Diskriminimi dhe pastrimi etnik i shqiptarëve në Kosovën Lindore, shpresat te angazhimi i Kosovës dhe mbështetja ndërkombëtare

Politika

Diskriminimi dhe pastrimi etnik i shqiptarëve në Kosovën Lindore, shpresat te angazhimi i Kosovës dhe mbështetja ndërkombëtare

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 11 shkurt 2025 Në ora: 18:26
Shqiptaret ne Kosovën Lindore

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, përmes një reagimi ka thënë se Serbia po synon bllokimin e ndihmës ekonomike dhe shkatërrimin e autonomisë institucionale të shqiptarëve në Serbi.

“Këshilli Kombëtar Shqiptar e konsideron vendimin e Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Dialogun Social të Serbisë një akt të hapur armiqësor ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, i cili synon bllokimin e ndihmës ekonomike dhe shkatërrimin e autonomisë institucionale të shqiptarëve në Serbi. Në dy ditë radhazi, kjo Ministri ka ndërmarrë hapa që përbëjnë sulm frontal ndaj Këshillit Kombëtar Shqiptar:

1. Shfuqizimin e vendimit për subvencionet e fermerëve shqiptarë, të financuara nga Fondi i Qeverisë së Kosovës.

2. Refuzimin e regjistrimit të kryetarit të ri të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, duke përdorur argumente absurde dhe teknikalitete burokratike.

Këto akte janë shembuj të qartë të politikave diskriminuese të shtetit serb ndaj shqiptarëve, të cilët vazhdojnë të përballen me shtypje politike, izolim ekonomik dhe përjashtim nga vendimmarrja institucionale”, thuhet në reagimin e Rexhepit.

Po ashtu, për këtë çështje ka folur edhe ish-zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Ai ka thënë se “ndihma e Kosovës për shqiptarët e Luginës është legjitime, fondet janë transparente dhe përbëjnë një mbështetje të drejtë e të nevojshme. Ndërsa bllokada ndaj funksionimit të KKSh-së është një ndërhyrje politike pa asnjë bazë ligjore, e cila synon ta mbajë këtë institucion jofunksional dhe të pafuqishëm për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve”.

Hasani: Diskriminimi dhe Pastrimi Etnik i Shqiptarëve në Serbi

Profesori nga Presheva, Refik Hasani, në një prononcim për "Bota Sot", ka folur për zhvillimet politike ndërmjet Kosovës dhe politikanëve shqiptarë në Luginën e Preshevës.

Image
Refik Hasani

“Serbia, tani kur qeveria e Republikës së Kosovës, si: Në vitin 2025, përmes kodit të veçantë, i cili është viti 4, dedikuar Krahinës shqiptare të mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë, nga 2 milionë euro për vitin 2025, janë paraparë 4 milionë euro investime për këtë krahinë.

Kur në takimet e nivelit të lartë të BE-së, por edhe në bisedime me emisarët politikë, gjithnjë e më shumë po zë vend çështja e pazgjidhur e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, duke përfshirë në konferenca për shtyp Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë i Republikës së Kosovës. Presidente e Kosovës, Vjosa Osmani, vazhdojnë të flasin publikisht, me prova e fakte, për diskriminimin në rritje që po ndodh në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Deputeti i vetëm shqiptar nga kjo krahinë, Shaip Kamberi, në Parlamentin e Serbisë, po ngre çështje mbi diskriminimin në këtë krahinë”, ka thënë ai.

Sipas tij, shqiptarët gjithnjë e më shumë po paraqiten të unifikuar, duke shtuar se ata po mbështeten shumë më tepër se në të gjithë legjislaturat e mëparshme nga Republika e Kosovës.

 “Shqiptarët gjithnjë e më shumë po paraqiten të unifikuar, si dhe protesta-marshi në qendrën e qytetit në Bujanoc kundër diskriminimit, e mbajtur më 12 gusht 2024; protesta-marshi në qendrën e qytetit në Preshevë kundër diskriminimit, e mbajtur më 23 shtator 2024; dhe protesta para stacionit të Policisë në Medvegjë për diskriminimin, ku përmes pastrimit etnik – pasivizimit, zhvendosjes dhe dëbimit, shtypjes dhe shkeljeve që u bëhen shqiptarëve të kësaj komune, mbajtur më 3 nëntor 2024, të tri këto protesta u mbajtën si protesta gjithë-popullore, me moton për IDENTITET dhe DINJITET, protesta për të tashmen dhe të ardhmen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Shqiptarët e kësaj krahinë po mbështeten shumë më tepër se në gjithë legjislaturat e mëparshme nga Republika e Kosovës, ku është mbajtur një protestë paqësore masive në Prishtinë, më datën 23 tetor 2023, në sheshin "Skënderbeu".

Krahinën shqiptare po e vizitojnë gazetarë e hulumtues të agjencive evropiane prestigjioze, monitorues nga OSBE-ja, por edhe diplomatë dhe delegacione të larta të BE-së dhe instanca të OKB-së.

Jo vetëm Referendumi i datës 1 dhe 2 mars 1992, por edhe nuk ka zbatim të marrëveshjes së Konçulit dhe marrëveshjeve të tjera.

Këto janë disa zhvillime të vetëm dy viteve të fundit dhe mendoj se kjo është arsyeja që Serbia dëshiron të pengojë këto aktivitete”, ka thënë ai.

Tutje, profesori ka kritikuar qasjen e ish-emisarit të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, dhe të gjithë mekanizmat e BE-së, që sipas tij nuk e trajtuan fare çështjen e shqiptarëve të Kosovës Lindore.

“Po, kjo qëndron, pasi ish-emisari i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav LAJÇAK, dhe gjithë mekanizmat e BE-së, nuk e kanë trajtuar fare, nuk e kanë marrë parasysh Referendumin e datës 1 dhe 2 mars 1992, as marrëveshjen e Konçulit dhe moszbatimin e marrëveshjeve të tjera. Mbetemi këmbëngulës që emisari i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter SORENSEN, të trajtojë diskriminimin e krahinës shqiptare në Serbi. Kështu, të mos përsëriten gabimet e rënda të paraardhësit, duke praktikuar dy standarde për dy pakica.

Pas protestave të njëpasnjëshme, pas unifikimit, pas mbështetjes, politikës në rrafshin diplomatik dhe medial, e veçmas pas ndarjes financiare nga Republika e Kosovës që ndodhën dhe do të vazhdojnë, pas ndryshimit të narrativës dhe diskursit të BE-së, uroj që BE-ja të ndryshojë plotësisht diskursin e mbajtur në mes të dy pakicave, duke ndjekur dy standarde”, ka deklaruar ai..

Gjithashtu, Hasani ka treguar se në çfarë forme po vazhdon diskriminimi dhe pastrimi etnik i shqiptarëve nga ana e Serbisë.

“Në Serbi vazhdon diskriminimi përmes pastrimit etnik – pasivizimit, diskriminimin në përdorimin e gjuhës shqipe, të simbolit kombëtar, në investime dhe përfaqësime. Serbia, jo vetëm që nuk e ka respektuar marrëveshjen e Konçulit, por i ka shtuar forcat e armatosura dhe shërbimet e inteligjencës. Kështu, aktualisht, pas 23 vjetësh, janë 48 minibaza në Zonën Tokësore të Sigurisë, dhe kemi një militarizim të lartë.

Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, që në vitin 1992, kanë realizuar Referendumin, kanë organizuar një kryengritje të armatosur dhe kanë bërë sakrifica për liri, barazi dhe çlirim, duke mbrojtur pragun, dinjitetin dhe identitetin kombëtar nga UÇPMB-ja. Kurse, protesta e studentëve në Serbi është një shpresë që do të sjellë forca të reja në pushtet, pasi, përveç të tjerash, nuk është pozita as opozita që e ka organizuar këtë protestë studentore, dhe kjo do të sjellë realitete ku po afrohet një epokë ku liria do të ekzistojë përtej regjimeve shtypëse dhe sistemeve që ushqejnë urrejtje, diskriminim dhe dhunë të llojllojshme sistematike ndaj popullsisë civile, pa dallim etnie”, ka  treguar Hasani.

Duhanaj: Shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të zgjidhin problemet “vetë”

Në anën tjetër, analisti politik, Leon Duhanaj, ka thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet t'i zgjidhin problemet "vetë".

Image
Leon Duhanaj

 “Politika ndërkombëtare është art. Popujt që pretendojnë ta gjejnë fatin e tyre duke vepruar kundër logjikës së organizimit të diplomacisë ndërkombëtare, janë të predestinuar të dështojnë.

Për fat të keq, shqiptarët pas luftës, jo vetëm që harruan nga çfarë zgjedhe u çliruan dhe nga kush u çliruan, por edhe filluan ta urrejnë lirinë dhe çlirimtarët e tyre. Një popull që e përbuz lirinë e tij, nuk e meriton atë.

Edhe përfaqësuesit e Luginës janë pozicionuar si aktivistë të Vetëvendosjes; prandaj, të mos kërkojnë ndihmë nga Amerika.

Shqiptarët duhet të përcaktohen: Duan lirinë, prosperitetin dhe integrimin evropian, apo duan konflikt me Perëndimin dhe orientim pas një aventurieri siç është Kurti? ”, ka deklaruar Duhanaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat