Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është arrestuar këtë të hënë me urdhër të SPAK.
Veliaj i cili në publik njihej si një kryetar që çdo ditë mbillte pemë, përuronte kopshte dhe shkolla apo luante me fëmijët, dyshohet se ka bërë një skemë të mirëmenduar dhe komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar ryshfete, udhëtime ose pasuri të paluajtshme nga kompani kontraktore dhe OJF përfituese të fondeve të Bashkisë së Tiranës, si dhe kompani që merrnin leje ndërtimi.
Këto ryshfete i transferoheshin familjes së kryebashkiakut kryesisht nëpërmjet një rrjeti OJF-sh dhe kompanish të kontrolluara nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa dhe familjarët e saj, duke mjegulluar origjinën nëpërmjet faturave fitktive.
Xoxa sipas SPAK i shpenzoi një pjesë të të ardhurave të paligjshme për shpenzime luksi në internet. Ajo gjithashtu akuzohet se ndihmën e kryetares së Komisionit të Ligjeve në Kuvend, Klotilda Busha, tentuan që të ‘helmojnë’ provat dhe të ndikojnë tek dëshmitarët, në përpjekje për të fshehur të vërtetën. GJKKO vendosi masën e arrest shtëpiak për Ajola Xoxën.
“Provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit ekspozojnë ekzistencën e një mekanizmi të mirëmenduar, krijuar dhe vënë në funksion nga shtetasit nën hetim me qëllim përfitimin nga fondet publike dhe pasurimin personal përmes veprimeve të kamufluara dhe të paligjshme,” shkruan Gjykata Speciale (GJKKO) në vendimin e masës së sigurisë për Veliajn.
“Në lidhje me praktikat e ndjekura nga këta shtetas, siç do të prezantohet në vijim, nisur nga provat e administruara në fashikull, të paktën në 10 raste krijohet dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprimeve me natyrë korruptive nga i zgjedhuri vendor, si edhe për pastrim të produkteve të veprës penale në nivelin më të lartë të qeverisjes vendore,” shton vendimi.
Përveç kryebashkiakut dhe bashkëshortes së tij, GJKKO ka vendosur masën arrest me burg për biznesmenin Elman Abule dhe masën ‘detyrim paraqitje’ për pesë biznesmenë të tjerë – mes tyre Gentian Sula, Shkëlqim Fusha dhe Fatmir Bektashi, kompanitë e të cilëve janë përfituese të mëdha të fondeve të bashkisë ose lejeve të ndërtimit në Tiranë.
Pas arrestimit të Veliajt, opozita në Shqipëri ka kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës.
“U ekzaltuan nga arrestimi i Erionit dhe u turrën për të kërkuar dorëheqjen time. Jo vetëm oxhaku i vjetër i partisë së bufit të kënetës, por edhe mangallët e partiçkave, kanë vënë shishet poshtë, që kërkojnë dorëheqjen time. U deti kos edhe o burra të hidhemi tek Kryeministria", u shpreh Rama pas arrestimit.
Por siç duket ai nuk e ka në plan të japë dorëheqje.
Vata: Veliaj ishte makineri elektorale në Tiranë
Analisti politik Ilir Vata, jep detaje rreth arrestimit të Veliajt, gjersa shton se SPAK po kryen hetime paraprake edhe për deputeten socialiste Klotilda Bushka.
“Arrestimi i kryetari të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte i paralajmëruar muaj më parë dhe ndodhi ajo që pritej, atë që donin qytetarët, ndëshkimin e të paprekshmeve. Në fakt SPAK nuk e ka arrestuar për akuzat për inceneratorin të e Tiranës por për korrupsion, duke ndjekur paranë Prokuroria e Posaçme ka mbledhur prova dhe fakte që bashkëshortja e tij ka shpenzuar 1 milionë euro për veshje, pra një sulltanesha që vallëzon me parat e qytetarëve. Pra, SPAK duke gjurmuar parat, mblodhi prova të mjaftueshme duke bërë të mundur arrestimin e Erjon Veliajt. Veliaj akuzohet për veprat penale të "korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë", në 9 raste si dhe "pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale"”.
![Image](/media/botasot.info/images/2025/February/13/auto_ilir_vata1739438054.jpg)
“Ndaj, bashkëshortes së tij, rëndojnë akuzat korrupsion pasiv, pastrim parash e fshehje pasurie. Ndërkohë të 5 biznesmenët akuzohen nga SPAK për veprën penale korrupsion aktiv, pasi sipas Prokurorisë së Posaçme kanë dhënë ryshfet të Veliaj për të marrë fonde publike dhe leje ndërtimi. Po ashtu, SPAK njofton se po kryen hetime paraprake edhe për deputeten socialiste Klotilda Bushka, që sipas Prokurorisë së Posaçme ka penguar zbulimin e së vërtetës. Në lidhje me arrestimin e Veliaj, kreu i qeverisë Rama doli i dyzuar. Nga njëra ane fliste për drejtësi të pavarur, nga ana tjetër hidhte akuza dhe bënte krahasime të drejtësisë së re me atë të diktaturës, nga dhe ka origjine PS, partia të cilën ai drejton. Edhe sot kur pritej vlerësimi i masës së sigurisë socialistë shkuan në protestë para SPAK, pra ranë në fatalitetin e opozitës duke u bërë bashkë kundër drejtësisë së re”, shprehet Vata.
Me qëndrimin e tij, Rama po tregon se ka frikë, thotë Vata, gjersa shton se arrestimi i Veliajt e çon Ramën dhe PS-në drejt humbjes së zgjedhjeve.
“Në lidhje me pyetjen, a është arrestimi i tij “karrem” i Ramës për të fituar pikë në zgjedhjet e reja? Mendoj, se Rama, me qëndrimin e tij, tregon frikë për rrjedhje të votave në Tiranë. Arrestimi i Veliajt e çon Ramën dhe PS në drejtë humbjes së zgjedhjeve. Veliaj ishte makineri elektorale në Tiranë, kishte punësuar të gjithë socialistët, larguar nga puna të gjithë ata që mendonin ndryshe, punësuar të gjithë hajdutë e xhepave në Tirane, pra kishte bërë një ushtri socialistë që mblidhnin vota, në këmbim të punës rrogave. Veliaj është numri dy pas kryeministrit për nga fuqia e pushteti, pasi Tiranë është 1 milion banorë dhe rënia e tij, është dhe rënia e Ramës praktikisht, megjithëse PS është bërë në tërësi një makineri elektorale, duke hyrë me sloganin “para në këmbim të votës”. Fakti që Rama atakon drejtësinë, tregon qartë se arrestimi i Veliaj ka qenë i paparashikuar nga ai vet, dhe kjo është një provë se drejtësia e re nuk kontrollohet nga pushteti, megjithëse ajo u formatua politikisht në ngjizje”, shton analisti.
Ai kërkon dorëheqjen e Ramës, kjo pasi sipas tij, qeveria e Ramës është e përfshirë në skandale të mëdha korruptive.
“ Për sa i përket kërkesë së opozitës për dorëheqjen e kryeministri, them se jo vetëm është një kërkesë e drejtë, por vetë Rama duhet të jap dorëheqje sepse qeveria e tij është përfshirë në skandale të mëdha korruptive dhe prite të arrestohen dhe ministra të tjerë të kabineti, madje dhe zv/kryeministrja, deputet të PS-së, dhe shumë kryetarë bashkie dhe drejtues institucionesh. Rama është gangrena e korrupsionit dhe do duhen vite që drejtësia e re të pastrojë politikën nga krimi dhe korrupsioni, por ajo që vret është se opozita është e pafuqishme për ta rrëzuar, sepse lideri ish-LSI, Meta është në Burg, Berisha me akuzë penale, e Mediu prite të arrestohet, pra lideri i mazhorancës edhe në skandale të pa hasura në më shumë se një shekull shtet, ka fuqinë ta mbaj pushtetin me forcë, si në diktaturë sepse ai gëzon 99% të pushtetit. Rama ka ngritur autokracinë në Shqipëri, ka rritur në drejt konfliktin social, duke bërë diferencime sociale si në diktaturë. Diktatori Enver Hoxha thoshte se mjaltin e hajn shokët e partisë?! Të njëjtën gjë po bënë Rama, taksat publike shkojnë për punësimin e socialistëve, rekrutëve të rinj, patronazhistë, duke shpallur në hije armiqtë e klasës të përndjekurit politik, pronarët, demokratë, ata që mendojnë ndryshe. Rama nuk jep dorëheqje, vetëm një revolucion demokratik mund të rrëzojë një autokrat, që është më i fortë se vetë diktatori Hoxha”, përfundon Vata.
Zgjedhjet në Shqipëri dhe ndërlidhja me ndryshimet në SHBA
Ndërsa, publicisti Fadil Lepaja, konsideron se arrestimi i Veliajt është në kuadër të spastrimeve dhe racionalizimeve që po bëhen nëpër administratën amerikane.
Pyetur nëse arrestimi i tij ka të bëjë me “pikët e Ramës” për zgjedhjet e reja, Lepaja, nuk e mendon një gjë të tillë.
![Image](/media/botasot.info/images/2025/February/13/auto_fl1739438048.jpg)
“Mendoj se ky arrestim është në kuadër të spastrimeve dhe racionalizimeve që po bëhen nëpër administratën amerikane dhe të cilat padyshim se do të hapen edhe nëpër vendet e ndryshme të botës ku janë shpërndarë ndihma në formën e fondeve të ndryshme. Në Shqipëri , duke i ditur problemet e marrëdhënieve me të fuqishmit lokal, kjo mund të shihet si preventivë. Kjo padyshim që mund të prekë edhe vendet e tjera të rajonit. Nuk mendoj se kjo ka të bëjë vetëm me zgjedhjet, por gjithsesi se do të reflektohet edhe në to, duke marrë parasysh "ringjalljen dhe "rinimin" e politikanit Berisha përmes ekspertëve amerikanë të fushatave dhe PR-së”, deklaron Lepaja.
Ai shton se “SHBA e ka ndalë "tagjinë" edhe shoqëria servile që krijonte projekte kot për të marrë fonde për ide kot, veç sa për të hargjuar para tash mund të përballet me origjinën e pasurimit”.