Sulmet e Grenell ndaj Kurtit, eksperti austriak befason: Lobim i paguar, Serbia po e shpërblen me…!

Politika

Sulmet e Grenell ndaj Kurtit, eksperti austriak befason: Lobim i paguar, Serbia po e shpërblen me…!

Nga: A.M. Më: 7 shkurt 2025 Në ora: 17:52
Richard Grenell dhe Albin Kurti

Vetëm pak ditë para zgjedhjeve në Kosovë, Richard Grenell ‘sulmoi’ kryeministrin Albin Kurtit, ku në një postim në “X”, e cilësoi atë si një partner jo të besueshëm, që ka ndërmarrë veprime të njëanshme dhe pretendon se komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar kundër shefit të qeverisë në Prishtinë.

Eksperti austriak, Gunther Fehlinger në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli në lidhje me këto deklarata të ish-emisarit amerikan për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

Fillimisht, ai kishte disa kritika për Grenell dhe veprimtarinë e tij politike, ku e cilësoi si një “Pirat Deti”.

Po ashtu, tha se emisari amerikan po e sulmon Kurti për axhendën e tij, pasi vlerëson se ky është një lobim i paguar nga një fuqi e huaj, ku në këtë pikë e përmendi Serbinë dhe lidhjet e tij me Vuçiqin.

“Richarrd Grenell, njeriu për misionet speciale të zotit të tij Trump është versioni modern i një ‘Pirati të Detit’, ku kufijtë e diplomacisë së miratuar nga shteti dhe përfitimet e pamatura fillojnë dhe mbivendosen dhe në fund shkrihen në personin e tij. Forma e tij e ndërhyrjes publike në zgjedhjet e Kosovës kundër kryeministrit Kurti duket se është e motivuar nga lakmia e tij, marrëdhënia e tij e fshehtë me qeverinë serbe nën Vuçiç dhe urrejtja e tij personale ndaj Albin Kurtit dhe është krejtësisht e padobishme dhe kundërproduktive dhe vetëm do ta ndihmojë Albin Kurtin.

Ndonëse është krejtësisht legjitime që një politikan amerikan apo europian të mbështesë partnerët e tyre politikë gjatë zgjedhjeve, Grenell po e sulmon Kurtin për axhendën e tij. Grenell duhet të mbështesë më mirë liderin e LDK-së, anëtarin e EPP-së ose liderin më konservator të AAK-së që sapo e ka sulmuar Kurtin. Nuk bëhet kështu diplomacia apo politika ndërkombëtare. Ky është lobim i paguar nga një fuqi e huaj. Serbia po e shpërblen me nderime dhe përfitime dhe kontrata të mëdha ndërtimi dhe ai po i shërben agjendës së Vuçiqi, derisa është në shërbim të qeverisë amerikane. Kjo vije në një moment kur Presidenca e Vuçiqit po dridhet dhe Vuçiq dëshiron të largojë armikun e tij të përhershëm Albin Kurtin, i cili i qëndron përballë si asnjë lider i Kosovës që nga viti 2012, kur Putini gradualisht e vendosi Vuçiqin në pushtet në Beograd”, nënvizoi ai.

Gjithashtu, Fehlinger e vlerësoi mjaft shumë politikën e Kurtit në lidhje me Serbinë.

Image
Eksperti austriak, Gunther Fehlinger

Megjithatë, ai i propozoi kryetarit të LVV-së që të bëjë koalicion me LDK-në, pas zgjedhje të 9 shkurtit, ku tregoi arsyet për këtë.

“Për çështjen e marrëdhënieve me Serbinë, kryeministri Kurti është 100% korrekt dhe ka arritur përparim të rëndësishëm për unitetin e Kosovës.

Rekordi i kryeministrit Kurtis në ekonomi dhe në infrastrukturë është më pak bindës dhe prandaj rekomandoj një koalicion të madh mes LDK-së dhe VV-së për të ndarë pushtetin dhe për t'i lejuar LDK-së portofolin ekonomik dhe të jashtëm evropian në një koalicion të ri të udhëhequr nga Albin Kurti. Një koalicion i tillë mund të zbusë marrëdhëniet me ekipin e Trump dhe t'i japë fund masave evropiane kundër Kosovës.

Kosova ka nevojë për një ministër të jashtëm që mund t'i kujtojë Trumpit se Kosova e mbajti marrëveshjen e tij të Marrëveshjes së Uashingtonit të vitit 2020 dhe hapi Ambasadën e Kosovës në Jerusalem dhe Vuçiq e theu premtimin e tij ndaj Trumpit për të zhvendosur ambasadën serbe në Jerusalem. Kjo shkelje duhet të ketë pasoja dhe Avdullah Hoti si Ministri i Punëve të Jashtme është personi ideal për t'i kujtuar Trumpit besnikërinë e Kosovës dhe të ketë qasje duke anashkaluar Grenellin.

Grenell duhet anashkaluar dhe Kosova duhet të shfaqet e bashkuar në Uashington”, shpjegoi Fehlinger.

Ndër të tjera, eksperti austriak kërkoi nga Kosova që të jetë e bashkuar kundër agresionit serb dhe kundër asetit serb në Amerikë, këtu në fund iu referua Grenellit.

“Një Qeveri e tillë uniteti mes VV-së dhe LDK-së mund ta reformojë Kosovën drejt anëtarësimit në BE deri në vitin 2029 dhe të ndërtojë aleancën me Trump dhe Merz për të arritur anëtarësimin në NATO dhe BE.

Kosova duhet të jetë më e bashkuar kundër agresionit dhe revanshizmit potencial serb dhe kundër asetit serb në Amerikë, ‘Piratit modern’, Richard Grenell, i cili përpiqet të shfrytëzojë Trumpin dhe Ballkanin për përfitimet e tij. Sigurohuni që Grenell sapo ka filluar dhe fushata e presionit ndaj Albin Kurtit dhe nëse Kosova dëshiron të jetë e suksesshme në 4 vitet e ardhshme, kërkohet një qasje e re në Qeverisje, duke e rindërtuar interesat amerikane dhe gjermane dhe kjo do të funksionojë vetëm me një koalicion ndërmjet VV-së dhe LDK-së për 4 vitet e ardhshme.

Përndryshe ‘Piratët’ fitojnë dhe Kosova do të mbetet e mbërthyer”, përmbylli Gunther Fehlinger për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat