“500 mijë vota nuk është thjesht aspiratë sa për kuriozitet, por është më e nevojshme se kurrë që jo vetëm të vazhdojnë punët e mira, të drejta e të domosdoshme që kemi nisur për republikën tonë, por që edhe të mos varemi nga Lista Serbe e as nga klubi i stëvjetruar politik”, kështu do të deklaronte kryeministri Albin Kurti në dhjetor të vitit të kaluar, kur kishte bërë prezantimin e kandidatëve për deputetë nga radhët e LVV-së.
Gjersa, Kurti kërkonte vota që të mos varen nga Lista Serbe, pasi sipas tij, varësia prej tyre është në dëm të Kosovës, rezultatet e 9 shkurtit nuk ia realizuan këtë “dëshirë”.
Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të fitojë vendin e parë, por jo mjaftueshëm që ta formojë qeverinë e vetme.
Sipas rezultateve të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në numërimin e 99.17 për qind të vendvotimeve, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit po prin me 40.86 për qind të votave vota të fituara në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Në këtë numërim nuk përfshihen votat me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe votat nga jashtë vendi, të cilat do të numërohen më vonë.
Partia e dytë është Partia Demokratike e Kosovës me 22.04 % për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.62 për qind. Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma, Konservatorët dhe Intelektualët kanë fituar 7.54 për qind.
Ndërkaq, Lista Serbe – partia kryesore e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka fituar 4.43 për qind.
Analistët politikë vlerësojnë se thirrja e Grenellit dhe aktivizimi i opozitës në fund kanë ndikuar në mos arritjen e shifrës 500 mijë vota.
Analisti politik Skënder Zogaj, konsideron se zgjedhjet janë mbajtur pa ndonjë parregullsi, por fushata nga partitë politike ka ndikuar në mos daljen e qytetarëve për të votuar.
Sipas tij, nuk ka votuar shtresa më serioze e qytetarëve, pjesa intelektuale.
“Fakti se zgjedhjet janë mbajtur pa asnjë parregullsi nga ana e votuesve, tregon seriozitetin dhe kulturën e lartë të elektoratit. Mirëpo ndryshe u treguan udhëheqjet partiake, që u koritën duke zhvilluar fushata të ndyra, skajshmërisht primitive dhe dëshpëruese, gjë që u pa edhe nga shkalla e lartë e mos daljes për të votuar! Kjo mos dalje është shumë domethënëse, sepse, sa jam i informuar, ka munguar në votim shtresa më serioze e qytetarëve, pjesa intelektuale, e cila nuk e ka lejuar veten të implikohet në një proces zgjedhur kategorik për marrjen e pushtetit me çdo kusht, që është gjëja më e keqe për Kosovën aktualisht!”, thotë Zogaj.
Ai mendon që asnjëra parti nuk është e kënaqur me rezultatin, por Vetëvendosje është pakontestueshëm fituesja.
“Sa i përket rezultatit, normalisht që nuk ka mundur të jetë ai që e kanë dëshiruar të gjitha partitë, Unë mendoj se me asnjëra nga subjektet politike nuk është e kënaqur me rezultatin e arritur, sepse, jetësimi i këtij rezultati është shumë i vështirë, Vetëvendosja është pakontestueshëm fituesja, pos do të ketë shumë vështirësi që këtë fitore ta implemendojë dhe të krijojë një qeverisje funksionale! Të paktën kështu reflektojnë deklaratat e para pas zgjedhore!”, shprehet analisti.
Nuk i fitoi 500 mijë, por përsëri partia e tij doli fitues dhe këtë fitore udhëheqësi i LVV-së dhe kryeministri aktual, Albin Kurti, e shpalli në orët e para të 10 shkurtit.
Ai iu tha simpatizantëve të partisë së tij të mbledhur në sheshin kryesor të Prishtinë se “do t’i vazhdojmë punët e mira që i kemi nisur në katërvjeçarin e kaluar dhe do të bëjmë shumë punë të tjera”.
Ndërsa, analisti politik Zejnullah Jakupi, konsideron se thirrja nga jashtë siç është thirrja e Richard Grenell për të mos votuar LVV-në deri diku e ka arritur efektin.
Rënia nga sistemi i faqes së KQZ-së, sipas Jakupit, ngjallë shumë dyshime se çfarë ndodhi.
“Rezultati për LVV dhe koalicionin ishte jo ai që ishte dëshiruar dhe për të cilin u punua nga dita kur u fillua fushata. Natyrisht është pritur që t´i marrë së paku 51 plus votat e Diasporës, por përqindja e ulët mbi 41 për qind nuk lë shumë vend për të krijuar qeverinë pa koalicion me LDJ apo PDK. Pra akoma është herët të thuhet se sa do jetë numri i votave nga diaspora , në këtë rast për LVV dhe Guxo e Alternativ dhe nëse me këto vota arrihet në 5 00për qind o ishte fitore e mirëpritur, por nuk mund të thuhet asgjë sepse siç e dimë, kësaj here, edhe PDK,LDK dhe AAK kanë qenë aktive në Diasporë dhe nuk dihet sa do jetë përqindja për secilën parti.
Mund të jetë edhe ndikimi nga Jashtë siç e dimë në prag të zgjedhjeve thirrja e R. Grenell për të mos u votuar LVV deri diku e ka arritur efektin, siç ndodhi edhe në Gjermani, kur Elon Musk e shpalli si parti të preferuar AFD dhe për të cilën tha se kjo është partia e vetme që mund ta udhëheq Gjermaninë për të nxjerrë nga kriza. Dhe natyrisht ato ditë AFD sikur mori krah, në opinion publik dhe natyrisht e bëri abnormale gjendjen që edhe ajo të duket si parti normale dhe jo një parti e ekstremit të majtë.
Dhe natyrisht rënia nga sistemi i faqes së KQZ ngjallë shume dyshime se çfarë ndodhi. Pse tani LVV nuk i mori s´paku 50 për qind kur i mori në vitin 2021 më tepë se tani, atëherë kur askush nuk e besoi se Albin Kurti dhe qeveria e tij do ta bashkojë veriun, do e shtrij sovranitetin i cili u bë i mundshëm me gjithe protestën e ndërkombëtareve qeveria Kurti e arrita ta bëjë realitet veriun. Dhe natyrisht meritat tjera siç është lufta kundër korrupsionit, vëmendja ndaj shtresave sociale, menaxhimi i situatës se sigurisë në veri dhe natyrisht shmangja e fillimit të një lufte në Kosovë është meritë e Albin Kurtit dhe qeverisë Kurti II”, shprehet Jakupi.
Sipas tij, pengesë për arritjen e shifrës 500k mund të jetë edhe aktivizimi i opozitës në momentet e fundit.
“Pse nuk u arritë shifra kjo ka të bëjë edhe me kërkesën e cila nuk ishte në fakt reale dhe e arritshme, por natyrisht për të fituar më shumë duhet gjithnjë të rriten kriteret- kufiri. Sepse me këtë kërkesë jepej mesazhi se Qeveria Kurti III do i kryej punë e mbetura dhe shumë çështje të penguara nga opozita. Natyrisht pengesë ka qenë edhe aktivizimi i opozitës në momentet e fundit – ose të themi vitin e fundit duke ngritur çështjet e korrupsionit dhe natyrisht këto akuza përcilleshin nëpër media dhe ne i dimë se ato akuza edhe pse nuk kishte vendime gjyqësore mjaftonte të përfilitej dhe vërtet u arrit efekti i dëshiruar. Dhe siç e kanë vërtetuar shkenca e komunikimit, diskursi publik është si një arenë gladiatorësh. Nuk fiton ai që e fiton garën përnjëmend, nëse kjo nuk jepet në media ose nuk jepet ashtu siç ka ndodhur në të vërtetet. Atë çfarë nuk raportojnë mediat ajo ka ndikim dhe atë e marrin njerëzit si të vërtetë edhe nëse siç e dimë ka pasur shumë raportime tendecioze dhe natyrisht sanksionet dhe trysnia nga BE dhe SHBA pati ndikim sepse qeveria Kurti paraqitej si pengues i zhvillimit, dhe i integrimit të Kosovës në BE dhe natyrisht si një qeveri që nuk plotësonte kërkesat e BE-së por as të shteteve të Kuintit”, thekson analisti.
Tirana zyrtare dhe zëri i opozitës që Kurti po i prish marrëdhëniet me SHBA-në, mund të jenë arsyet tjera që nuk është arritur shifra, thotë Jakupi.
“Gjithashtu dhe Tirana zyrtare vazhdimisht kishte kritika dhe e pengonte në ecjen tutje ashtu siç bënte dhe qeveria e Serbisë dhe Aleksandër Vuçiq. Dhe natyrisht më së tepërmi ishte zëri i opozitës që akuzonte Albin Kurtin se po i prish marrëdhëniet me SHBA dhe po e izolon Kosovën si asnjë qeveri e deri tanishme”, përfundon analisti.