Rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë krijojnë paqartësi për përbërjen e re në Kuvend, por edhe të qeverisë së re.
Në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje është partia që ka marrë më së shumti vota. Kjo parti ka fituar 40.84 për qind të votave.
Ndërsa, me 22.05 për qind të votave, e dyta u rendit Partia Demokratike e Kosovës, ndërkaq e treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.67 për qind të votave.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë fitoi 7.45 për qind të votave.
Lista Serbe ka fituar 4.55 për qind të votave, që nënkupton shumicën e votave të komunitetit serb në garë me pesë subjekte të tjera politike që garuan për votat e këtij komuniteti.
E kjo përqindje e votave ka pamundësuar që një parti politike të qeverisë e vetme, ku kësisoj duhet të bëhet ndonjë koalicion.
Mirëpo, nga ajo ccka kem dëgjuar deri tani nga përfaqësuesit e subjekteve politike, vështirë të parashikohet se mund të arrihet ndonjë koalicion.
Ku kësisoj, mund të krijohet vonesë në formimin e një qeverie të re.
Duke parë se si po shkojnë zhvillimet në këtë aspekt, nuk mund të përjashtohet një krizë e mundshme institucionale.
Sipas analistëve, kjo gjë është e mundshme, mirëpo ata bënë thirrje se në rast se nuk arrihet ndonjë consensus politik, t’u hapet rrugë zgjedhjeve të reja.
Qarri: Përqindja aq e brishtë e votave, ka prishur çdo llogari të përshtatshme për krijimin e qeverisë se re dhe zgjedhjet e 9 shkurtit
E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.
Si fillim, ai bëri një analizë mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në tërësi, derisa përmendi edhe problemin me numërimin e votave nga ana e KQZ-së.
![Image](/media/botasot.info/images/2025/February/14/auto_gani1739516750.jpg)
“Procesi zgjedhor ditën e votimeve në Kosovë ishte vërtet aq demokratik dhe i lakmueshëm për tu krenuar dhe marrë shembull nga të gjithë, i cili kaloi pa asnjë incident dhe Kosova me të drejtë u përgëzua edhe nga shtetet me traditë, për kulturën e treguar dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në votime, e që mjerisht i hije shumë të keqe, i qiti Komisioni Qendror Zgjedhor me dështimin e pabesueshëm, duke mos qenë në gjendje t’i publikojë me kohë rezultatet e zgjedhjeve për partitë politike, madje platforma online e KQZ-së, vazhdon ende të mbetet herë herë tërësisht jashtë funksionit edhe gati një javë pas mbajtjes së zgjedhjeve në vend.
Në anën tjetër, numrat e votimit, rezultuan në mënyrë aq problematike, sa që kanë koklavitur çdo gjë dhe nuk i garantojnë asnjë partie krijimin e një qeverie të qëndrueshme, përqindja aq e brishtë e votave, ka prishur çdo llogari të përshtatshme për krijimin e qeverisë se re dhe zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk u japin mundësi të pakontestueshme as partive opozitare, për të siguruar një koalicion të qëndrueshëm dhe garantuar qeverisje stabile”, u shpreh ai.
Krahas kësaj, Qarri parashikoi se Kosova është para disa sfidave të mëdha pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, e një prej tyre është formimi i qeverisë së re.
Në këtë pikë përmendi edhe ndikimin e Vuçiqit në zgjedhjet përmes Listës Serbe dhe presionit ndaj serbëve.
“Andaj në gjendjen çfarë ndodhet vendi dhe para sfidave të mëdha, të cilat e presin Kosovën, rrugëdalje nga kjo gjendje, pa trazira e ngërçe dhe shkaktimin e problemeve të stërzgjatura zingjirore, përveç shkuarjes në zgjedhje të reja duket se nuk ka, të cilat do të krijonin pozicion më të qartë politik, do të ishin zgjidhja e të gjitha problemeve aktuale dhe bënin mënjanimin e paqartësive që lanë pas votimet e 9 shkurtit, si dhe mënyra më e mirë që vota e popullit të nxjerrë një forcë të qartë, e cila do të kishte mbështetjen e nevojshme si parti ose koalicion, për të udhëhequr vendin pa problemin e mungesës së numrave dhe pengesave politike në Kuvend.
Madje rezultati i votimeve të fundit në Kosovë, pas katapultimit të dorës së zgjatur të Aleksandër Vuçiqit të ashtuquajturës " listë serbe", pothuajse me rezultate "befasuese" të blera me dinarë dhe imponuar nga serbët e ardhur nga Serbia, duhet të ndikojë e është e domosdoshme që edhe politika e partive shqiptare të reflektojë dhe marrë vendime të arsyeshme për të mirën e vendit dhe të qytetarëve të Kosovës, duke shtri dorën e bashkëpunimit dhe koordinuar veprimet, me bashkimin e forcave partiake, në mënyrë të tejkalimit sa më lehtë dhe me sa më pak dhembje, të sfidave të vështira që na presin dhe vendimeve të mëdha, që duhet ndërmarrë, në mandatin vijues, për shtetin tonë të ri, Republikën e pavarur të Kosovës”, nënvizoi ai.
Në vazhdim, analisti komentoi faktin se si partitë politike po refuzojnë koalicione mes vete, derisa potencoi se duhet të respektohet vullneti i popullit.
Mirëpo, nuk përjashtoi edhe mundësinë për zgjedhje të reja, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje bashkëpunimi mes subjekteve politike.
“Përndryshe në situatën e krijuar kaotike pas votimeve të 9 shkurtit në Kosovë, që për mua, pas "rënies" së serverëve të KQZ, më tepër tingëllojnë si orkestrim i parapërgatitur konspirativ, nga agjentura të dyshimta hibride, jashtë apo edhe brenda vendit, për pamundësimin e qëllimshëm, të kooaliimit të partive shqiptare dhe skenarëve për pengimin e formimit të një qeverisje normale, Kryeministri Kurti , o duhet të tregojë lidership dhe t`ua lë qeverisjen partive opozitare, kurse vet të luftojë nga opozita për betonimin e të arriturave të tij në mandatin e sapo-përfunduar katërvjeçar, dhe mbrojtjen e Kosovës, nga pozicioni i opozitës, prej ndërhyrjeve nga jashtë, ose të fillojnë përgatitje që të shkohet sa më shpejt në zgjedhje të reja, të cilat si duket, pas disa muajsh, edhe ashtu do të bëhen të pa shmangshme me rastin e zgjedhjes së presidentit të vendit.
Derisa rezultatet e votimeve nuk i kanë siguruar numrin solid të votave asnjë partie për të formuar qeverinë e vetme, megjithëse Kurti ka përjashtuar mundësinë e formimit të një koalicioni, siç kanë deklaruar edhe partitë opozitare, pas zgjedhjeve të gjitha palët duhet ti thërrasin mendjes, dhe ta respektojnë vullnetin e sovranit për bashkëpunim, sepse ato nuk janë këtu vetëm për veten, por për interesat e vendit dhe të qytetarëve të Kosovës, ndaj le ti nisin menjëherë negociatat për krijimin e një koalicioni të mundshëm ndërmjet të dy partive kryesore, apo edhe të një koalicion më të gjerë me disa parti, për të formuar një qeveri të qëndrueshme dhe stabile, e cila do të jetë në gjendje tu prijë proceseve të vështira që e presin Kosovën si dhe të marrë vendime të mëdha që duket, se në këtë mandat, do të jenë të domosdoshme apo edhe të patejkalueshme, për të mos thënë edhe nën detyrim, nga pretendimet e faktorit ndërkombëtar, që i shpreh në vijimësi, të paktën deklarativisht”.
Tutje, Qarri u shpreh se një koalicion është i domosdoshëm dhe duhet të ndodhë, në mënyrë që të shmanget kriza institucionale.
“Përqindjet e votave të deleguara për partitë politike, në zgjedhjet e 9 shkurtit, prezumon dhe flet qartë se votuesi i Kosovës, ia ka imponuar faktorit politik, bashkëpunimin në interes të vendit dhe ka determinuar unifikimin e forcave politike, për krijimin e koalicioneve, andaj sado që në këtë fillim duket se ka vështirësi e dyshime mbi bërjen dhe formatin e tyre, koalicioni është i domosdoshëm dhe duhet të ndodhë, në mënyrë që të mos vije deri te shkaktimi i krizave institucionale të cilat nuk janë të mira as të pranueshme për vendin, ndaj subjektet politike, vërtetë nuk duhet të shkojnë deri atje, që para interesave të vendit, të vendosin interesat e veta të ngushta partiake dhe të mos gjejnë gjuhë bashkëpunuese, të cilën e presin qytetarët dhe e kërkojnë urgjentisht nevojat politike për mbarëvajtjen e vendit dhe vazhdimësinë e shtetësisë së Kosovës!”, shpjegoi analisti.
Ndër të tjera, ai shtoi se subjektet politike duhet ta kenë të qartë se gjenden para një sprove historike.
Për këtë, sipas tij duhet të arrihet koordinim mes tyre, ose në të kundërtën t’i hapin rrugë zgjedhjeve të reja.
“Kështu që lidershipi kosovar, duhet të jetë i vetëdijshëm, se gjendet para një sprovimi të madh historik, dhe pikërisht ky është rasti vendimtar kur mos-pajtimet politike e ideologjike, për hir të shtetit dhe qytetarëve të vendit, do duhej të liheshin anash e të shtrihet dora e bashkëpunimit ndërmjet partive shqiptare, për të mbrojtur interesin kombëtar dhe çuar përpara shtetndërtimin e Kosovës, duke pasur parasysh se kësaj radhe vërtetë është momenti historik që përball dialogut me Serbinë dhe defaktorizimin të listës serbe, të liheshin anash të gjitha fërkimet dhe inatet partiake, e të tregohet sadopak patriotizëm ndaj vendit dhe popullit të Kosovës, si dhe të dëshmohet qëndrim minimal shtet formues, nga të gjitha subjektet politike, për miratimin e një koalicioni parimor dhe ndërtimin e një qeverie të qëndrueshme.
Në të kundërtën vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, në mënyrë që nga dora e sovranit, të dalin opsione të qarta, se kush do të mund të udhëheqë në mënyrë të pakontestueshme, në katër vitet e ardhshme, pa ua lënë më, në dorë këtë çështje jetike partive politike, nëse ato edhe në këtë situatë, dëshmojnë se i japin prioritet inatit partiak, dhe interesat e veta të ngushta i kanë vendosur para shtetit dhe popullit të Kosovës”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.
Hertica: Tani veç është krijuar një krizë institucionale, zgjidhja e së cilës varet nga partitë politike që janë në parlament
Ndërsa, analisti politik, Ali Hertica kritkoi procesin e numërimit të votave, e që sipas tij kjo ndikon në vonesën e certifikimit të rezultateve zgjedhore.
![Image](/media/botasot.info/images/2025/February/14/auto_Ali-Hertica1739516750.jpg)
Sa i përket formimit të qeverisë së re, ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se nuk sheh diçka që i ndalon partitë politike të bëjnë koalicione mes vete.
Megjithatë, vlerësoi se vendi po hyn në një krizë institucionale, por që një gjë e tillë mund të shkurtohet.
“Parregullsitë që bëhen në vendvotime, e që kryesisht bëhen për shkak të mos-përgatitjes së mirë të komisionarëve (duke mos përjashtuar edhe parregullsitë e qëllimshme), votat me kusht, ato me postë dhe afatet shtesë për janë elementet kryesore që pamundësojnë që të kemi shpallje të shpejtë të rezultateve.
E gjithë kjo kohë e cila thuajse do kalojë javën dhe ende nuk ka asgjë konkrete dhe definitive, tregon se dikush është duke manipuluar me këto vota, kur dihet se KQZ është deklaruar se janë të numëruar 97% dhe kjo jep sinjal të qartë se këto vonesa janë të qëllimshme…
Unë nuk shoh që mund të ketë ndonjë pikë diskutabile që do të çonte deri te pamundësimi i një koalicioni midis partive politike sepse asnjëra nuk do e mban fjalën e dhënë gjatë fushatës, ku thuhet se kemi vija të kuqe. Kosova mund të konsiderohet tashmë se po përfshihet në një krizë institucionale ende pa u shpallur dhe certifikuar rezultati final i zgjedhjeve parlamentare, mirëpo ka mundësi që të shkurtohet kriza institucionale, duke mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme, në kohën kur po kërkohet strategjia dalëse nga kriza institucionale e shkaktuar nga tërheqja e LDK-së, PDK, AAK prej koalicionit qeverisës”, u shpreh ai.
Gjithashtu, Hertica përmendi mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja, nëse nuk arrihet ndonjë koalcioni, ose nëse Kurti nuk arrin ta bind ndonjë deputet që t’i bashkohet atij.
“Tani veç është krijuar një krizë institucionale, zgjidhja e së cilës varet nga partitë politike që janë në parlament, por jam i bindur që ka mundësi të shkurtohet kriza institucionale në afat kohor që mundet të shkojë deri ne 45 ditë që të shkohet ne zgjedhje, nëse nuk reflektoin opozita apo Kurti mundet ta bind ndonjë deputet që t’i bashkohet nga opozita siç ka ndodh edhe me parë.
E gjitha varet se cilën rrugëdo ta zgjedhin partit opozitare - a do të zgjedhin rrugën që e zgjatë krizën apo që e shkurton krizën? Varet nga partitë politike...që janë në Kuvend, ku do shihet në vijim.
Ndërkohë, strategjia e daljes nga kriza institucionale është ajo që po diskutohet jo vetëm nga subjektet politike në Kosovë, por edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë. Kjo krizë, e cila vazhdon nga shkurtii i vitit 2025, po i dëmton seriozisht proceset e shtet-ndërtimit në Kosovë dhe perspektivën evropiane të saj”.
Në fund, analisti shtoi se mungesa e institucioneve do të reflektojë veçmas në prag të përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit.
Po ashtu, vlerëson se Interesat e qytetarëve të Kosovës nuk duhet të mbahen peng shkak i interesave personale e politike të partive dhe liderëve të caktuarë.
“Pa-aftësia e klasës politike dhe institucionale që të gjejë zgjidhje për krizën e krijuar më së shumti po i dëmton qytetarët e vendit. Nga kjo situatë, Kosova po në këtë vit mbetet pa buxhet të miratuar. Gjithashtu, mungesa e institucioneve do të reflektojë veçmas në prag të përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit, duke përçuar mesazhe jo të mira për ndërtimin e demokracisë dhe funksionimin e shtetit të së drejtës në Kosovë.
Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 nuk i kanë dhënë shumicën e votave asnjërës parti politike për të formuar vetë qeverinë, duke imponuar kështu një qeveri të koalicionit. Interesat e qytetarëve të Kosovës duhet te jenë parësore dhe nuk duhet të mbeten peng i egos dhe lakmisë personale për fuqi të individëve brenda partive politike, e në këtë rast edhe brenda institucioneve të vendit. Prandaj, partitë politike, liderët partiak, përfaqësuesit e dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare, duhet t”i tejkalojnë interesat e tyre, duke drejtuar agjendën kah problemet praktike, që qytetarët e Kosovës përballen për çdo ditë”, përmbylli Ali Hertica për “Bota sot”.