Të dielën në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet parlamentare për herë të parë si të rregullta, pas shpalljes së pavarësisë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tash e disa ditë po vazhdon me numërimin e votave.
Deri më tash janë numëruar 99.68 për qind të votave nga 2.525 qendra votimi nga gjithsej 2.533, sipas të cilave vazhdon të prijë Lëvizja Vetëvendosje me 40.88 për qind ose 341.488.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 22.05 për qind ose 184 mijë e 282, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e treta me 17.64 për qind ose 147 mijë e 366 vota.
AAK-NISMA-Konservatorët-Intelektualët-Ideal renditet e katërta me 7.46 për qind ose 62 mijë e 287.
Lista Serbe, e afërt me Beogradin, renditet e pesta me 4.53 për qind ose 37 mijë e 843 vota.
Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës.
Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para në zgjedhje dhe tashmë ka deklaruar se do ta formojë e vetme qeverinë, ndërsa kujtojmë se para zgjedhjeve kryeministri Albin Kurti kërkonte 500 mijë vota.
“Ju kujtoj dhe ju lutem, mos na lini nën 500 mijë vota. Na duhen 500 mijë vota, nuk ju jam lutur, ju lutem për herë të fundit, aman po ju lus, nuk ju kam lutur më herët, s’ju lus më vonë, aman mos na lini nën 500 mijë vota. Duam 500 mijë zemra, mos na lini vetëm, që të jenë 500 mijë vota kur të hapen kutitë mbrëmjen e të dielës”, ishte deklarata e Kurtit gjatë përmbylljes së fushatës.
Por, pse nuk u arrit kjo shifër?
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirlinda Tishukaj, thotë se dalja e ulët e qytetarëve në zgjedhje ka reflektuar edhe në rezultat.
“E para që është e rëndësishme kemi dalje më të ulët të qytetarëve në zgjedhje që ka reflektuar edhe në rezultat. Qytetarët na besojnë ende në % bukur të madhe. Por gjithsesi ende nuk jemi në finale, ende nuk jane numëruar të gjitha votat , të shohim rezultatin si do dalë deri në fund pas numërimit të të gjitha votave. Brenda ditës, javës dhe muajve ka më shumë se 20 lajme të mira për Kosovën do të doja të kishte më shumë hapësirë mediale pa dashur të interferoj”, shprehet Tishukaj.
Ajo deklaron se një gjë është e sigurt dhe kjo është puna e qeverisë Kurti 2.
“ Një gjë mund ta them me siguri të plotë Qeveria Kurti 2 është qeveria që ka punuar me përkushtim dhe angazhim maksimal përkundër përballjes me pandemi, kriza energjetike, inflacion dhe sigurinë kombëtare!!”, shton deputetja.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimin e votave të subjekteve politike, në qendra komunale të numërimit në komunat, Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh. Ndërsa, sot ka nisur edhe në qendrat komunale të numërimit në komunat Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut dhe Veriut, Skenderaj, Shtërpc, Viti, Vranidoll, Kllokot dhe Han të Elezit.