Zgjedhjet e së dielës kanë nxjerrë si parti të parë Lëvizjen Vetëvendosje. Kjo parti ka fituar rreth 41.29 për qind të votave, por nuk ka arritur ta përsërisë suksesin e zgjedhjeve të vitit 2021 kur mori mbi 50 për qind të votave.
E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës, me 21.83 për qind të votave, ndërsa e treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.75 për qind të votave.
Përkundër që ka pasur një përmirësim në raport me zgjedhjet e vitit 2021, ku ishte radhitur e treta me 12.73% apo 110 mijë vota, Lidhja Demokratike e Kosovës me fushatën e bërë dhe me pritjet e shumë analistëve, mund të konsiderohet si partia që ka pasur më tepër rënie.
Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, menjëherë pas rezultateve përgjegjësinë e ka mbajtur për veti, duke thënë se llogari i jep vetëm LDK-së dhe qytetarëve që e kanë votuar atë.
Ai konsideron se kanë rritje të theksuar, ndonëse jo të kënaqshme dhe jo në përmasa të asaj që është pritur.
“Është një rezultat që e respektoj. Përgjegjësinë për fushatën e marr unë dhe i jap llogari vetëm LDK-së dhe qytetarëve që kanë votuar për LDK-në. Dritë do të ketë në Kosovë. Ky është rezultat demokratik. Kemi një rritje të theksuar, ndonëse jo të kënaqshme dhe jo në përmasa të asaj që kemi pritur. Jo, nuk e quaj dështim. Jo, nuk do të japë dorëheqje.” – ka thënë mes të tjerash Abidxhiku kur u pyet për rezultatin e LDK-së.
Në anën tjetër, ish- deputeti i kësaj partie, Naser Rugova, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se për një parti shtetformuese dhe me traditë siç është LDK është pa dyshim rezultat i dobët.
Sipas tij, është herët për konstatime të sakta dhe detajuara, por ka munguar një koncensus i gjerë brenda strukturave të partisë.
“Personalisht kam pritur rezultat më të mirë për LDK dhe kam lobuar dhe jam angazhuar që ta ringrisim partinë. Ky rezultat për një parti shtetformuese dhe me traditë siç është LDK është pa dyshim rezultat i dobët. Tani është herët të dalim me konstatime të sakta dhe të detajuara, por vlerësoj se ka munguar një koncensus i gjerë brenda strukturave të partisë, futja në listën zgjedhore të njerëzve pa bacgraund ideologjik dhe jashtë filozofisë politike të LDK-së, një qasje autokratike ndaj strukturës partiake dhe personalizim me sloganin e fushatës që nuk ka qenë praktikë deri tani në LDK”, shprehet Rugova.
![Image](/media/botasot.info/images/2025/February/10/auto_07_12_2020_1075245_07_12_2020_4093270_hhhh1739189373.png)
Ai përmend edhe disa faktorë tjerë që e kanë ranguar LDK-në si parti e tretë.
“Lënia jashtë liste e një numri kuadrosh, intelektualëve dhe veprimtarëve me peshë në parti po ashtu ka krijuar zbrazti dhe vlerësoj edhe abstenim të një pjese të elektoratit tradicional të LDK. Po ashtu kandidimi i kryetarëve të komunave për deputetë po del të jetë një gabim strategjik, sepse mu në këto komuna kemi rezultate tejet dekurajuese. Këto janë disa nga faktorët që na rangojnë si parti e tretë fatkeqësisht”, deklaron ish-deputeti.
Sipas tij, ka pasur tubime, organizime dhe transporte, por jo depërtim te masa kritike elektoriale që e kanë në zemër LDK-në.
Ai konsideron se kryetari Lumir Abdixhiku, konsiderohet adresa kryesore dhe duhet të marrë përgjegjësinë për këtë rezultat të partisë.
“Partia në para zgjedhjeve duhet të ndërtojë strategji dhe të bëjë planifikim të bazuar se si do i qaset elektoratit dhe si do e organizojë operativën e zgjedhjeve. Ka pasur tubime masive si vullnet dhe dinamizim i strukturave të LDK- së që të ringritet partia. Ky fakt ka shkaktuar një eufori elektorale dhe nganjëherë edhe delir te lidershipi. Ka pasur edhe organizime dhe transport të elektoratit, por jo edhe depërtim te masa kritike elektorale që e kanë në zemër LDK-në, ky masovitet në dukje i tubimeve, por jo puna substanciale me trupën elektorale dhe fokus grupet specifike i adresohet strukturës udhëheqëse lokale, komunikimit mbase jo bindës me elektoratin tradicional dhe në fund siç e tha edhe kryetari i partisë ai është adresa kryesore dhe duhet të marrë përgjegjësinë për këtë rezultat të partisë”, përfundon Rugova..