“Jo nga ky rezultat i paqartë zgjedhor”, profesori amerikan tregon çka e pret Kosovën pas zgjedhjeve

Politika

“Jo nga ky rezultat i paqartë zgjedhor”, profesori amerikan tregon çka e pret Kosovën pas zgjedhjeve

Nga: N.E Më: 14 shkurt 2025 Në ora: 20:55
Daniel Serwer

Lëvizja Vetëvendosje është partia e cila ka fituar votat e shumicës për të formuar qeverinë. Ndryshe nga vitit 2021, zgjedhjet e së dielës ia imponojnë Lëvizjes Vetëvendosje të ketë negociata e koalicion.

Por, cilat janë procedurat deri te zgjedhja e Qeverisë së re?

Kuvendi duhet të konstituohet pasi të jenë certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Pika 1 e nenit 66 të Kushtetutës thotë se Kuvendi zgjidhet në seancën konsistuive e cila “mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”.

Presidentja Vjosa Osmani “e thërret seancën e parë të Kuvendit”, sipas pikës 3 të të njëjtit nen. Nëse ajo nuk është në gjendje ta bëjë këtë, “Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e Presidentit”, thotë Kushtetuta.

Seanca e parë udhëhiqet nga deputeti më i vjetër dhe ai më i riu në sallën e Kuvendit.

Kryetarin e Kuvendit e propozon grupi më i madh parlamentar, siç përcaktohet në nenin 67. Ai zgjidhet me shumicë të votave të të gjithë deputetëve (61 nga 120).

Deputetët duhet t’i zgjedhin edhe 5 nënkryetarë të Kuvendit, 3 prej të cilëve propozohen nga tri grupet më të mëdha parlamentare, kurse dy nga komunitetet joshumicë.

Ndërsa legjislatura e re e Kuvendit detyrë të radhës ka zgjedhjen e Qeverisë, presidentja i fton partitë politike parlamentare për konsultime.

Ajo më pas, siç parasheh pika e parë e nenit 95 të Kushtetutës, “i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë”.

Kandidati i caktuar për formimin e qeverisë më pas duhet ta paraqesë përbërjen e Qeverisë para deputetëve “jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë”, pasi të jetë mandatuar, thotë pika e dytë.

Sikurse edhe kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët, Qeveria zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve (61 nga 120).

Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk e merr shumicën e votave të nevojshme, presidentja “brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë”, parasheh Kushtetuta.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë presidentja “i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thotë pika 4 e nenit 95 të Kushtetutës.

Në një kontekst më të gjerë pas zgjedhjeve në Kosovë, ka folur profesori në Universitetin amerikan dhe vëzhgues i zhvillimeve politike në Ballkanit Perëndimor, Daniel Serwer.

Ai të ardhmen e Kosovës e sheh nga ajo se çka ndodh përtej kufijeve të saj, sesa nga ky rezultat i paqartë zgjedhor.

“Konteksti më i gjerë! E ardhmja e Kosovës sot varet më shumë nga ajo që ndodh përtej kufijve të saj sesa nga ky rezultat i paqartë zgjedhor. Ric Grenell, ish i dërguari i Trump, po u thotë të gjithëve në Ballkan se ai do të jetë sërish në krye të rajonit. Ai e urren Kurtin. Herën e fundit ai u përpoq të ndante Kosovën. Me shumë mundësi ai do të provojë përsëri. Ose të paktën të insistoni në vetëqeverisjen e serbëve në veri që cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Dhe ai do të kontrollojë anëtarësimin në NATO si një shkop. Ai gjithashtu do të përdorë ndihmën e USAID-it, e cila do të duhet të shkrihet”, shprehet Serwer.

Si parasheh që Rusia dhe Serbia ta inkurajojnë Republikën Srpska të shkëputet nga Bosnja dhe Hercegovina dhe përpjekje për ta marrë veriun e Kosovës.

“Edhe pa shtyrjen amerikane për ndarje, çdo diskutim për ndarjen e Ukrainës do të hapë çështjen në Ballkan. Rusia dhe Serbia do të inkurajojnë Republikën Srpska të shkëputet nga Bosnja dhe Hercegovina. Ata gjithashtu do të përpiqen që veriu me shumicë serbe të largohet nga Kosova. Moska dhe Beogradi do të kuptojnë se SHBA dhe BE do të jenë të papërgatitur për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të secilit vend. Ndërsa administrata Trump është një lajm i keq për Kosovën, po ashtu janë edhe zgjedhjet e ardhshme në Evropë. Forcimi i mëtejshëm i së djathtës në Gjermani këtë muaj do të stimulojë zgjerimin e BE-së, tashmë të ngadalësuar në një zvarritje”, deklaron profesori.

Në fund, ai konsideron se Kosova është shembull i demokratizimit të suksesshëm në Ballkan.

“Kosova është një shembull i mirë i demokratizimit të suksesshëm në Ballkan. Por është gjithashtu e ndërlikuar, si nga brenda ashtu edhe në kontekstin më të gjerë gjeopolitik”, përfundon Serwer.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat