Kryeministri Albin Kurti këto ditë u atakua nga Richard Grenell. Derisa, kanë mbetur edhe pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, Richard Grenell, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për misione speciale, gjeti kohë që nëpërmjet një postimi në profilin e tij në X të pozicionohet kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Kam shumë miq në Kosovë dhe Shqipëri... dhe shumë miq në Serbi dhe në të gjithë rajonin.
Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për paqen për të gjithë në Ballkan.
Por na duhen partnerë të besueshëm.
Qeveria Kurti nuk ka qenë e besueshme gjatë mandatit të parë të Trumpit, as gjatë mandatit të Bidenit. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për veprime njëanshme që destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO. Komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar kundër Kurtit”
“Kurti gjithashtu ka qenë kundër çdo ideje të SHBA-së të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump”.
“Retorika që përdor Kurti tani, duke thënë se është afër SHBA-së dhe më i mirë se çdo qeveri tjetër e Kosovës, është plotësisht e pavërtetë. Mos u mashtro”, kishte shkruar ai.
Agusholli: Qytetarët e kanë kuptuar rolin dhe pozicionin e Grenellit tashmë
Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, për reagimin e Grenellit thotë se është retorikë ndaj Kosovës, selektive dhe e padrejtë.
![Image](/media/botasot.info/images/2025/February/06/auto_gramos1738836670.jpg)
“Retorika e Grenellit ndaj Kosovës është selektive dhe e padrejtë, e tillë ka qenë që nga fillimi i angazhimit të tij.
Kjo sa i përket retorikave!
Sa i përket deklaratave të tij, mendoj se marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara nuk mund të cenohen nga asnjë kryeministër — as nga Kryeministri Kurti, e as nga ata që kanë qenë para tij.
Diplomacia amerikane nuk funksionon mbi bazën e hatërmbetjeve, siç po tenton ta paraqesë Grenelli”, thotë ai.
Sipas tij, thirrja e Grenell ndaj qyetarëve të Kosovës që mos të mashtrohen ka nënkuptimin që të mos votojnë.
Tutje, thotë se Grenelli përgjigjen do ta marrë më 9 shkurt nga qytetarët.
“Thirrja e tij “Mos u mashtroni” është në fakt një mesazh që nënkupton “Mos votoni.” Nuk di ndonjë rast në historinë tonë kur një përfaqësues i diplomacisë amerikane të ketë tentuar të ndikojë në procesin zgjedhor me deklarata të tilla, aq më pak në një moment te tillë ( para zgjedhjeve)! Qytetarët e kanë kuptuar rolin dhe pozicionin e Grenellit tashmë, e ai, përgjigjen e kësaj deklarate nga ta do ta marrë vesh me 9 shkurt!”, deklaron ai.
Ahmeti: Opozita e tanishme po mundohet të përdor Grenellin për kalkulime politike
Edhe analisti Hidajet Ahmeti, thotë se Grenell po mundohet dëmtojë trupin elektoral të Vetëvendosjes.
“Grenelli është një person kontravers në bazë të statusit zyrtar që ka. Një zyrtar, i cili ka inate personale me krymenistrin Kurti dhe përmes raporteve që ka me partitë opozitare mundohet të dëmtoj trupin elektoral të Vetëvendosjes. Gjuha e tij iracionale nuk është zëri i SHBA-së, por thjeshtë gjuha joformale e një zyrtari të SHBA-së”, shprehet ai.
![Image](/media/botasot.info/images/2025/February/06/auto_ahmeti1738836678.jpg)
Në fund, thotë se opozita po e përdor Grenellin për kalkulime politike e sidomos LDK-ja.
"Opozita e tanishme po mundohet të përdor Grenellin për kalkulime politike, veçanarisht LDK-ja. Kjo e fundit po harron që në zgjedhjet e kaluara janë munduar me këtë logjikë irracionale të dëmtojnë Kurtin, por zëri i popullit dëmtoi logjikën e kësaj partie. Kish qenë mirë që partitë opozitare të distancohen nga një logjikë e tillë, pasi kjo mund t'i dëmtojë edhe më shumë, pasi Grenell nuk ka kredibilitet moral në shoqërinë tonë, aq më shumë kur dihen lidhjet e tij të aferta me shtetin e Serbisë”, përfudnon ai për “Bota sot”