Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ndodhet në Uashington me ftesë të një grupi kongresistësh amerikanë, për të marrë pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit. Lutjet e Mëngjesit mbahen çdo vit, zakonisht të enjten e parë të shkurtit, dhe marrin pjesë politikanë të lartë amerikanë dhe mysafirë të huaj. Ngjarja përcillet me një fjalim nga presidenti i SHBA-së.
Presidentja Osmani, gjatë kësaj vizite në Uashington, takoi ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit Louis Bono, me të cilin diskutoi mbi forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy shteteve në përputhje me objektivat e administratës Trump, dhe avancimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe ekonomi.
Në lidhje me rëndësinë e kësaj vizite të presidentes në në Departamentin amerikan të Shtetit, në një prononcim për “Bota sot”, foli doktori i gjeopolitikës, Mirsad Voca.
Sipas tij, ky është një sinjalqë Kosova është e përkushtuar në ruajtjen dhe thellimin e marrëdhënieve strategjike me SHBA-në.
“Vizita e presidentes Vjosa Osmani në Departamentin e Shtetit Amerikan dhe takimi i saj me ndihmës sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Louis Bono, është një sinjal i qartë i përkushtimit të Kosovës për të ruajtur dhe thelluar marrëdhëniet strategjike me SHBA-në. Ky angazhim nuk është thjesht një zgjedhje politike, por një domosdoshmëri historike dhe gjeopolitike për Kosovën. Në çdo rrethanë, Kosova duhet të kultivojë edhe më tej raportet me aleatin e saj më të madh, duke forcuar komunikimin e drejtpërdrejtë me administratën amerikane dhe duke punuar për të avancuar bashkëpunimin në fusha kyçe si mbrojtja dhe ekonomia”.
![Image](/media/botasot.info/images/2025/February/06/auto_6021738868581.jpg)
Po ashtu, Voca foli mbi rëndësinë e marrëdhënieve Kosovë-SHBA, ku tha se vendi ynë duhet të gjejë mënyra për të lobuar më thellë brenda departamentit amerikan të shtetit.
Madje, tha se shtetit tonë nuk mund t’i kthehen figurat politike që shpërdoruar qindra miliona euro nga buxheti i shtetit, pasi e ardhmja ndërtohet mbi parime të qarta të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Kosova ka ndërtuar marrëdhënie të forta me shtetet mike perëndimore, me SHBA-në në krye, dhe një komunikim i menjëhershëm me Departamentin e Shtetit është dëshmi e rëndësisë që ka ky partneritet për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit. Megjithatë, përtej vizitave institucionale, është thelbësore që Kosova të gjejë mënyra për të lobuar më thellë brenda këtij departamenti, duke u siguruar që narrativat që shkojnë kundër interesave të Kosovës të eklipsohen dhe të tejkalohen. Kjo nuk është një detyrë e lehtë, por është një objektiv i arritshëm përmes diplomacisë aktive dhe qasjes së vazhdueshme ndaj faktorëve vendimmarrës në Uashington.
Kosova nuk mund të kthehet prapa me figura politike që kanë shpërdoruar qindra miliona euro nga buxheti i shtetit, por as nuk mund të mbahet peng nga asnjë politikan për shkak të tekave të tij personale. Kosova nuk është pronë e askujt përveç popullit të saj. E ardhmja e saj duhet të ndërtohet mbi parime të qarta të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pa marrë parasysh se nga cila parti vjen një individ apo grup politik. Nuk mund të ketë asnjë kompromis në këtë drejtim, sepse vetëm një Kosovë e pastër nga korrupsioni mund të fitojë besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe të sigurojë përparim të qëndrueshëm”, theksoi ai.
Më tej, doktori i gjeopolitikës sqaroi rëndësinë që ka uniteti në çështjet madhore, si sundimi i ligjit dhe ruajtja e partneritetit me SHBA-në dhe Perëndimin.
Ku, ndër të tjera tregoi se pse është aq e domosdoshme kjo gjë.
“Duke iu referuar raporteve ndërkombëtare, Kosova ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, edhe pse sfidat mbeten. Natyrisht, katër vjet nuk janë të mjaftueshme për ta bërë Kosovën një Zvicër, por një përkushtim afatgjatë prej njëzet vitesh mund ta afrojë atë me standardet e vendeve të zhvilluara. Ky proces kërkon konsistencë dhe vendosmëri, pavarësisht se ndonjë diplomati perëndimor mund t’i përshtatet rikthimi i grupeve të caktuara politike në pushtet. Për Kosovën, nuk ka rrugë tjetër përveç forcimit të institucioneve dhe ndërtimit të një shteti të bazuar në transparencë dhe sundim të ligjit.
Në këtë proces, është jetike që të gjithë faktorët shoqërorë—institucionet, mediat, partitë politike dhe shoqëria civile—të qëndrojnë të bashkuar në betejën kundër korrupsionit dhe për mbrojtjen e sovranitetit të vendit. Ka tendenca për ndarje, përçarje dhe shpërqendrim nga prioritetet thelbësore të shtetit, gjë që mund të dëmtojë progresin e Kosovës dhe të minojë përpjekjet për ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe funksionale. Prandaj, uniteti në çështjet madhore, si sundimi i ligjit dhe ruajtja e partneritetit me SHBA-në dhe Perëndimin, është i domosdoshëm”, shpjegoi Voca.
Në fund, ai shtoi se vizitat dhe takimet si këto të presidentes Osmani, nuk duhet të jenë vetëm ngjarje protokollare, por momente kyçe për të riafirmuar orientimin strategjik të Kosovës.
“Lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i institucioneve nuk janë vetëm detyrë e qeverisë, por përgjegjësi e përbashkët e të gjitha forcave politike dhe shoqërore. Pa një qëndrim të bashkuar dhe pa një orientim të qartë strategjik, Kosova rrezikon të mbetet peng i interesave të ngushta dhe lojërave politike që nuk i shërbejnë stabilitetit dhe zhvillimit të saj. Vetëm përmes një angazhimi të sinqertë dhe të vazhdueshëm për reforma, vendi mund të konsolidojë pozicionin e tij ndërkombëtar dhe të sigurojë një të ardhme të qëndrueshme euro-atlantike.
Në këtë kontekst, vizitat dhe takimet e nivelit të lartë, si ajo e presidentes Osmani në SHBA, nuk duhet të jenë vetëm ngjarje protokollare, por momente kyçe për të riafirmuar orientimin strategjik të Kosovës dhe për të siguruar mbështetjen e domosdoshme për të ardhmen e saj. Kosova duhet të qëndrojë e vendosur në rrugën e forcimit të demokracisë, luftimit të korrupsionit dhe ndërtimit të institucioneve të qëndrueshme, duke ruajtur aleancën e saj të palëkundur me SHBA-në dhe Perëndimin si gur themeli për zhvillimin e saj të mëtejshëm”, përmbylli Mirsad Voca për “Bota sot”.