Me 9 shkurt, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare.
Në bazë të 99 për qind të votave të numëruara deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti ka më së shumti vota, përkatësisht i ka 47 ulëse nga 120 vendet parlamentare - megjithatë, jo mjaftueshëm për të formuar qeverinë e vetme.
Sipas rezultateve preliminare, Partia Demokratike e Kosovës pritet t’i ketë 25 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 dhe koalicioni i mbledhur rreth Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës 8.
Këto shifra me shumë gjasë do të ndryshojnë pas numërimit të votave me kusht dhe të diasporës.
Derisa KQZ po përpunon ende rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, nuk dihet ende se si do formohet qeveria e re, madje pritet të ketë vonesë në këtë pikë.
Duke marrë parasysh këtë gjë, hidhe dyshime se Serbia do synojë të përfitojë nga koha deri të formohet Qeveria e re e Kosovës, për të destabilizuar pjesën veriore.
E për këtë, ekspertët e sigurisë parashikuan se si pritet të jetë situata e sigurisë deri në formimin e qeverisë së re, dhe nëse vonesa e saj do ndikojë në këtë aspekt.
Shala: Çdo përpjekje e tillë për destabilizim do të varet shumë nga dinamika ndërkombëtare dhe reagimet e aktorëve të tjerë kyç, si BE dhe SHBA
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala tha se është normale të ngriten dyshime mbi stabilitetin dhe sigurinë, pas zgjedhjeve parlamentare.
Ai këtë e ndërlidhi edhe me mundësinë e ndërhyrjes së Serbisë dhe mundësisë për të përfituar nga koha deri të formohet qeveria.

“Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe mundësisë së një periudhe të pasigurtë politike për shkak të asaj që asnjë parti nuk ka arritur shumicën, është natyrale që të lindin pyetje rreth stabilitetit dhe sigurisë, veçanërisht në një rajon kaq të ndjeshëm si Kosova.
Për sa i përket pyetjes tuaj në lidhje me Serbinë dhe mundësinë për të përfituar nga periudha e pasigurisë, kjo është një çështje delikate. Serbia ka demonstruar historikisht një interes për të ndikuar në zhvillimet në Kosovë, veçanërisht në veriun e Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe.
Megjithatë, çdo përpjekje e tillë për destabilizim do të varet shumë nga dinamika ndërkombëtare dhe reagimet e aktorëve të tjerë kyç, si BE dhe SHBA, të cilët janë të angazhuar për ruajtjen e stabilitetit në rajon. Po ashtu, çdo tentativë për të përshkallëzuar tensionet mund të ndeshet në përpjekje të tjera të menaxhimit të krizës nga ndërkombëtarët dhe autoritetet kosovare, duke minimizuar mundësitë për veprime të dëmshme”.
Po ashtu, çdo periudhë pas zgjedhjeve, kur ka mungesë të stabilitetit poliitke, atëherë rriten edhe mundësitë për destabilitet të sigurisë.
“Sa i përket situatës së sigurisë deri në formimin e qeverisë së re, mund të themi që çdo periudhë pas zgjedhjeve, sidomos kur ka pasiguri dhe mungesë stabiliteti politik, mund të krijojë mundësi për përpjekje destabilizuese, jo vetëm nga Serbia, por edhe nga akterë të tjerë të interesuar për të krijuar përçarje.
Pasiguria politike gjithashtu mund të ndikojë negativisht në rendin dhe ligjin brenda Kosovës, duke bërë që autoritetet të kenë vështirësi në përballimin e sfidave që lindin, përfshirë ato të sigurisë”, nënvizoi ai.
Ndër të tjera, eksperti i sigurisë, përmendi disa faktorë nga të cilët varet siguria e vendit.
“Vonesa në formimin e qeverisë mund të krijojë mundësi për aktorët që të shfrytëzojnë këtë periudhë për të pasur më shumë mundësi për ndërhyrje, por kjo gjithashtu varet shumë nga forcimi i institucioneve të Kosovës, si dhe angazhimi ndërkombëtar.
Nëse forcat e sigurisë dhe institucionet e Kosovës janë të gatshme të mbajnë rendin dhe stabilitetin, kjo do të ndihmojë në parandalimin e zhvillimeve negative.
Në fund, siguria do të varet nga disa faktorë të ndërthurur: gatishmëria e institucioneve të Kosovës për të menaxhuar krizën politike, mbështetja ndërkombëtare, dhe ndikimi i faktorëve të jashtëm, si Serbia dhe aktorët tjerë”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.
Softa: Ky moment delikat, është shqetësues dhe kjo është një arsye më shumë e deklaratave të shefit të NATO-s, por dhe sinjaleve nga EU
E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Fatjon Softa.
Së pari, ai tha se çështje me rëndësi pas mbarëvajtjes së procesit zgjedhor është edhe formimin i qeverisë.

Sipas tij, vonesat në këtë aspekt, mund të ndikojnë edhe në destabilizimin e situatës së sigurisë.
“Zgjedhjet në Kosovë dhe stabiliteti i saj, deri në krijimin e qeverisë së re të dalë nga nje proces i rregullt demokratik, ka marrë vëmendjen dhe shqetësimin e EU, si dhe një deklarim nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Mark Rutte, i cili ka folur për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Ai theksoi nevojën emergjente të krijimit të qeverisë së re, dhe sipas tij do të bashkëpunojnë me këdo që do të jetë në krye të qeverisjes.
Mungesa e një shumice nga Kurti, për të krijuar i vetëm qeverinë, kërkon një koalicion të nevojshëm. Deklaratat e palëve për të mos krijuar koalicion mes palëve me Kurtin, është një shqetësim i ndërkombëtarëve për mungesë stabiliteti që në rastin më të keq do e çojë përsëri Kosovën në zgjedhje të reja dhe në rastin më të afërt në zgjedhjen e Presidentit, që kërkon një shumicë të cilësuar”, nënvizoi ai.
Krahas kësaj, potencoi se shteti serb mund të jetë i interesuar për të shkaktuar kriza në veri të Kosovës, vetëm për të tërheq vëmendjen nga protestat e brendshme.
“Beogradi, i përfshirë në një presion nga protestat është i interesuar ta transferojë krizën e brendshme në veri të Kosovës, për të marrë vëmendjen e faktorit të brendshëm, por dhe të ndërkombëtarëve që nuk duan tensione dhe mungesë stabiliteti në Ballkan. Ky moment delikat, është shqetësues dhe kjo është një arsye më shumë e deklaratave të shefit të NATO-s, por dhe sinjaleve nga EU. Kërkohet një përgjegjësi e spektrit politik kosovar, të jenë mbi interesin partiak”, përfundoi Fajton Softa për “Bota sot”.