Me 9 shkurt, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare, ndërsa KQZ po përpunon ende rezultatet e këtyre zgjedhjeve.
Me mbi 99 për qind të votave të numëruara deri tani, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti prin me rreth 40 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me rreth 22%, Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 17% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës - Nisma me rreth 7%.
Shifrat, megjithatë, mund të ndryshojnë pas numërimit të votave me kusht dhe të diasporës.
Për formimin e qeverisë së re, partia fituese duhet t’i ketë 61 deputetë, e që aktualisht asnjëra nuk i ka.
Këto zgjedhje u përcollën me reagime të ndryshme, derisa kishte edhe rezultate befasuese nga ky proces zgjedhor.
Kjo, pasi partitë opozitare në fushatat e tyre zgjedhore ishin shumë të zëshëm dhe të bindur se do kishin rritje enorme të votave, mirëpo në gjë e tillë nuk duket se ndodhi.
E për befasinë më të madhe për këto zgjedhje, si dhe ‘humbësin’ më të madh, për “Bota sot” folën analistët politikë.
Halilaj: Siç po duket Albini ka qenë i mëshirshëm kësaj radhe
Avokati Gazmend Halilaj në një prononcim për “Bota sot” foli në lidhje me rezultatet e deritashme zgjedhore.
![Image](/media/botasot.info/images/2025/February/14/auto_7001739523819.jpg)
Ai si befasi e cilësoi rritjen që kanë pasur partitë opozitare, derisa nuk u befasua që menjëherë pas zgjedhjeve opozita filloi me ‘pazaret’ kundër partisë fituese, LVV-së.
“Për mua në këto zgjedhje janë dy çështje kryesore sa i përket partive opozitare!
E para befasi për mua që aq sa janë rrit nga pak përballë një Albin Kurti të forte, kane mundur të kenë rënie se rritje as që bëhet fjalë.
E dyta çështje që s’është fare befasi për mua, është që kanë nis që në orët e para pas zgjedhjeve partitë opozitare ta luajnë lojën e ndytë të pazareve kundër fituesit të këtyre zgjedhjeve”, u shpreh ai.
Krahas kësaj, avokati vlerësoi se humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve është opozita.
Madje, sipas tij, doli në pah qëllimi që të bashkohen dhe ta bëjnë qeverinë, pavarësisht se bashkë nuk kanë vota sa LVV.
“Por siç po duket Albini ka qenë i mëshirshëm kësaj radhe, e ka lënë të ndodh një rënie e lehtë të votës tek vetja e tij për t’i treguar popullit se shihni edhe njëherë opozitën, (edhe pse gati të gjitha bashkë s’kanë vota sa VV), ato ia nisin pazareve të natës duke e llogaritur veten faktor pa qenë hiq!
Dhe humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve është opozita, të gjitha bashkë që po provojnë të bëhen një, dhe tani më ato e kanë kuptuar që e keqja e qeverive të tyre të kaluara e bën Albin Kurti të pathyeshëm edhe për një kohë të gjatë”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.
Preqi: Zgjedhjet kaluan me një notë të lakmueshme ndër më të mirat në rajon
Kurse, opinionisti Dedë Preqi së pari foli mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ku e vlerësoi si shumë pozitive dhe si një proces me integritet zgjedhor.
![Image](/media/botasot.info/images/2025/February/14/auto_7011739523818.jpg)
“Edhe në raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë këto zgjedhje u cilësuan me notë pozitive dhe pa ndonjë problem në mirëvajtjen e tyre, apo pa incidente serioze, që cenon integritetin zgjedhor, dhe ky popull tregoi edhe njëherë pjekuri dhe kulturë zgjedhore, duke dhënë verdiktin e vet me votën e lirë dhe demokratike.
Tani duhet të marrim parasysh se, partia fituese LVV, a do mundet të formojë qeverinë, apo nëse nuk i ka numrat e mjaftueshëm, do duhej të krijojë një ide të qartë rreth natyrës dhe përmasave të krijimit të ndonjë koalicioni ndërpartiak, që të përgjigjet në mënyrë të plotë krijimit të qeverisë”.
Krahas kësaj, tha se befasia më e madhe është LVV ku si asnjëherë më parë komunat kryesore dhe më të mëdha i fitoi me një përqindje shumë ta lartë.
“Në këtë rast disa parti politike, duke rënë në një paqartësi me vetveten, sikur bien në mashtrime dhe e ngrenë pretendimin e një zotërimi që t’i fitojnë këto zgjedhje secila me fuqitë e veta, mirëpo do të ishte gabim, nëse të metat e veta nuk do t’i korrigjonin më herët dhe për të kuptuar më mirë fundin e rezultatit me ç ‘rast asnjëra parti nuk është ndarë e kënaqur.
Por befasia më e madhe është kur LVV, pothuajse si asnjëherë tjetër i ka fituar këto zgjedhje në shumicën e komunave të mëdha, si në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Mitrovicë, Pejë dhe Podujevë, që nuk është vetëm sinonim i zhvlerësimit dhe rënës së votës, por flitet për liderët e udhëheqjes së tyre për të krijuar një mjedis më të përshtatshëm dhe format të jetës brenda këtij organizimi”.
Po ashtu, opinionisti potencoi se si partitë opozitare kanë rënë pre e ambicieve të tyre për pushtet, ku me çdo kusht i kundërvihet fitores së këtyre zgjedhjeve
“Pyetjes, se kush i fitoi këto zgjedhje, padyshim se do ti përgjigjemi me emrin « populli », por në aspektin ndërpartiak e para ka dalë LVV, në krye me Albin Kurtin. Mirëpo edhe kjo nuk ka fituar e tëra, nëse në realitet nuk fiton populli i Kosovës, që nënkupton në rend të parë, mirëqenie, stabilitet dhe zhvillim ekonomik.
Dhe e njëjta pyetje i drejtohet edhe vetë votuesve të këtyre zgjedhjeve se për kë do të ishte orientuar vota e tyre, sepse do të ishte shumë e rëndësishme ndoshta si asnjëherë tjetër në Kosovën e pasluftës, edhe pse opozita shihet qartë se ka rënë pre e ambicieve të saj për pushtet, e cila me çdo kusht i kundërvihet fitores së këtyre zgjedhjeve, kur vetë populli shumicë ka vendosur në këtë mënyrë”, nënvizoi ai.
Ndër të tjera, shtoi se befasitë ndodhën edhe me partitë opozitare, ku në këtë pikë përmendi LDK-në e cila nuk fitoi asnjë komunë.
“Padyshim se, Kosova gjindet para diçkaje, që kërkon shumë angazhim me gjitha forcat e veta të pozitës dhe opozitës, që të jetë e aftë për të prodhuar një efekt më të fuqishëm dhe të rëndësishëm për zhvillimin e vendit të vet, poashtu duke e kuptuar edhe çështjen e pa zgjidhur që ka Kosova me Serbinë, dhe ndër të tjera edhe trysnia ndërkombëtare është prezente, që ka Kosova, për ta përfunduar sa më parë një çështje të tillë.
Një befasi e madhe në këto zgjedhje, pothuajse ndodhi te të gjitha partitë si ato të opozitës, poashtu edhe te pozita, mirëpo ndër të tjera do të veçonim LDK, e cila nuk fitoi në asnjë komunë, që meriton të diskutohet më shkoqur Rruga e saj e re, në krye me Lumir Abdixhiku, i cili me oratorinë e tij të moderuar, që do ia linte vetës meritat e mëdha dhe të veçanta, duke rezultuar në këtë mënyrë të pa kënaqshme në vendin e tretë, dhe jo më si më parë, që ishte e para”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.