Sa janë të realizueshme programet e partive? Flasin analistët: Përveҫ përrallave të Ramushit…

Politika

Sa janë të realizueshme programet e partive? Flasin analistët: Përveҫ përrallave të Ramushit…

Nga: Hava Orana Xhukolli Më: 8 shkurt 2025 Në ora: 21:54
Ilustrim

Partitë politike tashmë kanë prezantuar për disa javë më radhë programet e tyre para qytetarëve, të cilat pretendojnë t’i realizojnë gjat mandatit të ardhshëm.

Janë dëgjuar premtime nga më të ndryshmet nga secila parti, madje që disa nga to është e vështirë të besohet se mund të realizohen. Qytetarët kanë përcjellë debatet e tyre, tubimet e deklarimet nëpër rrjetet sociale dhe nesër do të japin përgjigjen e tyre me votë.

Mirëpo, sa janë të kapshme programet e prezantuara nga partitë politike? Cilat nga këto programe më së shumti i përafrohen realitetit? Sa janë të realizueshme?

Lidhur me këto pyetje njohësit e ҫështjeve politike kanë dhënë përgjigjen për ‘Bota sot’.

Berisha: Programet më të arsyeshme janë ato që ofrojnë ndryshime progresive, të cilat mund të zbatohen në faza.

Image
Prof.Dr. Fejzulla Berisha

Kështu, Prof.Dr. Fejzulla Berisha thotë se programet e partive politike shpesh shfaqen si plane ambicioze që synojnë transformimin e shoqërisë dhe shtetit, por realizueshmëria e tyre varet nga disa faktorë kyç.

“Programet që nuk kanë një bazë të qartë financimi shpesh reduktohen në premtime elektorale sesa në plane të realizueshme. Partitë duhet të specifikojnë burimet e financimit, qoftë nga buxheti i shtetit, investimet private apo fondet ndërkombëtare; Premtimet duhet të jenë të harmonizuara me realitetin ekonomik të vendit, borxhin publik, rritjen ekonomike dhe faktorët politikë që ndikojnë në zbatimin e tyre; Programet reformuese kërkojnë një administratë të aftë dhe të depolitizuar. Pa mekanizma funksionalë dhe një qeverisje të qëndrueshme, edhe idetë më të mira mbeten të parealizuara. Programet politike, sado të realizueshme të jenë teknikisht, mund të dështojnë nëse partia në pushtet nuk ka mbështetjen e nevojshme parlamentare ose përballet me kundërshtime të forta politike”, vlerëson ai.

Sa i përket asaj se cilat programe politike i përafrohen më shumë realitetit, profesor Berisha përgjigjet në këtë mënyrë:

“Një parti që ofron një plan të qartë financimi për investime në infrastrukturë, duke përfshirë taksat, partneritetet publike-private dhe fondet ndërkombëtare, është më e besueshme sesa një parti që premton projekte të mëdha pa burime të qarta financimi. Premtimet radikale shpesh hasin në kufizime strukturore, veçanërisht në shtete me kapacitete të kufizuara si Kosova. Programet më të arsyeshme janë ato që ofrojnë ndryshime progresive, të cilat mund të zbatohen në faza. Partitë që kanë qeverisur dhe kanë përmbushur një përqindje të konsiderueshme të premtimeve kanë më shumë besueshmëri sesa ato që nuk kanë histori të qartë të implementimit të politikave të tyre”, vlerëson ai.

Se sa janë të realizueshme premtimet politike, ai thekson se realizimi i tyre varet nga buxheti dhe investimet. Rritja e pagave në sektorin publik është e mundshme vetëm nëse ka një rritje të qëndrueshme ekonomike apo një rritje të të ardhurave buxhetore.

“Reformat në shëndetësi dhe arsim kërkojnë investime të mëdha dhe një afat të gjatë kohor për zbatim. Ndryshimet kushtetuese, forcimi i institucioneve dhe reformat në administratë shpesh kërkojnë konsensus politik dhe mekanizma kompleksë për zbatim”, vlerëson ai për ‘Bota sot’.

Mehmeti: Le t’u mbetet qytetarëve, por mos të mashtrohen nga programet

Image
Faton Mehmeti

Po ashtu, për të njëjtën ҫështje ka folur edhe analisti politik, Faton Mehmeti.

Ai thotë se, realisht, pothuajse të gjitha programet janë të realizueshme me përjashtim të përralllave të Ramushit se ai e fut vendin në NATO.

“Ato tjerat mund të realizohen nëse ka vullnet politik. Fatkeqësisht, por realiteti na tregon se programet kanë shërbyer vetëm si karrem për vota, pastaj nuk janë realizuar kështu që ka humbë kuptimi programeve. Unë, nuk besoj që programin sado i mirë që të jetë, ta realizoj dikush që ka mashtruar e gënjyer disa herë. Le tu mbetet qytetarëve, por mos të mashtrohen nga programet. Si thotë një fjalë popullore "mos kqyr ҫka të thotë, por kush të thotë", thekson Mehmeti për ‘Bota sot’.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat