Veprimtari i njohur shqiptar në SHBA, Hafiz Shala, ka reaguar me ashpërsi ndaj deklaratës së ish-emisarit për dialogun i SHBA-së, Richard Grenell, tani emisar për “Misione të Posaçme”, Richard Grenell, i cili dje në një postim në rrjetet sociale bëri thirrje që të mos i besohet kryeministrit Albin Kurti.
Shala në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka kritikuar rëndë aleancën e opozitës në Kosovë me lobistët si Richard Grenell dhe John Bolton, të cilët, sipas tij, kanë krijuar një front të bashkuar për të kundërshtuar përpjekjet e Kurtit për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës.
Shala ka treguar përvojën e tij të lobimit në kuadër të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, me disa individë të qarqeve politike amerikane, të cilët sipas tij kanë rënë pre e korrupsionit nga Serbia.
“Gjatë lobimit mbi tri dekada në SHBA, kemi pasur përvojë të hidhur me disa individë dhe qarqe politike amerikane, të cilat kanë rënë pre e propagandës dhe korrupsionit nga Serbia, mjeshtre e manipulimeve dhe dezinformatave. Fatkeqësisht, të gjitha këto kanë ndodhur në bashkëpunim të fortë me shqipfolës nga Dardania dhe Shqipëria.
Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, të cilën shpesh e quajnë edhe Lobi Shqiptar në Amerikë, gjatë lobimit dhe dëgjimeve publike të organizuara në Kongres dhe Senat, të udhëhequra nga kongresmenë dhe senatorë të respektuar si Tom Lantos, përjetues i Holokaustit, e të tjerë, i furnizoi me informata të vërteta rreth asaj që regjimi i Millosheviqit po bënte. Këto informata, të cilat megjithatë u vërtetuan përmes kanaleve diplomatike dhe inteligjente të tyre, i bënë ata të rreshtohen në anën tonë.
Vetëm t'ua përkujtoj masakrën e Likoshanit më 28 shkurt 1998, kur Serbia përdori tërë arsenalin ushtarak tokësor dhe ajror kundër civilëve të pambrojtur. Urgjentisht, e kemi thirrur një dëgjim, të cilin e udhëhoqi Kongresmeni Tom Lantos, dhe atje ia treguam fotot trishtuese. Ai nuk u përmbajt nga emocionet, si përjetues i Holokaustit nga Gjermania naciste. Vlen të theksohet se z. DioGuardi dhe znj. Shirley Cloys DioGuardi me sukses i mbronin interesat e shqiptarëve të Dardanisë dhe, në veçanti, përballjen me ish-ambasadorë që kishin shërbyer në Serbi”, ka potencuar ai.
Shala ka kujtuar me këtë rast se Joe dhe Shirley DioGuardi, gjatë gjykimit të Millosheviqit dhe luftëtarëve të lirisë në Hagë, udhëtuan me 300 faqe të përgatitura paraprakisht për t’u përballur me kasapin e Ballkanit.
“Gjatë gjykimit, Millosheviqi, emrin e vetëm që e përmendi ishte ai i DioGuardit, duke e cilësuar atë si "satanizues" të Serbisë dhe duke ia përshkruar idetë gjenocidale ndaj shqiptarëve.
Për lexuesit dhe opinionin e gjerë, dua t’ua bëj me dije se Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane është subjekti i parë në diasporë në SHBA, zyrtarisht i regjistruar për lobim në Uashington DC, dhe publikisht ka njohur, përkrahur dhe agjituar për financimin e Ushtrisë Çlirimtare të Dardanisë. Këtë, e kam bërë publikisht me krenari para audiencës së gjerë gjatë promovimit të tre librave të mi në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë në vitin 2023.
Në vitin 1998 mbahej një tubim i madh në Brooklyn në shenjë përkujtimi për heroin e UÇK-së, Adrian Krasniqi. Liga, pas një diskutimi paraprak, vendosi të deklarohet publikisht në atë tubim për të përkrahur UÇK-në, ta mbështesë dhe mbrojë nga akuzat e të gjitha llojeve që mund të vijnë, por edhe përkrahje financiare përmes fondit “Vendlindja thërret. Asnjë organizatë tjetër në SHBA nuk e shprehu gatishmërinë për përkrahje publike. E pata privilegjin që në emër të Ligës, ta bëj këtë publikisht si një ndër anëtarët më të vjetër të Bordit Ekzekutiv”, është shprehur veprimtari.
Më tek, ai rikujtoi ai si ambasadori Robert Gelbard, në një dëgjim, publikisht kërcënoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës mund të futet lehtësisht në listën e organizatave terroriste.
“Kësaj deklarate iu kundërvunë shumë qartë dhe të prerë znj. Shirley Cloys DioGuardi, Këshilltare për Çështje të Ballkanit, të cilës ia vëmë epitetin "Shotë Galica". Ajo iu përgjigj duke i thënë: "Zoti Ambasador, para se ta bëni një gjë të tillë, së pari në atë listë futeni edhe 5000 shqiptarë në SHBA, dhe në fund, futeni edhe emrin tim". Pastaj, duke i shpjeguar se çfarë lufte bëri UÇK-ja në mbrojtje të popullsisë duarthatë, Ambasadori mbeti i stepur dhe i skuqur. Pas këtij momenti, kjo çështje u hoq nga rendi i ditës dhe lufta çlirimtare fitoi simpatinë dhe përkrahjen e SHBA-ve”, ka nënvizuar ai.
Për veprimtarin shqiptaro-amerikan është i pakuptueshëm rreshtimi i opozitës kundër shtetit dhe kryeministri Kurti.
“Është e papranueshme dhe e pa kuptueshme që opozita të rreshtohet kundër shtetit dhe, në këtë rast, kundër Kryeministrit, çlirimtarit të pjesës veriore të Mitrovicës, në anën e Serbisë dhe lobistëve të saj të paguar shumë shtrenjtë si Richard Grenell.
Edhe Grenell dhe John Bolton kanë deklaruar se kërkesa për korrigjim të kufijve ka ardhur nga pala shqiptare, sipas marrëveshjes paraprake Thaçi-Vuçiç. Fatkeqësisht, kjo tradhëti u ndërpre me ndihmën e aleatëve tanë të sinqertë, dhe unë kam shpjeguar lidhur me këtë në disa shkrime të mia”, ka potencuar ai.
Tutje, sipas Hafiz Shalës, edhe opozitarët që udhëtojnë në Uashington, këtë e bëjnë përmes pagesave për kampanjat zgjedhoore.
“Opozitarët, pa ndërprerë udhëtojnë në Uashington DC, gjoja "sipër ftesave" të këtij apo atij Kongresmeni apo Senatori, këtij ose atij departamenti. Të gjitha këto arrijnë përmes pagesave që iu dedikohen titullarëve për kampanjat zgjedhore. Këtë ia shesin opinionit dardan dhe papagajve analistë në televizionet opozitare.
Rreth këtyre lobimeve kundër interesave shtetërore, mendoj se arrihen në marrëveshje paraprake me Listën serbe, ashtu siç janë ardhur në pushtet më parë, duke falur territore dhe duke bërë koncesione në favor të Serbisë.
Arsyeja është pasurimi në mënyrë të jashtligjshme në bashkëpunim me ish-grupet terroriste, të cilëve iu kërkojnë ndihmë për t’i justifikuar krimet, ndërsa opozita zhvat buxhetin e shtetit dhe të qytetarit, për t’i shpëtuar përgjegjësive para drejtësisë. Atë pasuri duhet t’ia kthejnë sovranit përmes Ligjit për konfiskimin e pasurisë. Ata janë të gatshëm të falin territore dhe të pranojnë shtet mbi shtet në Republikën e Dardanisë, përmes rikthimit të gjendjes së mëparshme, ku grupet terroriste bënin ligjet dhe silleshin si pronarë të atij territori. Prandaj, qytetarë të nderuar, duke e votuar Albin Kurtin, nuk ka më Radojqiqa e Veselinoviqa, Lista serbe dhe udhëheqës serbë, të cilët "i ladronin kuajt në utrinën e huaj", ka nënvizuar ai.
Shala, ka thënë që nuk pajtohet që për hir të askujt, atë pjesë veriu t'i dorëzohet përsëri grupeve kriminale serbe, duke i harruar ata që derdhen gjak për këtë vend.
Po ashtu, ai ka rikujtuar listën e personave nga Kosova të shpallur nongrata nga SHBA.
“Albin Kurti, kurrë nuk do ta rikthejë atë pjesë nën kontrollin serb, qoftë edhe nëse këmbëngul Donald Trump, për çka nuk besoj, sepse kur ta analizoj profilin e Albin Kurtit, ai jo vetëm që nuk frikohet, por është i bindur në vendosmërinë e tij, më çdo çmim. Këta zotërinj që udhëtojnë në mënyrë pompoze në Uashington, po harrojnë se profilin e tyre e kanë të njohur për organet relevante, me theks të veçantë ato inteligjente.
Lista e personave të shpallur nongrata ose të familjarëve qëndron në sirtarët e tyre. Për veriun dhe tokën dardane, do të luftojë çdo qytetar, sepse për atë është derdhur gjak”, ka nënvizuar ai.
Shala i ka quajtur “qesharake” dhe të pabaza deklarata e z. Richard Grenell,
“Prandaj, deklaratat e Grenell se Amerika kërkon partner të besueshëm, duke e sulmuar Albin Kurtin, janë lobime të shtrenjta. Grenell, ish-"ambasador", është përzënë (gjoja tërhequr) nga Gjermania, prandaj kërcënimet e tij janë qesharake dhe të pabaza, sado që opozita i ngre ato në qiell.
Fati qëndron në duar të popullit, sepse askush nuk mund t’ia imponojë atij përveç udhëheqësve të ndershëm, të moralshëm, politik, shtetëror dhe demokratik.
Ai që nuk ka moral, ose e ka shitur për interesa karrieriste dhe materiale, nuk mund të mbrojë interesat e shtetit apo kombit.
Kjo opozitë nuk e ka as moralin, nderin, vendosmërinë, guximin e dijen, sepse janë të shantazhuar nga të gjitha anët. Prandaj, ata nuk janë të vendosur të mbrojnë sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Republikës së Dardanisë.
Albin Kurti e ka vërtetuar në praktikë veprën historike përballë armikut tonë Serbisë. Edhe njëherë, Albini ua prishi planet Vuçiç-Thaqi-Rama, një term që ua shpërtheu karriget dhe ua zhbëri Ballkanin e Hapur, për të krijuar një Serbi të Madhe apo botën serbe.
Albini, e ka popullin prapa, opozita Serbinë”, ka përfunduar Shala.