Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se Serbia po vazhdon përpjekjet për të penguar mbështetjen e Qeverisë së Kosovës ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke tentuar të bllokojë funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh).
Ai ka thënë se ky bllokim po bëhet përmes refuzimit të regjistrimit të kryetarit të ri të KKSh-së, Enkel Rexhepit, një veprim që konsiderohet si ndërhyrje politike dhe shkelje e të drejtave të shqiptarëve nga Serbia.
Lidhur me këtë ҫështje, në një prononcim për ‘Bota sot’ ka folur Prof.dr. Fejzulla Berisha. Ai deklaron se, deklarata e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, lidhur me përpjekjet e Serbisë për të penguar funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh) në Luginën e Preshevës është një tregues i qartë i vazhdimësisë së politikave diskriminuese ndaj shqiptarëve në këtë rajon. Refuzimi i regjistrimit të kryetarit të ri të KKSh-së, Enkel Rexhepit, nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një strategjie të qëllimshme të Beogradit për të dobësuar përfaqësimin politik dhe kulturor të shqiptarëve në Luginë.
“Lugina e Preshevës, e përbërë nga tri komuna kryesore – Presheva, Bujanoci dhe Medvegja – ka një popullsi dominuese shqiptare, por është sistematikisht e diskriminuar nga shteti serb. Pavarësisht se shqiptarët përbëjnë shumicën në Preshevë dhe një pjesë të konsiderueshme në Bujanoc, Serbia ka ndjekur një politikë të vazhdueshme të marginalizimit dhe shtypjes ndaj tyre. Në historinë e kohëve të fundit, shqiptarët e Luginës u përballën me reprezalje të ashpra gjatë dhe pas luftës së Kosovës (1998-1999). Në vitin 2000-2001, Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB) luftoi kundër regjimit serb për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve. Megjithatë, pas ndërhyrjes ndërkombëtare dhe marrëveshjes së Konçulit (2001), Serbia premtoi integrim dhe respektim të të drejtave të shqiptarëve – premtime që nuk u mbajtën kurrë”, vlerëson ai.
Profeser Berisha thotë se, nga ajo kohë e deri më sot, Serbia ka zbatuar politika të vazhdueshme diskriminuese, përfshirë: Spastrimin administrativ, përmes fshirjes së shqiptarëve nga regjistrat civilë, një fenomen i njohur veçanërisht në Medvegjë; Pengesat për zhvillim ekonomik, duke mos investuar në infrastrukturë dhe duke bllokuar mundësitë për punësim të shqiptarëve; Ndërhyrjet në institucionet përfaqësuese shqiptare, siç po ndodh aktualisht me KKSh-në.
“Rasti i fundit i refuzimit të regjistrimit të kryetarit të ri të KKSh-së, Enkel Rexhepit, është një tjetër shembull i ndërhyrjeve të Serbisë në vetëorganizimin e shqiptarëve. Këshilli Kombëtar Shqiptar është një institucion kyç që merret me mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë, duke përfshirë arsimin, kulturën, informimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe. Përmes këtij veprimi, Serbia synon: Dobësimin e institucioneve shqiptare në Luginë, duke bllokuar funksionimin e tyre dhe duke krijuar vakuum institucional; Dërgimin e një mesazhi frikësimi ndaj liderëve shqiptarë, se Beogradi ka fuqinë për të vendosur mbi përfaqësimin e tyre; Përpjekjen për të detyruar shqiptarët të pranojnë kandidatë të afërt me politikën serbe, duke përdorur metoda të njëjta me ato që aplikohen ndaj komuniteteve tjera pakicë në Serbi”,thekson ai.
Ai vlerëson se, një nga format më të rënda të diskriminimit është fshirja e shqiptarëve nga regjistrat civilë në Medvegjë. Që nga viti 2011, mbi 4,000 shqiptarë janë hequr nga listat e rezidentëve, duke humbur kështu të drejtën për të votuar, për të pasur pasuri të ligjshme apo për të përfituar nga shërbimet bazë. Ky është një proces që mund të quhet spastrim administrativ, një formë e heshtur e spastrimit etnik.
“Serbia vazhdon të mos njohë diplomat e Universitetit të Prishtinës, duke penguar shqiptarët e Luginës të rikthehen dhe të punësohen në vendlindjen e tyre. Kjo përbën një pengesë të drejtpërdrejtë për zhvillimin e tyre profesional dhe integrimin e tyre në shoqëri. Këto politika të vazhdueshme diskriminuese të Serbisë jo vetëm që rrisin tensionet në Luginë, por minojnë çdo përpjekje për dialog dhe normalizim të marrëdhënieve me Kosovën. Serbia nuk mund të pretendojë të jetë një palë e sinqertë në dialog, ndërkohë që vazhdon të shtypë shqiptarët në Luginë. Gjithashtu, në një kohë kur Serbia kërkon të përfitojë nga fondet e BE-së dhe të afrohet me Perëndimin, fakti që ajo vazhdon të shkelë të drejtat e njeriut duhet të jetë një argument i fortë për të kërkuar presion ndërkombëtar mbi Beogradin”, thotë ai.
Ndërkaq i pyetur se a është koha për një reagim më serioz ndërkombëtar, profesri thotë se është koha e fundit! Kosova, Shqipëria dhe faktori ndërkombëtar duhet të ndërmarrin hapa konkretë.
“Të kërkojnë nga BE dhe SHBA një hetim ndërkombëtar mbi shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Luginë; Të denoncojnë Serbinë në organizata si Këshilli i Evropës, OSBE dhe Kombet e Bashkuara; Të ndihmojnë shqiptarët e Luginës përmes fondeve për arsim, ekonomi dhe institucione kulturore; Të këmbëngulin që çështja e Luginës të përfshihet në çdo marrëveshje të ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Nëse këto veprime nuk ndërmerren, Serbia do të vazhdojë të thellojë diskriminimin dhe të krijojë një situatë edhe më të rëndë për shqiptarët në Luginë. Heshtja ndërkombëtare do të ishte një bashkëpunim indirekt me politikat represive të Beogradit”, thekson ai.