“Mos e dhashtë zoti që Kosovën...”/ Pas deklaratës së Grenellit, thirrje për Kurtin: Ja çka duhet të bëjë ai menjëherë pas 9 shkurtit

Politika

“Mos e dhashtë zoti që Kosovën...”/ Pas deklaratës së Grenellit, thirrje për Kurtin: Ja çka duhet të bëjë ai menjëherë pas 9 shkurtit

Nga: M.L. Më: 7 shkurt 2025 Në ora: 09:57
Albin Kurti dhe Richard Grenell

Ditëve të fundit, përveç fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare kryetemë e çdo debati politik ishte thirrja publike e emisarit për misione speciale të SHBA-së Richard Grenell që të mos i besohet Qeverisë Kurti.

Kjo gjë ka revoltuar një pjesë të konsiderueshme të opinionit në Kosovë dhe sidomos mbështetësit e kryeministrit Albin Kurti.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Dr. Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” e ka komentuar këtë situatë fillimisht duke e theksuar rëndësinë e liderëve të qëndrueshëm dhe atdhetarë në krye të shtetit.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Bytyçi ka shprehur kundërshtinë ndaj kultit të individëve, duke e pasqyruar Albin Kurtin si një lider të dalluar nga ata që kanë udhëhequr Kosovën në të kaluarën.

“Jam kundër kultit të një individi. Individët janë njerëz. Por njerëzit janë të ndryshëm. Edhe liderët. Albin Kurti është ndryshe nga ata që ishin në pushtet para tij. Ndërsa liderët e Kosovës së viteve 2007-2019 patën si interes pasurinë, lakminë e lavdinë, Albin Kurti dëshmoi se ka interes madhor Kosovën. Në vitet e qeverisjes së tij ai e mbrojti integritetin territorial të saj. Forcoi institucionet demokratike të Kosovës. Mbi të gjitha, rriti e katërfishoi buxhetin e shtetit për mbrojtjen e vendit.

Sipas profesorit, Kurti nuk është thjesht një politikan, por një lider që ka si prioritet të mbrojë Kosovën, territorin dhe integritetin e saj, duke u angazhuar për forcimin e ushtrisë dhe institucioneve të shtetit.

“Albin Kurti ishte i pari lider që kuptoi se aleatët nuk do të shpenzojnë gjithë jetën për ta mbrojtur Kosovën. Prandaj dhe nisi moderinizimin e ushtrisë për ta bërë atë të aftë ta mbrojë vendin e vet. Territori, mbrojtja e tij, angazhimi në forcimin e ushtrisë dhe policisë, si dhe respektimi i parimeve të demokracisë, janë e duhet të jenë kriteret e votës së të dielës. Ndoshta nuk pati rritje aq të madhe të rrogave e pensioneve, por në kushtet kur duhet investuar katër e pesë fish më shumë për sigurinë e mbrojtjen, asnjë qeveri në botë nuk mund të garantojë edhe ritme të larta të rritjes së tyre”, ka nënvizuar ai.

Për Bytycin, gjithçka që bëri Albin Kurti gjatë qeverisjes së tij tregon angazhimin e tij të patundur për zhvillimin dhe sigurinë e Kosovës, duke kundërshtuar çdo kërcënim dhe duke mbështetur një diplomaci të fuqishme për të ruajtur marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë.

“Kohët që kalon bota, Europa, rajoni ynë dhe Kosova janë më të vështirat në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore. Të kesh në këto kohë liderë të vendosur e atdhetarë në krye të shtetit nuk është luks, por domozdoshmëri. Mos e dhashtë zoti që Kosovën në këto kohë, kur vizatohen hartat e reja në rendin e ri botëror të vijnë në pushtet tregtarët e territoreve të Kosovës. Është koha kur secili prej nesh të mendojë e të besojë te liderë të tillë si Kurti, të cilët kanë dhënë prova se e duan dhe e mbrojnë atdheun me çdo kusht e me çdo mjet!”, është shprehur ai.

Sipas profesorit, fakti që Richard Grenell bashkë me Marko Gjuriqin po bëjnë fushatë kundër Kurtit, është i mjaftueshëm që e gjithë Kosova t’i japë mbështetje atij.

“Edhe një gjë: - Ambasadori Richard Grennell po bën fushatë së bashku me Marko Gjuriq kundër zotit Kurti. Është e mjaftueshme kjo që e gjithë Kosova të mbështesë kryeministrin aktual, Albin Kurtin. T’i japë besim atij dhe njëkohësisht t’ia bëjë me dije se duhet të qëndrojë fort deri në vetëmohim për ta mbrojtur të drejtën e Kosovës, territorin e saj, integritetin dhe sovranitetin përballë kërcënimeve të Serbisë”, u shpreh profesori.

Ndërkaq, ai thekson se Kurti menjëherë pas datës 9 shkurt duhet të ndajë një buxhet të majmë për të lobuar në SHBA dhe për të ndërtuar raporte besimi me administratën e Donald Trump, pavarësisht angazhimeve të Grenellit kundër tij dhe kundër Kosovës.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat