Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka fituar dhe atë me një diferencë të madhe ndaj partive tjera.
Për fitoren, ka shkruar edhe kryeministri Albin Kurti
“Fitore e padiskutueshme, me vota cep më cep.
Në 21 komuna prijmë si fitues, sipas rezultateve preliminare, pa votat me kusht dhe ato të mërgatës.
Qytetarët na e besuan mandatin e ri të qeverisim me vendin, dhe puna e qeverisë së re vazhdon sapo të çertifikohen rezultatet.
Deri atëherë, do të kujdesemi për ruajtjen e secilës votë që na e keni besuar”, shkruan ai.
Analisti Xhavit Drenori, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se Vetëvendosja është ajo e cila pati rënie në këto zgjedhje, por që realisht është fituesja.
Sipas tij, PDK kishte ngritje, kurse LDK-së, edhe pse kishte rritje në përqindje i duhet ndryshim siç e përmendi edhe kryetari i saj, kurse AAK ka pësuar rënie.
“Unë e kam bërë një ndarje mes asaj që quhet rënie të votave, ngritje të votave dhe fituesit të zgjedhjeve dhe humbësit të zgjedhjeve.
Sa i përket rënies së votave është evidente dhe këtë e lexon secili qytetar që Vetëvendosja ka rënie të votave në krahasim me vitin 2021 dhe arsyet besoj I kemi thënë shumë shpesh, që ka qenë një frymë e ndryshimit, vote ndëshkuese në 2021, në anën tjetër kemi ngritje të votave nga PDK dhe LDK që ka qenë e natyrshme, ndërsa aleanca për çudi ka pësuar rënie duke e pas parasysh që kësaj radhë në garë ka qenë me NISMA-n.
Ndërsa, sa i përket fituesve dhe humbëseve të zgjedhjeve prapë humbëse del vetëm aleanca për mendimin tim.
Tani fituese e zgjedhjeve reale është Vetëvendosja sepse e ka ruajt substancën, e ka ruajt shumicën e votuesve dhe tash këta numra të vitit 2025 mund të themi se është trup elektorale e Vetëvendosjes që realisht është bukur e madhe, pra, 40%, kurse dy partitë tjera nuk e bëjnë po atë numër po të bëheshin bashkë”, thotë ai.
Drenori, si parti fituese në ngritje të votave e sheh edhe PDK-në.
Kurse, formimin e qeverisë, ai thotë se do ta bëjë Vetëvendosja.
“Por, fituese mund të quhet edhe PDK-ja sidomos, e cila e rriti votën duke pas parasysh që ideja ka qenë gjithmonë që votat që lëvizën në 2021 ishin nga LDK-ja te Vetëvendosja dhe ideja ishte që të kthehen ato vota, por ato nuk u kthyen ose u kthyen një numër të vogël.
Kurse, fituese morale është PDK. LDK ka pasur një rritje, por unë pajtohem me atë që thotë edhe Lumir Abdixhiku se LDK është në rrugë të mbarë të ndryshimeve por ato ndryshime ende nuk kemi arritur t’i etablojmë brenda përbrenda LDK-së.
Fituese absolute në kuptimin e numrave është padyshim, Vetëvendosje, dhe në çdo variant mendoj se Vetëvendosje duhet ta bëjë qeverinë sepse është çështje tek përgjegjësia morale, nëse e bën partia e dytë, ka përqindje pak dhe nuk do të ishte qeveri e stabilitetit. Qeverinë do ta bëjë Vetëvendosje, por është duke pritur rezultatet finale, dhe pastaj të shohim gjërat si mund të rrjedhin”, përfundon ai për “Bota sot”.