Kanë kaluar tashmë 4 ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare. Rezultatet tashmë dihen, ndonëse nuk janë shpallur ende zyrtarisht.
Lëvizja Vetëvendosje ka fituar bindshëm edhe këto zgjedhje, megjithatë për të formuar qeverinë i duhen ende deputet.
Mirëpo, si duhet të shkoj procedura për formimin e qeverisë së re lidhur me këto rezultate që dolën nga zgjedhjet, flet për ‘Bota sot’ avokati dhe juristi, Ardian Bajraktari. Ai thotë se, në lidhje me çështjen e formimit të qeverisë, referuar Kushtetutës dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, veçmas Akgjykimi nr. KO72/20, i vitit 2020 është sqaruar kjo rrethanë.
![Image](/media/botasot.info/images/2025/February/13/auto_17076074265301739474454.jpg)
“Sipas këtij Akgjykimi, sqarohet se për formimin e Qeverisë, Kushtetuta përcakton dy mundësi. E drejta e parë për formimin e Qeverisë, i takon “partisë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë”, përkatësisht partisë politike ose koalicionit fitues të zgjedhjeve. Në këtë rast Presidenti nuk ka diskrecion lidhur me të drejtën e kësaj partie politike ose koalicioni për të propozuar kandidatin për Kryeministër dhe vetëm e mandaton të njëjtin”, thotë Bajraktari.
Avokati thotë më tutje se, ‘në rast të dështimit të zgjedhjes së kësaj Qeverie në Kuvend apo refuzimit të këtij mandati nga partia politike ose koalicioni fitues, e drejta për formimin e Qeverisë, kalon te partia politike ose koalicioni i përfaqësuar në Kuvend, që në diskrecionin e Presidentit, ka gjasat më të mëdha për të formuar Qeverinë në mënyrë që të shmangen zgjedhjet.
“Në rast të dështimit të këtyre dy mundësive, Presidenti/ja duhet t'i shpallë zgjedhjet”, thotë ai.
Poashtu, Bajraktari thotë se vlen të ceket se Akgjykimi sqaron se e drejta për të propozuar mandatarin për Kryeministër është edhe përgjegjësi dhe privilegj.
“Propozimi i këtij emri, ngërthen në vetvete pikën më të lartë të suksesit të një partie politike ose koalicioni brenda një cikli zgjedhor. E drejta e parë për të propozuar kandidatin për Kryeministër i është garantuar partisë ose koalicionit fitues të zgjedhjeve përmes Kushtetutës. Ushtrimi i kësaj të drejte, nuk është i mveshur edhe me autorizimin për të bllokuar formimin e një Qeverie brenda një cikli zgjedhor”, thotë ai.