillë në Kuvend, normalisht që do të jem kundër dhe do ta kundërshtoj me të giitha mënyrat, për aq sa më takon si deputet i Kuvendit të Kosovës”, deklaroi ai.
Po ashtu, veprimtari i LDK-së beson në misionin dhe drejtësinë e Gjykatës Speciale, ku bërë thirrje që të respektohen vendimet e saj.
“Absolut që po, besoj që Gjykata Speciale është duke punuar dhe do të zbulojë vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë. Gjykata Speciale është e Kosovës, dhe si e tillë duhet të respektohet puna dhe vendimet e saj”, tha Fetah Rudi për “Bota sot”.
Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Droja nga frikësimi i dëshmitarëve ishte një prej arsyeve pse kjo gjykatë e Kosovës ndodhet në Hagë dhe jo në Prishtinë, “marrë parasysh se bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe për faktin se disa nga të dyshuarit në pjesë të caktuara të shoqërisë kosovare mund të konsiderohen si luftëtarë të lirisë”, thuhej në komunikatën e Qeverisë së Holandës, të lëshuar qysh në vitin 2016, kur ishte vendosur për këtë gjykatë.