“Lufta” e Richard Grenellit ndaj Albin Kurtit/ Profesori jep lajmin e madh: Administrata Trump nuk...

Politika

“Lufta” e Richard Grenellit ndaj Albin Kurtit/ Profesori jep lajmin e madh: Administrata Trump nuk...

Nga: P.R Më: 16 shkurt 2025 Në ora: 09:59
Grenell, Kurti - foto ilustrim

Ish ambasadori dhe i dërguari i presidentit Donald Trump në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grennell vazhdon të merret me Kosovën. Më saktë Grenell po merret ende me kryeministrin, Albin Kurti. Gjatë dy javëve të fundit të fushatës elektorale ai iu përgjigj dhe replikoi me deklaratat e Albin Kurtit, sikur të ishte pjesë e kësaj fushate dhe opozitar i kryeministrit Kurti. Në fakt ai vazhdon të jetë në SHBA, madje me një detyrë që bie në konflikt interesi kur flet për një kryeministër të një vendi si Kosova.

E lidhur me këtë, profesor, doktor Enver Bytyçi thotë se deklaratat, kritikat dhe replikat e Grennell në adresë të Kosovës patën objekt kryeministrin e saj dhe patën disa karakteristika interesante.

"Së pari, vihet re se këto replika, kritika dhe deklarata ishin personale. Pse? Sepse ambasadori Grennell nuk përmendi asnjëherë faktin se fliste në emër të institucionit që përfaqëson. Sepse ai kritikoi Kurtin edhe për marrëdhëniet e këqija të tij, siç tha Grennell, me administratën e mëparshme, Biden. Ndërkohë që marrëdhënia e vështirë me administratën Biden, mund ta lehtësojë aleancën me administratën Trump. Së dyti, ambasadori Richard Grennell pati si karakteristikë reagimin e kritikat e tij në dhjetë ditët e fundit të fushatës elektorale. Kjo është periudha kur mund të ndikohej më së shumti në këtë fushatë, kur Kurti mund të dëmtohej seriozisht në elektoralisht. Nuk e di nëse ai e realizoi këtë synim, pasi kam pasur mendimin se sulmet e Grennell kundër Kurtit vetëm se mund ta rrisnin peshën politike të këtij të fundit", shprehet Bytyçi.

Ai thotë se qëllimi duket se ishte qartësisht të dëmtojë fitoren e kryeministrit Kurti.

"Me këtë rezultat zgjedhor shumë prej opozitarëve të kryeministrit të Kosovës besojnë se mungesa e fitores absolute të Vetëvendosjes ishte produkt i kritikave të zotit Grennell. Së treti, Kritikat dhe reagimet e ambasadorit Richard Grennel kundër kryeministrit Kurti u bënë me qëllim që të ndihmohej opozita e Kosovës në rezultatin zgjedhor të 9 shkurtit të shkuar. E vërteta është se PDK u rrit me rreth 4 përqind dhe LDK me rreth 3 përqind, krahasuar me zgjedhjet e 14 shkurtit 2021. Por nuk besoj se kjo rritje ishte e ndikuar nga deklaratat e Grennell në mbështetje të tyre. Nga fushata elektorale kam patur mendimin se LDK do të kishte më shumë vota, sesa ato që mori në fakt. Megjithatë kritikat e Grennell kundër Kurtit u përhapën shumë përmes medieve pranë opozitës në Kosovë", nënvizon Bytyçi.

"U propaganduan si kritika, me të cilat “Kurti po na prish me aleatin tonë kryesor” e për pasojë “ai është i papërshtatshëm për ta drejtuar Kosovën e për të marrë vendime në emër të saj”! Së katërti, ato kritika u motivuan edhe nga eksperiencat e mëparshme në marrëdhëniet e zotit Grennell me palët politike në Kosovë. Fakti që ai në bashkëpunim me Hashim Thaçin – atëherë president i Republikës së Kosovës - rrëzuan në fillim të vitit 2020 qeverinë Kurti 1, bën të besosh se kritikat e periudhës së muajit janar-shkurt 2025 ishin vazhdim e asaj politike që u ndoq asokohe. Motivi i rrëzimit të qeverisë Kurti 1 ishte realizimi i projektit të Serbisë për ndarjen e Kosovës, ndërsa zoti Kurti ishte kundër këtij projekti. Motivi i kritikave të sotme ka gjasa të kenë si objektiv sërishmi realizimin e të njëjtit projekt", shton profesor, doktor Enver Bytyçi.

Më tej, Bytyçi thotë se administrata e re amerikane nuk do ta rikthejë idenë e korrigjimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

"Por duhet parë kjo, sepse për funksionet që presidenti Trump i ka dhënë zotit Grennell, nuk më rezulton se administrata e sotme amerikane do ta rikthejë idenë e ndryshimit të territoreve përmes ndryshimit të kufijve. Gjithsesi duhet shumë kujdes në këtë çështje. Pavarësisht se sovraniteti i shtetit është shtrirë në veri të Kosovës, sërishmi mund të ketë tentativa për t’i rikthyer institucionet serbe në këtë territor. Së pesti, me shumë gjasa zoti Grennell e sheh si detyrim moral ose edhe material përkrahjen e një force politike, të cilën e ka themeluar miku i tij, Hashim Thaçi. Ai shpesh është deklaruar se do të bëjë përpjekje për ta mbyllur Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë dhe ta lirojë Hashimin dhe të tjerët nga burgu i saj. Këto deklarime janë përkrahur nga një pjesë e madhe e shqiptarëve në Kosovë dhe kjo mund të jetë një shtysë shtesë për ta votuar Partinë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit parlamentare".

Për fund, Bytyçi deklaron se sulmet e Grenell lidhen edhe me punën e Gjykatës Speciale.

"Megjithatë mund të besojmë se kjo ishte thjesht një përkrahje morale për bashkëpunëtorin e tij të vjetër dhe një mënyrë për të rikthyer shpresën. Ndërkohë Gjykata Speciale nuk është juridiksion i SHBA-ve. Më së shumti është europiane nga pikëpamja faktike, ndërsa juridikisht është gjykatë e Kosovës. Vështirë të ndodhin përmbysje kaq të mëdha. Por ta zemë se administrata e Trump e mbyll atë gjykatë! Kush do ta vazhdojë procesin e gjykimit për të akuzuarit? Nëse ndërpritet gjykimi dhe pa marrë vendimin përkatës të akuzuarit shkojnë në shtëpi, kjo nuk i bën ata të pafajshëm. Sigurisht as të fajshëm. Por do të mbeteshin gjithë jetën të dyshuar për krime lufte. A është në këto kushte në interesin e tyre mbyllja e gjykatës? Unë besoj se jo. Sepse vlen më shumë dinjiteti dhe integriteti moral, pra legjitimiteti, sesa liria e pakonfirmuar juridikisht", përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi për "Bota sot".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat