Të hënën që e lëmë pas, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është arrestuar nga SPAK.
Ai akuzohet për për veprat penale të "korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë", në 9 raste si dhe "pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Arrestimi i tij ka sjellë reagime të ndryshme në Shqipëri, opozita atje ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, madje në një seancë të mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë, ka pasur edhe tensione po për shkak të kësaj çështjeje.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka kërkuar që dorëheqjen e Ramës dhe ka shtuar se arrestimi i Veliajt do të pasohet nga të tjera zhvillime.
Tensionet në Kuvendin e Shqipërisë, erdhën edhe pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, një natë pas arrestimit i kishte dalë në mbrojtje Erion Veliajt.
Sipas tij, SPAK-u ka lënë kryeqytetin pa kryebashkiak.
Në anën tjetër, një natë pas arrestimit Rama i del në mbrojtje Erion Veliajt për shkak se sipas tij, SPAK-u ka lënë kryeqytetin pa kryebashkiak.
“U ekzaltuan nga arrestimi i Erionit dhe u turrën për të kërkuar dorëheqjen time. Jo vetëm oxhaku i vjetër me blozë i bufit të kënetës, U përndezën nga era e mishit me gjak dhe vijnë kërkojnë dorëheqjen time. Se u bë deti kos dhe o burra të shkojmë tek kryeministria. Ajo që ishte intersante ishte ekzaltimi nga arrestimi i Erionit. Madje jo vetëm oxhaku i vjetër i partisë së bufit të kenetës, por edhe ato që të re kanë vetëm moshën e kryetarit të tyre.
U bë deti kos dhe o burra të hidhemi te kryeministria. Marrja e kryebashkiakut nga puna për ta mbyllur pa gjyq në qeli, ishte e çuditshme. Sot kanë lënë një qytet me 1 milionë banorë pa kryebashkiak, është një ngjarje tejet e madhe që s’mund ta kaloj pa koment. unë nuk do ti mbaj me për vetë opinionet e mia, kur ta shof të arsyeshme për ti ndarë me publikun.
Drejtësi me standarde të paqortueshme evropiane. U bë 5 vjet që flasin të tërë për ato që bëjnë parakalimin te Stacioni i Trenit atje. Heshtja jonë për këto i ka ndihmuar institucionet e drejtësisë. Deri sot sepse sot institucionet e drejtësisë përballen me publikun që mezi ka pritur ditën që të arrestohen njerëz të pushtetit politik, ose sulme barbare të udhëhequr nga armiqtë e reformës në drejtësi”, ka thënë Rama.
Analisti Eduard Gashi, çështjen e arrestimit të Erion Veliajt e konsideron komplekse.
Ai ka shtjelluar për “Bota sot”, disa aspekte larg emocioneve politike.
“Kjo çështje është komplekse dhe duhet trajtuar me një analizë të ftohtë, larg emocioneve politike apo preferencave partiake. Po e shtjelloj në disa aspekte: 1. Arrestimi i Erion Veliajt – Një goditje reale apo një lëvizje taktike? Arrestimi i një kryebashkiaku ka gjithmonë implikime të mëdha politike dhe institucionale, sidomos kur bëhet fjalë për Tiranën, e cila është zemra politike dhe ekonomike e Shqipërisë. Nëse ky arrestim është një veprim realisht i bazuar në prova dhe në sundimin e ligjit, atëherë tregon se drejtësia po funksionon dhe askush nuk është mbi ligjin. Nga ana tjetër, nëse është një manovër e orkestruar për qëllime politike, për të devijuar vëmendjen ose për të ndërtuar një narrativë të re për Edi Ramën para zgjedhjeve, atëherë kemi të bëjmë me një strategji të pastër politike. Në Gjermani, politikanë të kalibrit të Markus Söder do të kërkonin qartësi dhe transparencë, pa dalë në konkluzione të shpejta. Ata do të theksonin se prezumimi i pafajësisë është i panegociueshëm dhe se çdo akuzë duhet të vërtetohet përmes hetimeve të pavarura”, thotë Gashi.
![Image](/media/botasot.info/images/2025/February/15/auto_eduard-gashi.1024x10241739610327.jpg)
Ai nuk përjashton mundësinë që Rama të përdorë këtë situatë për të marrë kontrollin e narrativës politike.
“ A është kjo një lëvizje e Ramës për të përfituar politikisht? Nuk është përjashtuar mundësia që Rama të përdorë këtë situatë për të marrë kontrollin e narrativës politike. Nëse arrestimi i Veliajt do të shërbejë si një mënyrë për të krijuar distancë midis tij dhe elementëve të komprometuar të Partisë Socialiste, atëherë kjo mund të jetë një lëvizje e mirë kalkuluar. Një skenar tjetër është që kjo të përdoret për të shpërqendruar vëmendjen nga skandale të tjera ose për të krijuar një imazh të një qeverie që vepron kundër korrupsionit, duke forcuar kështu pozitat e PS-së para zgjedhjeve. Në kontekstin e Gjermanisë, një lider si Söder do të kërkonte që hetimi të bëhej nga një komision i pavarur dhe të mos kishte ndikim politik nga qeveria. Gjithashtu, do të insistonte që zgjedhjet të mos ndoten nga veprime të tilla që mund të perceptohen si të motivuara politikisht”, shprehet analisti.
Kërkesën e opozitës për dorëheqje të Ramës, Gashi e sheh si praktikë të zakonshme në Ballkan, por sipas tij, pa fakte konkrete ajo mbetet thjesht një manovër politike.
“ A duhet të japë dorëheqje Edi Rama? Në demokraci, dorëheqja e një kryeministri kërkohet vetëm nëse ka prova të qarta që ai është përfshirë në korrupsion ose ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në shkeljet që akuzohen. Kërkesa e opozitës për dorëheqje është një praktikë e zakonshme në Ballkan, por pa fakte konkrete, ajo mbetet thjesht një manovër politike. Në Gjermani, një kancelar nuk do të largohej thjesht mbi bazën e kërkesave të opozitës pa një hetim të plotë dhe fakte të forta. Përkundrazi, do të insistonte në funksionimin e institucioneve dhe një hetim të pavarur që do të nxirrte në dritë të vërtetën. 4. Pavarësia e pushteteve dhe nevoja për institucione të forta Nëse një kryeministër ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi ekzekutivin dhe gjyqësorin, atëherë kemi një problem serioz institucional. Shqipëria ka nevojë për një drejtësi të pavarur, e cila nuk funksionon sipas interesave të një partie apo një lideri të vetëm. Në Gjermani, një lider si Söder do të theksonte rëndësinë e komisioneve hetimore dhe transparencës institucionale, duke insistuar që çdo vendim të merret mbi bazën e fakteve dhe jo e kalkulimeve politike”, thekson Gashi.
Në fund, ai kërkon prova, gjykim përfundimtar dhe nevojën për institucionet e forta dhe të pavarura në Shqipëri.
“Konkluzioni • Arrestimi i Veliajt duhet të trajtohet me seriozitet, por pa paragjykime. • Derisa të ketë një gjykim përfundimtar, duhet të ruhet prezumimi i pafajësisë. • Nëse ka prova të forta për përfshirje në korrupsion, atëherë ligji duhet të veprojë ndaj çdo individi, pavarësisht postit. • Kërkesa për dorëheqje të Ramës pa fakte konkrete është më shumë një taktikë politike sesa një domosdoshmëri ligjore. • Shqipëria ka nevojë për institucione të forta dhe të pavarura që garantojnë një demokraci funksionale dhe të besueshme, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Le të flasin faktet, jo emocionet politike. Transparenca dhe shteti ligjor janë më të rëndësishme se kalkulimet elektorale”, përfundon analisti.