Me 9 shkurt, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare, ndërsa KQZ po përpunon ende rezultatet e këtyre zgjedhjeve.
Me mbi 99 për qind të votave të numëruara deri tani, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti prin me rreth 40 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me rreth 22%, Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 17% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës - Nisma me rreth 7%.
E në lidhje me zgjedhjet parlamentare dhe rezultatet e partive politike, në një prononcim për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.
Së pari, ai vlerësoi lartë gjithë procesin zgjedhor, ku tha se qytetarët e Kosovës treguan një edukatë dhe përkushtim ndaj vlerave demokratike.
"Edhe përkundër një fushate agresive, me shpifje dhe ghuhë të urrejtjes, linçime personale dhe propagandë denigruese, sovrani ishte në krye të detyrës duke iu dhënë shembull politikanëve se si duhej të silleshin edhe ata gjatë këtij proçesi zgjedhor. Qytetarët e Kosovës, gjatë proçesit të votimit, demonstruan një edukatë dhe pjekuri politike ekzemplare, vetëdije dhe përgjegjësi të lartë, përkushtim ndaj vlerave demokratike për një proces të qetë dhe paqësor duke i dhënë shembull edhe vendeve të rajonit”.
Krahas kësaj, Musliu potencoi se rezultatet preliminare kanë prodhuar disa skenarë se si mund të formohet qeveria e ardhshme, ai nuk përjashoi mundësinë e një krize institucionale.
Po ashtu, tha se një pasqyrë më të qartë në lidhje me qevrinë e re mund ta krijojmë pasi të përfundojë edhe numërimi i votave të diasporës.
![Image](/media/botasot.info/images/2025/February/16/auto_8001739710692.jpg)
“Rezultatet preliminare nga KQZ-ja kanë prodhuar disa opsione për formimin e Qeverisë së ardhshme, por ajo çka është karakteristikë e kësaj, është fakti se, të gjitha kombinimet çojnë drejt një krize institucionale politike, mbase ngrçi vjen në kohën kur brenda një viti duhet të zgjidhet presidenti i Kosovës, ku duhen 2/3 e votave, të cilat për momentin mungojnë. Pasqyra për formimin e Qeverisë së ardhshme dhe mazhorancës parlamentare, mund të bëhet më e qartë kur të numrohen edhe votat e mërgatës, personave me aftësi të kufizuara dhe votat me kusht, që ende nuk kanë filluar të numrohen”, nënvizoi ai.
Gjithashtu, juristi përmendi mundësitë e koalicioneve të LVV-së si parti fituese, me partitë e tjera opozitare.
E në këtë pikë, sipas tij partia e Kurtit duhet t’i përjashtojë mundësitë për bashkëpunim me PDK, AAK dhe NISMA-n.
“Partia e parë fituese, LVV-ja me 40.84 % të votave, ashtu siç priste, edhe me pakicat jo serbe, për momentin, nuk mund t’a formojë Qeverinë, kurse opozita respektivisht PLAN-i me votat e Listës serbe dhe pakica tjera, i kanë këto vota.
Mirëpo, pyetja e vërtetë që shtrohet, është se, kush duhet të qeverisë me vendin në mandatin e ardhshëm?! Duke mos dashur t’i elaboroj në hollësi opsionet e mundshme, do të them se, opozita është deklaruar se nuk do të bëjë koalicion me LVV-në, ashtu sikurse LVV-ja që dëshiron të qeverisë pa opozitën.
Nëse kthehemi në retrospektivë, në gjykimin tim, PDK-në, AAK-në dhe NISMA do të duhej të përjashtohen nga çdo kombinim për të ardhur në Qeveri, sepse këto janë partitë politike më të kriminalizuara të Kosovës, të cilat, në bashkqeverisje me Isa Mustafën dhe klanin e tij, kanë funksionuar si struktura të organizuara kriminale, që plaçkitën pasuritë e Kosovës, shkatërruan ekonominë e saj, shëndetësinë, arsimin, kapën sistemin e drejtësisë, shpërngulën qindra mijëra qytetarë nëpër shtetet perëndimore, bashkëpunuan me strukturat kriminale serbe dhe që tentuan t’a coptojnë Kosovën”.
Në vazhdim, potencoi se një koalicion LVV-LDK do ofronte një qeveri stabile dhe do shmangte krizën institucionale.
“Konsideroj se, nëse arrihet një marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së, ky do të ishte kombinimi që do t’a arsyetonte votën e qytetarëve por edhe do të garantonte një qeverisje konstruktive me një mandat të plotë. Mbase, siç pritet, pas numrimit të të gjitha votave dhe pas çertifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, këto dy parti mund t’i fitojnë 2/3 e votave për t’a zgjedhë edhe kryetarin e shteti, që do të mundësonte shmangien e krizës institucionale. Edhe pse, LVV-ja pas çertifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, ndoshta do të mund t’a siguronte shumicën e thjeshtë prej 61 deputetëve, mirëpo kjo nuk është zgjidhje, sepse prap do t’a çonte vendin në ngërçin plolitik më vonë”, shpjegoi juristi.
Tutje, Musliu përmendi ‘plan-in’ që preferon presidenti serb, Aleksandar Vucciq, e që lidhet edhe me Asociacionin.
“PLAN-i, që Vuçiqi e preferon, gjatë fushatës zgjedhore është deklaruar se, nëse ata vijnë në pushtet, menjëherë do t’a dërgojnë draft statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim dhe se do t’i përmirsojnë raportet me SHBA-në, që n’a jep të kuptojmë se, sukur në të kaluarën, edhe tani PLAN-i do të vazhdojë t’iu nënshtrohet të gjitha kërkesave dhe presioneve të ndërkombëtarëve, që kryeminiustri Kurti, me të drejtë, i kishte refuzuar. Dhe pikërisht këto refuzime të Kurtit, pas dy dekadave, e çliruan Veriun e Kosovës nga strukturat kriminale serbe, i mbyllën komunat paralele të Serbisë, postat dhe bankat e Serbisë, dinarin dhe mos t’i numrojë edhe dhjetra e dhjetra veprime tjera, që shtrinë dhe forcuan sovranitetin e Kosovës”.
Në fund, ai shtoi se Kosovën e presin shumë sfida, e që sipas tij opsioni më i arsyeshëm për t’iu bërë ballë atyre është koalicioni LVV-LDK.
“Kosovën e presin zgjedhjet lokale dhe ato presidenciale, politikanët duhet të jenë në nivelin e detyrës, sepse Kosovën e prit dialogu me Serbinë, anëtarësimi në Këshilllin e Europës, përafrimi me procedurat për integrim në BE, anëtarësimi në NATO…., prandaj Kosova nuk ka kohë për të humbur, mbase me kastat e kaluara politike që nga pavarsia ka humbur mjaft kohë. Tek e fundit politikanët vijnë e shkojnë, por Kosova duhet të avancojë.
Sfidat që e presin Kosovën si dhe kriza e mundshme institucionale dhe politike që përmenda, lidershipit të LVV-së dhe LDK-së, ua imponojnë obligimin, që të dalin nga egoja dhe kalkulimet partiake dhe politike dhe t’i marrin përgjegjësitë shtetërore duke e formuar Qeverinë dhe mazhorancën e ardhshme, sepse ky është opsioni më i arsyeshëm”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.