Kur janë bërë pesë ditë nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, pikëpyetje të shumta janë duke shoqëruar skenën politike në Kosovë dhe po ashtu edhe opinionin.
Nga ajo që shihet deri tash, Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin t’i bëjë votat e mjaftueshme për ta formuar qeverinë e re vetë.
Kjo ka bërë që në opinion të ngrihen hipoteza të shumta për atë se cila nga subjektet opozitare mund të qeverisë në një koalicion me Kurtin dhe koalicionin e tij me Guxo dhe Alternativën.
PDK, LDK dhe AAK janë tri partitë më të përfolura këto ditë për një koalicion të mundshëm qeverisës me Vetëvendosjen. Por, ato (sidomos AAK dhe PDK) deri tash kanë shfaqur preferenca që të bëjnë një qeveri të opozitës.
Ndërkohë, LDK-ja po konsiderohet si një partner i dëshirueshëm për Lëvizjen Vetëvendosje nga simpatizantët e kësaj të fundit, ani pse këto dyja nuk është se kanë një histori të mirë me njëra-tjetrën sa i përket bashkëqeverisjes.
Në një prononcim të tij për gazetën "Bota Sot", profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dr. Enver Bytyçi, ka analizuar pikërisht situatën politike të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe mundësitë për një koalicion të ardhshëm me Vetëvendosjen.
Ai thekson se LDK, e cila ka pasur një histori të gjatë të koalicioneve me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), ka pësuar disfata dhe ka humbur mundësinë për reforma të thella brenda partisë, duke shndërruar vetveten në një forcë politike më shumë institucionale se sa transformuese.
![Image](/media/botasot.info/images/2025/February/14/auto_enver1739530676.jpg)
“Lidhja Demokratike e Kosovës është një parti politike me eksperiencë në qeverisjen e Kosovës. Ndryshe është quajtur edhe si parti institucionaliste. Ky fakt e ka shtyrë atë që të jetë gjithnjë e gatshme të bëhet pjesë e koalicioneve qeverisëse në Kosovë, sidomos me Partinë Demokratike të Hashim Thaçit. Fatkeqësisht, aq shumë u përsërit kjo, sa opinioni publik e perceptoi si „shtojcë“ të PDK-së. Duke qenë se LDK u bë vazhdimisht pjesë e qeverisjes në Kosovë, ajo nuk pati shansin të reformohet vazhdimisht dhe në funksion të rritjes së saj. Çdo parti politike ka nevojë të bëjë opozitën me qëllim që të mundësojë transformimin e saj në një subjekt të aftë e të besueshëm për qeverisjen e mëvonshme. LDK e harroi këtë parim. Këto katër vite që shkuan janë vitet e opozitës së saj.
Nga ana tjetër, LDK ka pësuar shumë disfata në koalicionin e saj me PDK-në. Ka përjetuar pabesi të shumta. Le ta kujtojmë Zanzibarin, kur në orën 1 pasmesnate u njoftua nga Thaçi prishja e koalicionit me LDK-në. Por të nesërmen u penduan me qëllim që pas pak kohësh të arrinin ta shkarkonin Fatmir Sejdiun nga detyra e kreut të shtetit. Megjithatë, sërish LDK, tashmë me Isa Mustafën, u bë bashkë me PDK-në e Hashim Thaçit. Nuk iu ndanë njëri-tjetrit derisa krijuan në vitin 2019 koalicionin LDK-Vetëvendosje. PDK dhe AAK dolën në opozitë. Dihet tashmë se si përfundoi ky koalicion qeverisës. Ministri i Brendshëm i LDK-së mbështeti kërkesën e presidentit Thaçi për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme me pretekst COVID-19 dhe eliminimin e kompetencave të qeverisë. Qëllimi ishte t’i hapej rruga nënshkrimit të marrëveshjes për ndarjen e Kosovës, të cilën kryeministri e kundërshtoi. Për pasojë, krizë qeveritare, prishje e marrëveshjes së bashkëqeverisjes dhe qeveri e re. Sërish, LDK nuk u bë rehat. Krijoi koalicion me PDK-në dhe Abdullah Hotin kryeministër. Zoti Hoti ishte një kryeministër i suksesshëm në ekonomi, por jo aq në fushat e tjera. Megjithatë, gjithçka përfundoi, kur koalicioni Kurti-Osmani mori mbi 50 përqind të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021,” kujton profesori.
Megjithatë, Bytyçi sugjeron se LDK mund të ketë një rol të rëndësishëm në krijimin e një qeverie të qëndrueshme me Vetëvendosjen, duke përmendur mundësitë që ky koalicion mund të ofrojë për stabilitetin politik dhe zhvillimin e Kosovës.
“Tani jemi në kushte të reja. Zgjedhjet e 9 shkurtit të kaluar provuan se Vetëvendosja së bashku me listën Guxo dhe Alternativën nuk e krijojnë të vetme qeverinë, edhe pse kanë fituar vota gati sa të tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK. Do të duhet që zoti Kurti të krijojë një koalicion. Kush mund t’i bashkohet atij? Teorikisht mund t’i bashkohen dhjetë deputetë të minoriteteve jo-serbe plus një deputet serb që përfaqëson një parti politike, e cila njeh shtetësinë dhe institucionet e Kosovës. Por këta janë vetëm 11. Edhe nëse VV do të merrte 49 deputetë pas numërimit të votave të diasporës, sërish as teorikisht ajo nuk bën shumicën absolute prej 61 deputetësh. Mbetet që njëra nga tri partitë shqiptare të opozitës t’i bashkohet Vetëvendosjes për krijimin e qeverisë së re. Do të ishte krejt normale që Lidhja Demokratike të ishte kjo parti. LDK ka krijuar një precedent mosbesimi ndaj Vetëvendosjes dhe zotit Kurti, por asokohe nuk ishte Lumir Abdixhiku kryetar i saj,” nënvizon ai.
Ai thekson se, pavarësisht nga pasiguria e kaluar, LDK ka disa arsye të forta për të mbështetur një bashkëqeverisje me Kurtin dhe Vetëvendosjen.
“Pavarësisht kësaj, kryetari aktual do të duhet të marrë një zotim publik, se nuk do të shkaktojë krizë qeverisëse. Abdixhiku dhe LDK kanë disa arsye që të motivohen për bashkëqeverisje me Kurtin. Së pari, se kjo parti do të duhet ta tërheqë zonjën Osmani, qoftë edhe pas gjashtë vitesh të shkojë te partia e saj. Dhe këtë mund ta bëjë duke propozuar që presidentja aktuale, Osmani, ta vazhdojë detyrën e saj edhe një mandat të dytë. Me këtë veprim LDK bën që presidentja të rikthehet e njëkohësisht garanton një bashkëqeverisje të suksesshme. Së dyti, sepse LDK, duke marrë pjesë në këtë koalicion qeverisës, mënjanon nevojën e një diskutimi dhe përçarjeje potenciale për humbjen që pati. Së treti, sepse LDK me eksperiencën e saj qeverisëse ekulibron disa politika majtiste, sidomos në zhvillimin e ekonomisë e të mirëqenies, të cilat janë shfaqur gjatë qeverisjes së kaluar të zotit Kurti,” nënvizon Bytyçi.
Ai shprehet se ideologjikisht Vetëvendosja mund të bëjë koalicion me PDK-në, por se Kosova ka nevojë për politika të qëndrueshme zhvillimi dhe kombinimi LDK-VV do të ishte më shumë produktiv.
“Mendoj se PDK do të donte të krijonte qeverinë e saj me zotin Kurti në këmbim të postit të presidentit. Megjithatë, e përsëris, Kosova ka nevojë si për VV, edhe për LDK-në. Është në treg edhe AAK. Zoti Haradinaj duhet të jetë i gatshëm të hyjë në qeveri, nëse i premtohet posti i presidentit. Por VV me AAK-në nuk garanton 80 deputetë pjesëmarrës në sallën e mbledhjes plenare për zgjedhjen e presidentit. Për pasojë, Kosova do të shkonte automatikisht në zgjedhje të reja. Për të gjitha këto arsye, kalkulimi më i mirë mbetet një qeveri e përbashkët LDK-Vetëvendosje,” përfundoi profesori Bytyçi.