“Sikur nuk janë burimore, por janë diktat i mesazheve dhe ambicieve të...”, publicisti “zbulon” kush fshihet prapa deklaratave të Grenellit

Politika

“Sikur nuk janë burimore, por janë diktat i mesazheve dhe ambicieve të...”, publicisti “zbulon” kush fshihet prapa deklaratave të Grenellit

Nga: N.E Më: 6 shkurt 2025 Në ora: 15:57
Richard Grenell- Albin Kurti

Kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovës dhe këto pak ditë i ka shfrytëzuar i dërguari i Donald Trump për Misione të Posaçme, Richard Grenell, të kritikojë kryeministrin, Albin Kurtin.

Në një postim në rrjetin “X”, Grenell thekson se Albin Kurti nuk është i besueshëm dhe ka ndërmarrë veprime të njëanshme, që destabilizojnë rajonin.

“Kam shumë miq në Kosovë dhe Shqipëri…dhe shumë miq në Serbi dhe në mbarë rajonin. Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë drejt paqes për të gjithë në Ballkan. Por ne kemi nevojë për partnerë të besueshëm. Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Biden. Si republikanët, ashtu edhe demokratët, e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO-ja. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, u shpreh Richard Grenell.

I dërguari i Trump iu bën thirrje qytetarëve të Kosovës të mos mashtrohen në zgjedhjet e 9 shkurtit, pasi sipas tij, Albin Kurti ka qenë gjithmonë kundër SHBA.

“Kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe Serbi, por nuk po zgjerohen në Kosovë, për shkak të Kurtit. Kurti ka qenë gjithashtu kundër çdo ideje të SHBA-së, të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump. Retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni”, ka thënë Grennell.

Publicisti Dedë Preqi, konsideron se deklaratat e Grenellit sikur nuk janë burimore, por janë diktat i mesazheve dhe ambicieve të Vuçiqit dhe atyre që po ia përcjellin mesazhet nga opozita e tanishme e Kosovës.

Sipas tij, populli i Kosovës ka një miqësi të rrallë dhe të pa krahasueshme me popullin dhe shtetin amerikan.

“A thua pse qytetarët e vendit tonë, sikur e kalojnë ditën duke i kushtuar vëmendje të veçantë deklaratave të Grenelit, të cilat i adresohen kryeministrit të Kosovës, z.Albin Kurti, në prag të zgjedhjeve parlamentare, me një domethënie të vrazhdë dhe jo normale, duke e lënduar jo vetëm personin në fjalë, por tërë vullnetin e një popull, kur thuhet, mos i besoni kryeministrit Kurti. Prandaj, populli i Kosovës, me një miqësi të rrallë dhe të pa krahasueshme me popullin dhe shtetin amerikan nuk e paramendon një marrëdhënie reciprociteti, mirëkuptimi dhe respekti ndoshta si me asnjë popull në botë me përjashtim të Shqipërisë dhe me shtetin amerikan. Dhe komentet, apo deklaratat e Grenellit, sikur nuk janë burimore, por janë diktat i mesazheve dhe ambicieve të Vuçiqit dhe atyre që po ia përcjellin mesazhet nga opozita e tanishme e Kosovës, të cilët i kërkojnë ndihmë këtij njeriu të famshëm, që ta «frenojë» Albin Kurtin, që mos të rizgjedhet kryeministër i ardhshëm i Kosovës. Dhe nuk duhet ta humbim durimin të abuzojmë me fjalorin tonë, duke përdorë etiketime të pa nevojshme në veçanti me njerëzit që vijnë nga administrata amerikane, ku duhet pasur kujdes në kuptimin e përgjithshëm dhe interesat e ngushta që e lidhin vendin tonë me këtë vend mik dhe shpëtimtar të Kosovës”, thotë Preqi.

Sipas tij, Kosova në vend që të merret me mirëqenien dhe jetën normale, i imponohet të përballet me të kundërtën e saj, sepse po i lëkundet stabiliteti dhe po i kërcënohet liria e integriteti nga i njëjti armik.

“Prandaj, nuk mund të themi se për ne, do të ishte më i mirë, apo më i keq, njëri apo tjetri, dhe të japim në vend të komplimenteve diçka jo të mirë, apo duke shfaqur një keqkuptim ndaj shtetit dhe popullit amerikan, pa marrë parasysh se do të ishte një Riçard Greneli, apo një pasardhës i tij. Sikur duhet ta kemi të ndaluar të flasim për çështje tejet të ndjeshme dhe të pa arsyeshme, kur bëhet fjalë për njerëzit e shtetit dhe të politikës amerikane, që të bëjmë një dallim dhe krahasim në mes tyre, sepse i kemi pasur gjithherë pa dallim në krahun tonë, në veçanti kur janë cenuar apo kërkuar të drejtat e shqiptarëve kudo që janë. Kosova, në vend që të merret me mirëqenien dhe jetën e vet normale, i imponohet të përballet me të kundërtën e saj, sepse po i lëkundet stabiliteti dhe po i kërcënohet liria e integriteti nga i njëjti armik, që dje e masakroi dhe pretendoi ta dëbojë nga trolli i vet stërgjyshor, vetëm me ndihmën e fuqisë Amerikane, së bashku me forcat e NATO-s, ky populli i shpëtoi edhe asgjësimit”, pohon publicisti.

Image
Dedë Preqi

Duke u kthyer në kohën e pas luftës dhe tani, Serbia nuk dallon me atë të Millosheviçit, thotë Preqi, gjersa shton se Riçard Grenell, si ish-emisar i posaçëm nga SHBA-të, për çështjen e Ballkanit, dhe një mik i mirë me Vuçiqin, e kishte shansin dhe kishte mundësi, që këto marrëdhënie të acaruara në mes palëve ti riparojë, së paku ti përafrojë.

“E pa mundur që mos ta hedhim vështrimin në kohën e pas luftës dhe mundësia që të themi diçka për marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë, para së gjithash me rëndësi është paqja dhe marrëdhëniet e ndërsjella në mes këtyre dy vendeve, në mënyrë që liria dhe demokracia në mes palëve të dominoj dhe të vihet në një veprim me serioz, duke i kërkuar Serbia falje palës dëmtuese. Mirëpo, nëse do të afroheshin palët me njëra-tjetrën, shenjat treguese të Serbisë, janë shumë larg, sa që Serbia, nuk dallon me kohën e Millosheviqit, nëse do të shqyrtoheshin veprimet dhe sjelljet arrogante të Vuçiqit, ndaj shtetit të Kosovës, dhe z.Riçard Grenell, si ish-emisar i posaçëm nga SHBA-të, për çështjen e Ballkanit, dhe një mik i mirë me Vuçiqin, e kishte shansin dhe kishte mundësi, që këto marrëdhënie të acaruara në mes palëve ti riparojë, së paku t’i përafrojë”, shton Preqi.

Në fund ai, sipas Preqit, dukuritë negative që ka sjellë deklarata e Grenell, shteti amerikan nuk do t’ia donte Kosovës.

“Shteti demokratik i Kosovës, është duke ndjekur vetëm rrugët paqësore dhe miqësore, me çdo vend të rajonit e botës, por edhe në raport me Serbinë, më në fund nuk ka rrugë tjetër si të përballet me arrogancën politike të Serbisë, dhe mbështetja e saj e vetme janë SHBA-të, me aleatët e saj Evropian, të qëndrojë në këmbët e veta dhe mos të nëpërkëmbët, apo të bie nën thundrën e agresorit Serbi.

Dihet fare mirë se pa angazhimin e SHBA-ve, Kosova, nuk mundet të merr oksigjen të mjaftueshëm dhe të jetojë e lirë dhe pa të cilën nuk mundet të zhvillohet si shoqëri e lirë e demokratike dhe jashtë integrimit të saj në BE, që të avansohet më tutje në integrimet tjera dhe në NATO-ja, e cila do i zgjidhte të gjitha problemet sa i përketë sigurisë dhe ruajtjes së integritetit territorial të saj.

Prandaj, GrenellIi, Eskobari dhe të tjerë të ngjashëm, nuk i shfrytëzuan kompetencat tyre në mënyrë serioze si delegues të shtetit amerikan, ku së bashku me emisarin e BE-së, Llajçak, do të krijonin një dinamikë më të fuqishme në zgjidhjen e problemit në mes këtyre dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve dhe të një paqeje të qëndrueshme.

Duke marrë parasysh komentet e fundit të Grenellit, ku shumica e popullit shqiptarë në Kosovë, është e shqetësuar për deklarata të tilla, që i adresohen kryeministrit të shtetit, që në këtë rast vërehet populli në siklet në prag të këtyre zgjedhjeve, që nuk e ka domethënien e natyrshme, nëse hynë një përçarje, jo vetëm në mes partive politike, por edhe në mes popullit, të cilën dukuri negative nuk do ta dëshironte populli dhe as shteti amerikan ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës”, përfundon publicisti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat