Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Preteni, në një prononcim prë “Bota sot”, ka folur rreth vendimit të OVL-UÇK-së, për bojktimin e organizimit të festës së Pavarësisë së Kosovës.
Sipas tij, ky vendim është politik dhe jo institucional.
Ai i mllefosur nga ky vendim, thotë se Qeveritë burojnë nga vullneti i popullit, nga vota e qytetarit e nga ata.
![Image](/media/botasot.info/images/2025/February/16/auto_111739718546.jpg)
“Vendim i pamatur, primitiv, skajshmërisht i politizuar dhe jo institucional. Po më intereson shumë se cilën procedurë e keni ndjekur, a i keni pyetur degët, a e keni pyetur bazën.
Ju të vetzgjedhurit nuk më përfaqesoni mua. Kosova është e popullit e jo e qeverive dhe personave të padinjitetshëm që kinse i përfaqësojnë organizatat e dalura nga lufta.
Qeveritë burojnë nga vullneti i popullit, nga vota e qytetarit e ju!!!”, deklaron ai.
Kryesia e Veteranëve të Luftës së OVL UÇK-së ka vendosur sot të mos ketë asnjë lloj bashkëpunimi me institucionet në detyrë të Qeverisë së Kosovës për kremtimin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe manifestimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së të familjes Jashari më 5, 6 dhe 7 mars.
“Duke parë të arsyeshme se kjo Qeveri ka qenë një nga qeveritë që ka shkelur çdo të drejtë tonën, ne si OVL e UÇK-së do të organizohemi me degët tona në çdo komunë të Kosovës që heronjtë, dëshmorët dhe sakrificën sublime të UÇK-së në këto dy data historike në mënyrë të organizuar nga Kryesia e OVL e UÇK-së dhe degët tona t’i festojmë dhe nderojmë në mënyrën më fisnike që na përket neve si luftëtarë të UÇK-së”, thuhet në deklaratën e Kryesisë së OVL UÇK-së.