Besohej se do të lirohej, por Serbia fabrikon dëshmitar të ri për rastin e Tefik Mustafës

Politika

Besohej se do të lirohej, por Serbia fabrikon dëshmitar të ri për rastin e Tefik Mustafës

Nga: A.M. Më: 12 shkurt 2025 Në ora: 21:48
Tefik Mustafa

Tefik Mustafa, shtetas i Kosovës, u arrestua nga autoritetet serbe më 1 qershor 2024 në pikën kufitare të Merdarës. Sipas organeve serbe, ai është arrestuar nën dyshimin për "krime lufte" gjatë periudhës së luftës në Kosovë në vitin 1999. Për arrestimin e Mustafës u deklarua përmes një komunikate për mediat edhe Zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i Serbisë (MPB), Ivica Daçiq

Në atë komunikatë u tha se dyshohet se Mustafa ka qenë pjesëmarrës në rrëmbimin e tre policëve serbë më 19 qershor 1999 në rrugën Prishtinë-Gjilan.

“Si pjesëtar i UÇK-së [Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës], në deklaratat e dëshmitarëve përmendej si pjesëmarrës në rrëmbimin e policëve Goran Marinkoviq, Zhivojin Paviq dhe Predrag Millosheviq, më 19 qershor 1999 në rrugën Prishtinë-Gjilan, të cilëve u humbën të gjitha gjurmët”, thuhej në komunikatën e MPB-së të Serbisë.

Kurse, më 11 shkurt 2025 është mbajtur seanca gjyqësore ndaj të pandehurit Mustafa. Në këtë seancë pritej lirimi i tij, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Kjo për shkak të një dëshmitari të ri që u paraqit në këtë seancë.

Siç duket nga akuzat për rrëmbimin e tre policëve serbë, tani ka dalë një dëshmitar i ri, i cili mësohet se ka parashtruar akuza të reja për Mustafën. Sipas burimeve të gazetës “Bota Sot”, brenda seancës gjyqësore, “dëshmitari me mbiemrin Paviq nga fshati Slivovë (fshat i Komunës së Prishtinës) ka deklaruar se më 15 qershor 1999, i dyshuari Tefik Mustafa kishte shkuar tek ai për të blerë cigare dhe, me këtë rast, e kishte kërcënuar dhe rrahur”.

Për këtë deklaratë, del se ajo mund të jetë e fabrikuar nga Serbia, pasi që Tefik Mustafa gjatë asaj kohe nuk ishte fare në Kosovë.

 Sipas burimeve tona, "Mustafa ka qëndruar në Gjermani nga 24 shtatori 1997 deri më 15 korrik 2004".

Po ashtu, “Bota Sot” mëson se arsyeja pse Mustafa nuk e kishte vizituar Kosovën në këtë periudhë "ishte mungesa e dokumenteve që do t’i mundësonin qarkullimin".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat