Refuzoi bashkëpunimin me qeverinë, kritikohet OVL e UÇK-së: Ky bojkot është mohim i shtetësisë së Kosovës

Politika

Refuzoi bashkëpunimin me qeverinë, kritikohet OVL e UÇK-së: Ky bojkot është mohim i shtetësisë së Kosovës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 16 shkurt 2025 Në ora: 22:03
Ilustrim

Nesër shënohet festa e shtetit të Kosovës.

Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës marr vendim që të mos bashkëpunojë me Qeverinë lidhur me festimin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe manifestimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Në vendimin e OVL e UÇK-së thuhet se ky vendim vjen pasi sipas tyre Qeveria aktuale e Kosovës nuk ka treguar asnjëherë gatishmërinë që të bashkëpunojë.

“Duke parë të arsyeshme se kjo Qeveri ka qenë një nga qeveritë që ka shkelur çdo të drejtë tonën, ne si OVL e UÇK-së do të organizohemi me degët tona në çdo komunë të Kosovës që heronjtë, dëshmorët dhe sakrificën sublime të UÇK-së në këto dy data historike në mënyrë të organizuar nga Kryesia e OVL e UÇK-së dhe degët tona t’i festojmë dhe nderojmë në mënyrën më fisnike që na përket neve si luftëtarë të UÇK-së”, thuhet në vendim.

Hoxha: Në këtë rast bojkotimi i institucioneve të Kosovës për këtë manifestim mendoj se është i panevojshëm dhe i ngutshëm

Ish-komandanti i UÇK-së, Hafir Hoxha në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se OLV e UÇK-së duhet të jetë organizatë jashtëpartiake dhe në këtë rast të bashkëpunojë me Qeverinë.

Image
Hafir Hoxha

“OVL e UÇK- së duhet të jetë organizatë jashtëpartiake, kuptohet politikën duhet përcjellur dhe mundet të propozojë ose të ndërhyn me aktivitetin e saj tek institucionet e shtetit në ato raste ku ajo mendon se po iu cenohen të drejtat e tyre kushtetuese apo cenohet integriteti i shtetit të Kosovës, rregullisht intervenon me fakte dhe argumente.

Në këtë rast bojkotimi i institucioneve të Kosovës për këtë manifestim mendoj se është i panevojshëm dhe i ngutshëm.

Plotësisht i kuptoj brengat dhe vështirësitë që ka OVL e UÇK-së, por jam i sigurt që nuk janë shfrytëzuar të gjitha mënyrat e bashkëpunimit me Qeverinë e Kosovës sa dhe si duhet që të zgjidhen ato probleme pa e sjellë punën që në këtë mënyrë të ushtrohet ky lloj presioni ndaj shtetit për të cilin të gjithë kontribuam”, thotë ai.

Hoxha shpreson se ky vendim nuk do të ketë ndikim partiak, që të mos përçahemi për këto gjëra administrative.

“Shpresoj të mos ketë ndikim partiak në këtë vendim dhe të shqyrtohen problemet dhe mos të përçahemi për këto gjëra administrative.

Qeveritë, organet e shtetit i zgjedhë populli ku pjesë e popullit jemi edhe në veteranët e UÇK-së dhe duhet të jemi shembull i shoqërisë se si duhet respektuar ligjet, kushtetutën, rendin dhe institucionet demokratike të zgjedhura në vend”, nënvizon ai.

Mekuli: Ky bojkot nuk është thjesht një refuzim i qeverisë aktuale, por një mohim i shtetësisë së Kosovës dhe një goditje ndaj gjakut të derdhur për liri

Gëzim Mekuli, njohës i shkencave të medias dhe retorikës, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se ky është një vendim skandal dhe goditje e drejpërdrejtë ndaj shtetit të Kosovës.

Image
Gëzim Mekuli

Sipas tij, ky vendim është një mohim i shtetësisë së Kosovës dhe një goditje ndaj gjakut të derdhur për liri.

“Ky vendim është një skandal i papranueshëm dhe një goditje e drejtpërdrejtë ndaj shtetit të Kosovës. Është e paimagjinueshme që Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), e cila përfaqëson ata që sakrifikuan për lirinë e këtij vendi, të marrë një qëndrim kaq të dëmshëm ndaj Pavarësisë së Kosovës dhe manifestimit të Epopesë së UÇK-së. Kjo është një përpjekje për të krijuar përçarje dhe për të zbehur rëndësinë e luftës së drejtë të UÇK-së.

Ky bojkot nuk është thjesht një refuzim i qeverisë aktuale, por një mohim i shtetësisë së Kosovës dhe një goditje ndaj gjakut të derdhur për liri. Kjo ngre pikëpyetje të mëdha: Kush qëndron pas këtij vendimi? A kemi të bëjmë me një skenar të organizuar nga faktorë të jashtëm që duan destabilizimin e Kosovës? Pse një organizatë që duhet të ishte gardiane e lirisë dhe sovranitetit të vendit po luan një rol të tillë destruktiv?”, deklaron ai.

Sa i përket ndasisë për ditën Pavarësinë e Kosovës, Mekuli thotë se ka motive të qarta politike dhe partiake, due shtuar se brenda kësaj organizate është e dukshme që ka elementë që kontrollohen nga grupe politike e interesa mafioze.

Në fund, thotë se ky “vendim është një dhuratë për Vuçiqin dhe për të gjithë ata që ëndërrojnë ta shohin Kosovën të dobët dhe të përçarë”.

“Kjo ndasi ka motive të qarta politike dhe partiake. Është e dukshme që elementë të caktuar brenda kësaj organizate janë të kontrolluar nga grupe politike dhe interesa mafioze, të cilët synojnë të përdorin luftën dhe sakrificën e UÇK-së për agjendat e tyre të ngushta. Nuk ka asnjë arsye tjetër logjike për të bojkotuar një festë kaq madhore për kombin tonë, përveç interesave të errëta që synojnë ta dobësojnë Kosovën nga brenda. Dhe kjo ndasi po ndodhë në kohën kur Europa gjindet para një epoka të trubullt, të pallogaritur politikisht dhe ushtarakisht! Ku jemi ne si komb, si shtet e si gjeopolitikë, pyes unë?!

Historia na ka mësuar se përçarja e shqiptarëve ka qenë gjithmonë një nga taktikat kryesore të politikës serbe për të mbajtur Kosovën dhe shqiptarët të dobët. Nikolla Pashiqi, një nga strategët më jetëgjatë të politikës serbe, e kishte të qartë këtë fakt. Ai thoshte se "shqiptarët janë pikë e pesë", duke nënkuptuar se ata nuk kanë ndjenjë të fortë kombëtare, por janë të ndarë në fise dhe grupe që vendosin interesat personale mbi ato kombëtare. Për Pashiqin, shqiptarët nuk ishin një komb, por thjesht një grumbull fisesh që mund të përçaheshin lehtë. Kjo ishte strategjia që ai përdori për të pushtuar territore shqiptare dhe për të dobësuar rezistencën ndaj ekspansionizmit serb.

A nuk është pikërisht ky vendimi i OVL-UÇK-së? A nuk është ky një shembull i asaj që parashikonte Pashiqi? Në vend që të qëndrojmë të bashkuar rreth vlerave të luftës dhe pavarësisë, ne po lejojmë që interesat e ngushta, rajonale dhe politike të mbizotërojnë. Po veprohet pikërisht ashtu siç Serbia ka dashur gjithmonë: përçarje dhe përplasje mes shqiptarëve. Çubrilloviqi, një tjetër strateg serb, në memorandumin e tij famëkeq e vazhdon këtë logjikë, duke thënë se "shqiptarët mund të blihen lehtë, sepse për ta interesi personal është mbi interesin kombëtar". Sot, ky vendim i OVL UÇK-së duket si një dëshmi e gjallë e këtyre strategjive të vjetra serbe.

Në Kosovë, për fat të keq, kemi veteranë që po bojkotojnë shtetin për të cilin luftuan. Kjo nuk është vetëm një çështje politike apo partiake, është një çështje kombëtare. Kushdo që e mbështet këtë vendim, nuk i shërben Kosovës, por i shërben vetëm axhendave që synojnë destabilizimin e saj.

Konsekuent deri në fund: Ky vendim është një dhuratë për Vuçiqin dhe për të gjithë ata që ëndërrojnë ta shohin Kosovën të dobët dhe të përçarë. Kushdo që e ka orkestruar këtë përçarje, duhet të japë llogari para historisë, para popullit dhe para gjakut të dëshmorëve që ranë për këtë shtet”, përmbyll ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat