Politologu “zbulon” arsyet pse Grenell merret me Kurtin e Kosovën, ja çka thotë për marrëdhëniet Kosovë- SHBA

Politika

Politologu “zbulon” arsyet pse Grenell merret me Kurtin e Kosovën, ja çka thotë për marrëdhëniet Kosovë- SHBA

Nga: N.E Më: 7 shkurt 2025 Në ora: 14:00
Richard Grenell- Albin Kurti

Emisari amerikan Richard Grenell ka shfrytëzuar ditët e fundit të fushatës në Kosovë të kritikojë kryeministrin Albin Kurtin.

Në një postim në rrjetin “X”, Grenell ka thënë se Albin Kurti nuk është i besueshëm dhe ka ndërmarrë veprime të njëanshme, që destabilizojnë rajonin.

“Kam shumë miq në Kosovë dhe Shqipëri…dhe shumë miq në Serbi dhe në mbarë rajonin. Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë drejt paqes për të gjithë në Ballkan. Por ne kemi nevojë për partnerë të besueshëm. Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Biden. Si republikanët, ashtu edhe demokratët, e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO-ja. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, u shpreh Richard Grenell.

I dërguari i Trump iu bën thirrje qytetarëve të Kosovës të mos mashtrohen në zgjedhjet e 9 shkurtit, pasi sipas tij, Albin Kurti ka qenë gjithmonë kundër SHBA.

Një reagim ndaj Grenell, ka pasur kryeministri Albin Kurti.

Kryeministri ka këmbëngulur se bashkëpunimi është i shkëlqyer me Shtetet e Bashkuara, duke përmendur këtu punën për forcimin e FSK-së përmes blerjes së armatimeve amerikane.

“Kurrë ma mirë nuk i kemi pasur punët, po blejmë edhe helikopterë ‘Black Haëk’, pas sistemit anti-tank Javelin. Grantin më të madh Kosova ndonjëherë prej Amerikës e ka marr në mandatin tonë kjo e korporatës së sfidave të mijëvjeçarit për bateritë. Kemi bashkëpunim jo vetëm politik, por edhe në mbrojtje e zhvillim. A ka ndonjëherë kritika e vërejtje, por ne duhet të ecim përpara”, deklaroi kryeministri për një televizion lokal në Istog.

Politologu shqiptar në Bruksel, Ramadan Gjanaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka treguar arsyet pse Grenell merret ende me Kosovën.

Sipas tij, edhe pse Grenell nuk ka fuqinë për të ndikuar drejtpërdrejt në politikën zyrtare amerikane, ai mbetet një zë kritik i rëndësishëm dhe ka aftësinë për të formësuar narrativën për Kosovën në qarqe të caktuara politike në SHBA

“Richard Grenell, si emisari amerikan me një rol të rëndësishëm në dialogun Kosovë-Serbi, ka mbajtur shpesh qëndrime kritike ndaj kryeministrit Albin Kurti. Kritikat e tij lidhen kryesisht me qëndrimet e pavarura dhe shpesh sfiduese të Kurtit ndaj politikave tradicionale të SHBA-së në rajon, sidomos në lidhje me dialogun me Serbinë dhe çështje të tjera të politikës së jashtme.

Grenell vazhdon të merret me Kosovën për disa arsye. Së pari, gjatë mandatit të Trump I, ka pasur një angazhim të drejtpërdrejtë në çështjet e Ballkanit dhe duket se dëshiron të ruajë ndikimin e tij në këtë proces. Së dyti, mund të jetë edhe çështje e interesave personale apo profesionale që lidhen me rolin e tij të mëparshëm dhe dëshirën për të mbajtur një profil të lartë publik në politikën ndërkombëtare. Së treti, dhe ky aspekt nuk duhet injoruar është se disa eksponentë të Vetëvendosjes e kanë sulmuar publikisht, madje duke u bazuar në thashetheme mbi jetën e tij private. Kjo ka ndikuar në qëndrimin e tij gjithnjë e më të ashpër ndaj qeverisë së Kosovës dhe veçanërisht ndaj Kurtit”.

“Një tjetër faktor që ka ndikuar në ekspozimin e madh të Grenell-it në këtë debat është angazhimi i Kurtit në mbështetje të kandidates demokrate Kamala Harris gjatë fushatës presidenciale amerikane. Duke u pozicionuar hapur në favor të një partie specifike në SHBA, Kurti ka lënë hapësirë që figura nga krahu tjetër politik – përfshirë Grenell-in – të shfaqen publikisht kundër tij.

Në përfundim, edhe pse Grenell nuk ka fuqinë për të ndikuar drejtpërdrejt në politikën zyrtare amerikane, ai mbetet një zë kritik i rëndësishëm dhe ka aftësinë për të formësuar narrativën për Kosovën në qarqe të caktuara politike në SHBA. Qeveria e Kosovës duhet të tregojë pragmatizëm dhe diplomaci më të lartë në raportet me SHBA-në, duke shmangur përplasjet e panevojshme që mund të dëmtojnë interesat strategjike të vendit”, shprehet Gjanaj.

Image
Ramadan Gjanaj

I pyetur nëse po e “dëmton” Grenell Kosovën në sytë e SHBA-së apo cili mund të jetë qëllimi i tij, Gjanaj, thotë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së nuk bazohen te individët, por mbi interesant strategjike të të dyja palëve.

Sipas tij, pavarësisht kritikave të tij, politika zyrtare amerikane vazhdon të mbështesë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, bazuar në partneritetin afatgjatë mes dy vendeve.

“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së nuk bazohen te individët, por mbi interesat strategjike të të dyja palëve. Megjithatë, lidhjet personale dhe perceptimi që krijohet për një lider të caktuar kanë rëndësi në arenën ndërkombëtare. SHBA-të kanë interesa të qarta politike dhe ushtarake në Ballkan dhe qëndrimi i tyre ndaj Kosovës nuk varet nga deklaratat e Richard Grenell. Pavarësisht kritikave të tij, politika zyrtare amerikane vazhdon të mbështesë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, bazuar në partneritetin afatgjatë mes dy vendeve. Mirëpo, nuk duhet harruar se qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe veçanërisht të Albin Kurtit nuk janë perceptuar si “miqësore” ndaj SHBA-së. Në fakt, në secilin angazhim të SHBA-ve në lidhje me Kosovën gjatë 30 viteve të fundit – pavarësisht nëse në pushtet kanë qenë demokratët apo republikanët – LVV dhe Kurti kanë qenë shpesh në opozitë me politikat amerikane. Kjo ka krijuar një hendek në besimin dhe bashkëpunimin me aleatin kryesor të Kosovës”, thekson politiologu.

Deklaratat e Richard Grenell nuk priten të kenë ndikim në imazhin e kryeministrit, por sipas tij, në kontekstin ndërkombëtar, Kosova nuk mund të mbështetet vetëm në retorikë sovraniste

“Deklaratat e Richard Grenell nuk pritet të kenë ndikim të madh në imazhin e kryeministrit Albin Kurti në sytë e qytetarëve të Kosovës, veçanërisht duke marrë parasysh popullaritetin e tij të bazuar në qëndrime të forta sovrane dhe në parime që shpesh duken idealiste, por të vështira për t'u realizuar në praktikë. Për një pjesë të madhe të elektoratit të tij, kritikat nga figura si Grenell mund të interpretohen si konfirmim i qasjes së tij të pavarur dhe refuzimit për t’iu nënshtruar presioneve ndërkombëtare. Megjithatë, në kontekstin ndërkombëtar, Kosova nuk mund të mbështetet vetëm në retorikë sovraniste, por ka nevojë për një strategji të qartë diplomatike për të ruajtur dhe forcuar marrëdhëniet me aleatët kryesorë, veçanërisht SHBA-në. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së janë të ndërtuara mbi një bazë të qëndrueshme dhe strategjike, por mungesa e fleksibilitetit dhe diplomacisë pragmatike nga ana e qeverisë së Kosovës mund të krijojë boshllëqe që e dëmtojnë Kosovën në proceset integruese ndërkombëtare”, thekson Gjanaj.

Në fund, ai shton se Kosova ka nevojë për mbështetje të fuqishme për njohjen ndërkombëtare dhe integrimin euroatlantik.

“Kundërshtarët politikë të Kurtit mund të përdorin deklaratat e Grenell për të forcuar narrativën se ai po dëmton marrëdhëniet me SHBA-në, gjë që mund të ketë pasoja afatgjata për pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Për më tepër, qasja konfrontuese e Kurtit ndaj kritikave ndërkombëtare rrezikon të izolojë Kosovën diplomatikisht, duke krijuar një perceptim se vendi nuk është partner i besueshëm për aleatët perëndimorë. Në një moment kur Kosova ka nevojë për mbështetje të fuqishme për njohjen ndërkombëtare dhe integrimin euroatlantik, është e domosdoshme që qeveria e Kosovës të ruajë marrëdhënie të forta dhe konstruktive me SHBA-në, të paktën në aspektin e sigurisë dhe mbështetjes ndërkombëtare. Ndërsa SHBA-ja mbetet partneri kryesor strategjik i Kosovës, qeveria nuk mund të lejojë keqkuptime dhe mosbesim që mund të dobësojnë këtë aleancë jetike. Në fund, edhe pse deklaratat e Grenell nuk ndikojnë drejtpërdrejt te mbështetja e brendshme e Kurtit, ato shërbejnë si një tregues i qartë i problemeve të qasjes së tij diplomatike, të cilat mund të kenë pasoja serioze për të ardhmen e Kosovës në skenën ndërkombëtare”, përfundon Gjanaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat