“Zullumi i kriminelit autokrat Vuҫiq sa vije e trashet”

Politika

“Zullumi i kriminelit autokrat Vuҫiq sa vije e trashet”

Nga: H.O. Më: 8 shkurt 2025 Në ora: 20:01
Presheva

Ditë më parë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Serbia po vazhdon përpjekjet për të penguar mbështetjen e Qeverisë së Kosovës ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke tentuar të bllokojë funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh).

Ai përmes një postimi në rrjetet sociale tha se ky bllokim po bëhet përmes refuzimit të regjistrimit të kryetarit të ri të KKSh-së, Enkel Rexhepit, një veprim që konsiderohet si ndërhyrje politike dhe shkelje e të drejtave të shqiptarëve nga Serbia.

Lidhur me këtë ҫështje ka folur për ‘Bota sot’ publicisti Gani Qarri. Ai thekson se derisa në Serbi, vet serbët për muaj të tërë po demonstrojnë pa u lodhur dhe vijojnë protestat pareshtur, për demokraci e një sistem më të drejtë shoqëror, edhe shqiptarët, të drejtat e të cilëve, ndër vite e vite, shkelen me të dy këmbët, deri te pasivizimi i adresave në shtëpitë, tokat dhe trojet e tyre autoktone etnike, përfshi aktin më të ri antishqiptar, për mbylljen apo pasivizimin edhe të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Kosovën Lindore, vërtetë kanë arsye, shumë më tepër, se vet serbët,  të protestojnë e mbrojnë në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme të drejtat e tyre edhe me demonstrata e protesta të vazhdueshme. 

Image
Gani Qarri

“Duke qenë se, zullumi i organeve shtetërore të kriminelit autokrat Aleksandër Vuçiq, sa vije e trashet dhe përveç anulimit apo "pasivizimit" të adresave të shqiptarëve në Kosovën Lindore siç shprehet edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, Serbia sa vije e po forcon përpjekjet për të penguar mbështetjen e Qeverisë së Kosovës ndaj shqiptarëve në Kosovën Lindore, duke tentuar të bllokojë edhe funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh), kjo nuk duhet ti lë të qetë shqiptarët në Kosovën Lindore si dhe të dy shtetet tona Kosovën e Shqipërinë, të cilat edhe nëse për momentin nuk preferohen demonstratat, duhet t’i koordinojnë veprimet e të gjejnë forma dhe mënyrat adekuate, jo për të heshtur, por për të reaguar si komb, konform zhvillimeve dhe gjendjes së rëndë kundër shqiptarëve nën Serbi.

Madje kundër akteve antishqiptare të Serbisë në Kosovën Lindore, duhet të reagojnë ashpër edhe partitë politike të Kosovës, përmes prononcimeve në mbrojtje të shqiptarëve në Kosovën Lindore edhe gjatë fushatës zgjedhore, kur dihet botërisht se përveç veprimeve tjera antishqiptare të Serbisë, të cilat përbëjnë shkeljen më të rëndë të të drejtave të njeriut dhe cenojnë brutalisht standardet themelore për mbrojtjen e pakicave kombëtare, përfshi edhe ndalimin e abetares dhe librave shqip për përdorim nga nxënësit në shkollat fillore, shqiptarët së fundi po privohen edhe nga qasja në shërbimet bazë dhe ushtrimin e të drejtave të tyre themelore, duke tentuar që pas pasivizimit masiv të adresave të tyre, tani të pasivizohet edhe organi i vetëm që shqiptarët kishin, Këshillin Kombëtar i cili përfaqëson interesat e shqiptarëve në Kosovën Lindore”, thekson ai.

Publicisti Qarri thotë se duke u bazuar në postimin në Facebook, të Zëvendëskryeministrit Bislimi, bllokimi i Këshillit Kombëtar, po bëhet drejtpërsëdrejti dhe në mënyrën më të vrazhdët e të egër, përmes refuzimit edhe të regjistrimit të kryetarit të ri të KKSh-së, Enkel Rexhepit, një veprim që konsiderohet si ndërhyrje e rëndë politike dhe shkelje brutale e të drejtave të shqiptarëve nga Serbia hegjemoniste.

“Bllokimi i Këshillit Kombëtar si dhe pasivizimi i adresave nuk janë çështje ligjore, por akte të kundërligjshme hegjemoniste me pasoja të paparashikueshme për jetën e përditshme dhe mbijetesën e shqiptarëve në trojet e tyre autoktone, në këtë rajon, duke ua pamundësuar atyre edhe vazhdimin e dokumenteve personale të identifikimit, si dhe shuar të drejtën e votimit , akte që cenojnë publikisht dhe në mënyrën më të egër të drejtat njerëzore, e të mos flasim edhe për barazinë e shqiptarëve, që po dëshmohet se janë pakica më e diskriminuar kombëtare, në Serbi. Deklarata e Zëvendëskryeministrit Bislimi është një alarm mbarëkombëtar se është koha e fundit që për këto veprime të hapura antishqiptare, të Serbisë hegjemoniste, përfundimisht, të ketë një reagim me serioz ndërkombëtar, për mbrojtjen urgjente të shqiptarëve në Kosovën Lindore me të gjitha mjetet dhe mundësitë dhe përveç Kosovës duhet të angazhohet edhe Shqipëria më fuqishëm dhe bashkë me Kosovën, të  dy shtetet tona, të kërkojnë mbrojtjen më me këmbëngulje, respektimin e të drejtave të shqiptarëve nga faktori ndërkombëtar, në përputhje me standardet ndërkombëtare për pakicat kombëtare dhe të drejtat e njeriut”, tha ai.

Qarri vlerëson se përderisa në Kosovë, nga partitë e inkriminuara politike, çuditërisht tentohet  të ndërhyhet edhe në vullnetin e qytetarëve, duke u përpjekur tu imponojnë atyre në shekullin XXI se edhe për këndë ata të votojnë, regjimi i Vuçiqit mijëra shqiptarëve etnikë në të tri komunat me shumicë shqiptare nën Serbi, Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, përveçse u ka pasivizuar adresat, nga autoritetet e atjeshme hegjemoniste serbe dhe regjimi autokrat i Vuçiqit vazhdon ti shkel brutalisht të gjitha të drejtat e shqiptareve të Kosovës Lindore, deri te tendenca perfide, për PASIVIZIMIN e dhunshëm edhe të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Kosovës Lindore.

“Veprime të pashembullta dhe më skandalozet të mundshme kundër të cilave duhet të aktivizohen edhe vet shqiptarët atje, duke shprehur jo vetëm pakënaqësinë "oratorike" por edhe mospajtimin e fuqishëm praktik, me protesta dhe demonstrata të vazhdueshme. Duke qenë se përkundër faktit që pasivizimi i adresave të shqiptarëve, është një shkelje shumë e rëndë e të drejtave të njeriut, por për habi Gjykata Kushtetuese e Serbisë hegjemoniste, me vendimin e saj të paprecedent antishqiptar, ka legjitimuar praktikën e tillë të diskriminimit sistematik që shënjestronë vetëm shqiptarët, e jo edhe pakicat tjera, përfshi këtu tendencën më të re agresive të Serbisë, për pasivizimin edhe të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, gjendja e krijuar obligonë Kosovën, Shqipërinë por edhe vet shqiptarët atje, të bëjnë urgjentisht, çdo gjë, që të rritet presioni nga bashkësia ndërkombëtare, për të mbrojtur shqiptarët në Kosovën Lindore dhe siguruar të drejtat e tyre njerëzore dhe ato kombëtare, si për të gjitha pakicat tjera etnike në Serbi dhe rajon, të parapara me konventat ndërkombëtare”, thotë Gani Qarri për ‘Bota sot’.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat