LDK dhe VV në koalicion? Paralajmërim për formimin e Qeverisë Kurti III

Politika

LDK dhe VV në koalicion? Paralajmërim për formimin e Qeverisë Kurti III

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 13 shkurt 2025 Në ora: 16:01
Lumir Abdixhiku dhe Albin Kurti

Gjatë fushatës zgjedhore, Lëvizja Vetëvendosje, e prirë nga kryetari i saj, Albin Kurti, ka aspiruar t’i ketë 500 mijë vota të qytetarëve për mandatin e ri qeveritar, në mënyrë që ta formojë qeverinë e vetme.

Edhe pse procesi i numërimit të votave ende nuk ka përfunduar deri më tani, VV ka mbi 340,000 vota.

Megjithatë, këto vota nuk janë të mjaftueshme për të bërë Qeverinë pa një koalicion.

Në opinionin publik është folur për një koalicion të ri me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Këto dy parti kanë një histori të përbashkët të qeverisjes.

Njohësit e çështjeve politike shprehen se LDK-ja është një opsion i hapur për Lëvizjen Vetëvendosje, për të bërë një koalicion.

Gjithashtu, ata shprehen se fakti që LDK-ja është reformuar dhe riformatimi i saj, së bashku me liderin e ri Lumir Abdixhiku, do të çonin në një bashkëpunim serioz me Kryeministrin Albin Kurti.

"Abdixhiku, garanci e sigurt për një bashkëpunim serioz me Kryeministrin Kurti"

Image
Prof. Dr. Eshref Ymeri

Profesori Eshref Ymeri, në një prononcim për "Bota sot" ka treguar arsyet se pse VV-ja duhet të hyjë në koalicion me LDK-në.

“Normalisht, Vetëvendosja duhet të hyjë në aleancë me LDK-në, sepse LDK-ja është partia veterane e Republikës së Dardanisë. Kjo parti ka pasur në krye Ibrahim Rugovën, i cili e pati ndërkombëtarizuar fatin e popullit dardan deri në forumet më të larta ndërkombëtare. Kjo parti, pas largimit nga jeta të Ibrahim Rugovës, kaloi një periudhë të palakmueshme në historinë e saj. Në krye të saj erdhi Isa Mustafa, një njeri pa kurrizor, i cili hyri në aleancë me Partinë Demokratike të krye tradhtarit Hashim Thaçi. Në kohën e bashkëpunimit me këtë krye tradhtar, agjent të Serbisë fashiste, u nënshkruan marrëveshje varrmihëse për interesat jetike të Republikës së Dardanisë. Ato marrëveshje tradhtarësh, të nënshkruara me Serbinë fashiste, vazhdojnë të peshojnë si një gur i rëndë mbi shpinën e popullit dardan. Është e çuditshme se si është e mundur që treshja udhëheqëse Kurti-Osmani-Konjufca nuk organizoi Referendum mbarë popullor për t’i flakur në pirgun e mbeturinave ato marrëveshje, të nënshkruara tërësisht në dëm të Republikës së Dardanisë”, ka deklaruar Ymeri për “Bota sot”.

Sipas tij, tani LDK-ja është një parti e reformuar, dhe lideri i saj, Abdixhiku, është një garanci e sigurt për një bashkëpunim serioz me Kryeministrin Albin Kurti.

 “LDK-ja tani është një parti e reformuar, e çliruar nga elementë pa taban kombëtar. Ajo ka në krye një intelektual të tillë, si Lumir Abdixhiku, i cili, në këndvështrimin tim, është një figurë politike me brumosje atdhetarizmi, çka është një garanci e sigurt për një bashkëpunim serioz me Kryeministrin Albin Kurti”, ka përfunduar Ymeri.

Profesori Ramabaja: LDK-ja, opsion i hapur për VV-në në një koalicion për Qeverinë Kurti III

Edhe Profesori Sadri Ramabaja, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se LDK-ja mbetet opsion i hapur për VV-në për të bërë koalicion për formimin e Qeverisë Kurti III.

Image
Prof. Sadri Ramabaja

“Opsion i hapur, në rast se VV nuk e bën dot vetë qeverinë”, ka thënë Ramabaja

Po ashtu, ai ka folur edhe për mandatin e Qeverisë Kurti II, ku është shprehur se VV-ja ka promovuar një Kosovë sovrane dhe të pavarur nga ndikimet e jashtme

“VV-ja gjatë mandatit që kaloi promovoi një Kosovë sovrane dhe të pavarur nga ndikimet e jashtme, duke kundërshtuar çdo lloj ndërhyrjeje që mund të cenojë vendimmarrjen kombëtare. Politikat e saj kanë synuar forcimin e shtetit, duke u bazuar në parimin e vetëvendosjes dhe në ndërtimin e institucioneve të fuqishme”, ka vlerësuar ai.

Tutje, profesori ka shtuar se forcimi i VV-së në pushtet shihet si një hap drejt integrimit të shqiptarëve.

“Një nga shtyllat ideologjike të VV-së ka qenë gjithmonë bashkimi kombëtar. Për shumë shqiptarë, sidomos ata që e shohin këtë si një aspiratë historike, forcimi i VV-së në pushtet shihet si një hap drejt integrimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm ose në një bashkëpunim më të ngushtë mes Kosovës dhe Shqipërisë. Mandati i ri i Qeverisë Kurti do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në ndryshimet e pritshme në Tiranë. Këtë duhet shikuar edhe si interes jetik të Kombit, nëse kemi parasysh vizionin e saj politik. Etablimi i saj për katër vitet pasuese në pushtet, do t’i garantone pozicionim më të fuqishëm Kombit që në fillet e procesit të krijimit të arkitekturës së re të sigurisë europiane, që po e imponon epoka e re e perandorive në ngjitje”, ka thënë ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat