Me 9 shkurt, në Kosovë u mbajtën zgjedhore, ku qytetarët votuan për të zgjedhur partinë qeverisëse.
Partia fituese e këtyre zgjedhjeve ishte Lëvizja Vetëvendosje e cila me votat e numëruara deri tani (pa llogaritur votat me kusht dhe votat e diasporës), ka 40.89%
Menjëherë në mbrëmje, pasi u publikuan rezultatet preliminare, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se partia e tij është fituese e këtyre zgjedhjeve parlamentare dhe sipas tij është ajo që do ta formojë qeverinë e ardhshme.
Ai para selisë së Lëvizjes Vetëvendosje deklaroi se zgjedhjet ishin të lira, demokratike dhe të ndershme.
Madje, Kurti ironizoi me partitë opozitare, duke thënë se “dhe po të mblidhen bashkë partitë e tjera nuk bëjnë sa Vetëvendosje”.
“Besoj që qytetarët e Kosovës e kanë dëshmuar suksesshëm rezistencën e tyre edhe kundër një lufte të paparë hibride që është bërë kundër koalicionit tonë, me ç’rast oligarkë, sidomos njëri prej tyre ka shpenzuar para pa hesap, kanë kërcënuar punëtorët dhe gjithashtu kemi pasur premtimet më absurde të mundshme në këtë fushatë të cilët kanë krijuar një atmosferë iracionale por përkundër të gjitha këtyre populli fitoi, fitoi Vetëvendosja, ne jemi subjekt i parë, subjekti fitues i cili do ta formojë qeverinë e ardhshme. Të gjithë e kanë të qartë, se ata që dolën të dytët dhe të tretët edhe po mblidhen bashkë nuk bëjnë sa Vetëvendosje”, deklaroi ai.
Ndonëse, Kurti po paralajmëron se do formojë qeverinë e re, kurse refuzon partitë opozitare, nuk dihet ende se si do duket qeveria e ardhshme.
Kjo pasi, nuk dihet nëse Kurti do arrijë të shtojë përqindjen e votave, pasi të numërohen edhe ato me kusht dhe ato të diasporës.
E në lidhje me mundësinë e formimit të qeverisë së re dhe si do duket ajo, për “Bota sot” folën analistët politik.
Ramabaja: Votat e mërgatës dhe ato me kusht, pres ta ndryshojnë përqindjen për 5-6%
E në lidhje me këtë, shkurtimisht foli profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sadri Ramabaja.
Ai tha se pasi të numërohen të gjitha votat do i vije radha diskutimit për formimin të qeverisë.
Sipas tij, përqindja do të ndryshojë me votat e mërgatës, dhe me këtë mund të ndryshojnë kalkulimet e mundshme.
“Pasi të numërohen votat, i vije radha kësaj teme.
Votat e mërgatës dhe ato me kusht, pres ta ndryshojnë përqindjen për 5-6%.
Prandaj edhe kalkulimet e një natyre tjetër do të imponohen”, u shpreh Ramabaja për “Bota sot”.
![Image](/media/botasot.info/images/2025/February/11/auto_20200912150016_art1739293570.jpg)
Mehmeti: Besoj që me komunitetet jo serbe do ta bëj qeverinë i vetëm Albin Kurti
Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti vlerëson se votat e diasporës dhe ato me kusht do ndryshojnë përqindjet e votave.
Madje, ai në bashkëbisedimin me “Bota sot” vlerëson se Kurti do arrijë ta bëj qeverinë pa partitë opozitare, vetëm me minoritetet joserbe.
“Është e vërtët se Vetëvendosja diku mbi 40 për qind ka dalë pa votat e diasporës, dhe kur i shtojmë votat e diasporës e votat me kusht, unë besoj që del mbi 45%
Kështu që do t'i ketë 52 ose 53 deputetë, besoj që me minoritetet jo-serbe do ta bëjë qeverinë. Unë kështu e shoh. Pra, shto edhe një votë që edhe një deputet do të jetë nga minoriteti serb që është në koalicion me Albinin, Nenad Rashiq, i cili ka qenë ministër për Komunitete dhe Kthim, e ky ka qenë i distancuar nga Lista Serbe dhe ky pritet që ta votojë qeverinë Kurti”, nënvizoi ai.
![Image](/media/botasot.info/images/2025/February/11/auto_auto_auto_sdfs161176520416131648801739293571.jpg)
Po ashtu, Mehmeti potencoi se edhe votat e Listës për Familje do i kalojnë partive tjera, pasi kjo e fundit nuk e ka kaluar pragun.
“Pastaj, mos të harrojmë që Lista për Familje i ka 18 mijë vota, këto vota i kalojnë partive tjera. Mbi 10 mijë vota do t'i kalojë Vetëvendosjes, kështu që po them 45 ose 46 për qind del Vetëvendosja.
Në këtë kuptim besoj që me komunitetet jo serbe do ta bëj qeverinë i vetëm Albin Kurti”.
Në fund, shtoi se LVV nuk do ketë nevojë as për PDK dhe as për LDK-në që ta bëj qeverinë, dhe këto dy parti do vazhdojnë të qëndrojnë në opozitë.
“Kështu që, nuk besoj që LDK-ja e PDK-ja do të jenë pjesë e kësaj qeverie. Ato do të mbeten në pozitë.
Kështu mund të jetë për 1 vit pastaj, pas një viti, kur të vijë zgjedhja e presidentit të vendit, atëherë do duhet të bëhet një koalicion i madh ose me shumë gjasa vendi prapë do të shkojë në në zgjedhjet e reja”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”