Të dielën që do të vije qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi t’i drejtohen kutive të votimit për zgjedhje parlamentare.
Që nga 11 janari kur edhe ka filluar fushata zyrtare, partitë kanë pasur mundësi të bëjnë premtime nga më të ndryshme për ta bindur qytetarin t’i votojë.
Gjersa kanë mbetur edhe pak ditë deri në ditën vendimtare, ata vazhdojnë me premtime e mbështetje për qytetarë në fusha të ndryshme.
Deri në përmbyllje të fushatës, partitë tashmë kanë njoftuar ku do të mbajnë tubimin e fundit.
Lëvizja Vetëvendosje, parti e cila është në pushtet të premten e 7 shkurtit do të mbajë tubimin e fundit të fushatës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Ata madje nuk ngurojnë të thonë se do ta mbajnë tubimin më të madh që ka parë ndonjëherë Kosova.
“Të premten, me 7 shkurt në ora 19:00, në sheshin "Skënderbeu" në Prishtinë, mbajmë tubimin elektoral më të madh që ka parë ndonjëherë Kosova.
Bashkë, le t'i mbushim sheshet cep më cep!”, thuhet në postimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës, parti kjo më e madhe opozitare ka njoftuar se kjo parti do ta organizojë tubimin përmbyllës të fushatës më 8 shkurt, një ditë para zgjedhjeve.
Tubimi përmbyllës do të nisë nga ora 16:00 dhe do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka ftuar të gjithë për siç e quan ai “përmbylljen madhështore.
“Me mirënjohje të thellë për mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme, ju ftoj të gjithëve në përmbylljen madhështore të fushatës sonë”, ka thënë Krasniqi.
Sikurse LVV ashtu edhe PDK gjatë fushatës nuk kanë nguruar që ta konsiderojnë partinë e tyre të parën në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Deputeti i VV-së, Dimal Basha, të martën ka publikuar një sondazh ku partia e tyre del e para me fitore absolute.
“Opozita ka mundësi që ankohet, por uroj që këtë vullnet të qytetarit mos ta përkthejë PZAP si gjuhë e urrejtjes ndaj opozitës”, ka shkruar Basha duke bashkangjitur edhe tabelën e sondazhit dhe përqindjen.
Por, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, nuk e ndan mendimin e njëjtë.
Ai shprehet i bindur në fitore të partisë së tyre.
“Kudo në Kosovë – nga Mitrovica në Dragash, po ndihet fryma e fitores së PDK-së! Por fitorja jonë ka nisur gjithmonë në Drenas, Terstenik dhe Drenicë, e më pas është vulosur në gjithë Kosovën. Pas 1 jave, kjo fitore do të konfirmohet edhe një herë!” ka shkruar Hoxhaj në Facebook të hënën.
Koalicion LVV-PDK +partitë tjera
Por, çka nëse asnjëra nuk arrin të ketë fitoren absolute dhe a do të ishte i mundur një koalicion mes veti?
Analisti politik Blerim Burjani, thotë se një koalicion VV- PDK do të varet nga subjektet tjera.
Ai konsideron tri variante “në lojë” për koalicione.
“Varet edhe nga subjektet tjera nëse do të ketë koalicion LVV- PDK. Marrë në përgjithësi të gjitha matematikat bëhen në bazë të rezultatit se si do të dalin në zgjedhje. Normalisht LVV nuk e ka shumicën, duhet të zgjedh partinë që ia mundëson themelimin e qeverisë, cilado qoftë ajo. Koalicione Lëvizje Vetëvendosje ose do të bëjë me ndonjërën prej subjekteve politike ose duhet të mbetet në opozitë”, shprehet Burjani.
Ai konsideron tri variante “në lojë” për koalicione.
“Sipas procedurës së kohës së dikurshme, presidenti do të japë mandatin për ta formuar qeverinë, nëse dështon partia fituese, kalon te partia e dytë fituese, me fjalë tjera kush i bën numrat. Mund të ketë koalicion edhe VV- PDK- AAK ose LDK- VV dhe AAK, normalisht në lojë janë tri variantet”, thotë analisti.
Qytetarët e Kosovës do të mund t’i drejtohen kutive të votimit që nga ora 07:00 e datës 9 shkurt dhe do të kenë mundësi për të zgjedhur 120 përfaqësuesit/et e tyre në Kuvend.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të drejtë vote kanë 2,075,868 qytetarë/e. Nga ta, 1,970,944 janë votues brenda Kosovës, ndërsa 104,924 jashtë saj. Për këta të fundit, procesi i votimit me postë filloi më 9 janar.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit do të garojnë 28 subjekte politike me gjithsej 1,280 kandidatë/e. Prej tyre, 19 janë parti politike, pesë janë koalicione, dy janë nisma qytetare dhe një është kandidat i pavarur.
Qytetarët do të mund të votojnë një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë/e brenda një liste. Deri në zgjedhjet e kaluara, votuesit/et mund të votonin për pesë kandidatë/e.
Mehmeti nuk pret telashe në formimin e Qeverisë
Një parashikim ndryshe ka analisti Faton Mehmeti.
Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Mehmeti konsideron se VV do të dalë diku 48 për qind dhe kjo do t’i japë mundësi të formojë qeverinë me minoritetet.
Sipas tij, PDK do të dalë e dyta me një rritje të vogël.
“Besoj se VV do të dalë diku 48% me minus një më pak apo më shumë, kështu që kjo i jep mundësi që me minoritetet jo serbe të formojë qeverinë. Nuk pres të ketë telashe në këtë drejtim, në anën tjetër pres që PDK të dalë e dyta me një rritje të vogël diku 20 për qind me minus një më pak apo me shumë njëjtë edhe LDK me minus një më shumë apo më pak por që si e treta të dalë me 17 %. Besoj se ky do të jetë rezultati, pa pasur nevojë për koalicione”, shprehet Mehmeti.
Nëse do të ishte nevoja për koalicione, sipas Mehmetit, koalicion VV- LDK do të ishte më afër sesa LVV me PDK dhe AAK.
“Gjithsesi, nëse veç vjen puna deri të koalicionet besoj se më afër do të ishte koalicioni VV- LDK se me PDK.AAK e përjashtojë nga koalicioni. Programet nuk kanë rëndësi për politikanët tanë edhe pse duhet të ishte primare, ajo çfarë është me rëndësi për të arritur një koalicion këtu është pazari. Të shohim, por nuk besoj se VV do të ketë nevojë për koalicion me dikë tjetër përveç minoriteteve jo serbe”, përfundon analisti.