Ideja e koalicionit mes VV-së dhe LDK-së, flet Ali Hertica

Politika

Ideja e koalicionit mes VV-së dhe LDK-së, flet Ali Hertica

Nga: A.M. Më: 16 shkurt 2025 Në ora: 23:05
Lumir Abdixhiku, Albin Kurti

Pas rezultateve të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për të formuar një qeveri të vetme.

Kjo ka lënë hapësirë të mendohet për një koalicion me partitë e tjera.

Një nga opsionet më të përfolura është me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Analist politik, Ali Hertica ka folur për “Bota sot” mbi parregullsitë që ndodhin gjatë procesit zgjedhor dhe ndikimin e tyre në shpalljen e rezultateve.

“Parregullsitë që ndodhin gjatë procesit të votimit, kryesisht për shkak të mos-përgatitjes së mirë të komisionarëve (duke mos përjashtuar edhe parregullsitë e qëllimshme), janë një faktor kyç që pengon shpalljen e shpejtë të rezultateve. Votat me kusht, ato me postë dhe afatet shtesë janë elemente që kontribuojnë në këtë vonesë. E gjithë kjo kohë, që shpesh kalon edhe javë, pa një rezultat konkret dhe definitiv, tregon se dikush mund të jetë duke manipuluar me këto vota. Sipas deklaratave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), janë numëruar 97% të votave, dhe kjo jep një sinjal të qartë se këto vonesa janë të qëllimshme”, ka thënë ai.

Sa i përket mundësisë së krijimit të një koalicioni midis partive politike, Hertica thekson se nuk ka arsye që do të çonte në pamundësimin e tij

“Në lidhje me mundësinë e krijimit të një koalicioni midis partive politike, nuk shoh asnjë arsye që do të çonte në pamundësimin e tij. Askush nuk do të mbajë fjalën e dhënë gjatë fushatës zgjedhore, ku u tha se ka "vija të kuqe". Bashkëpunimi mes këtyre partive nuk ka filluar dje, as sot, sepse është një interes partiak. Ky bashkëpunim ka nisur që nga formimi i qeverisë së kaluar, dhe mund të shikohet në mënyrën se si këto parti kanë funksionuar gjatë periudhës së opozitës”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, ai ka folur edhe për iden e koalicionit mes VV-së dhe LDK-së.

“Në lidhje me reformimin e brendshëm të LDK-së, ka pasur shumë prononcime nga individë dhe personalitete të ndryshme. Qasja e këtyre prononcimeve ka qenë e llojllojshme, dhe tani po merret mendimi i koalicionit, ku LDK pritet të bashkojë forcat politike për një qeverisje me Vetëvendosjen. Por besoj se kjo nuk do të realizohet nëse kryetari i LDK-së mban qëndrimin që ka premtuar elektoratit, se me VV-në nuk do të bëjnë kurrë koalicion, sidomos kur dihet se Vetëvendosje ka përdorur fjalë të pista ndaj LDK-së, duke e quajtur "bërllgoga", "të vjetërsuar", "hajvana" dhe të tjera. Nëse LDK dhe partitë tjera opozitare bëjnë koalicion me VV-në, ato mund të humbin deri në 50% të elektoratit të tyre, çka do të kishte pasoja të mëdha për to, pasi kjo ka ndodhur edhe me partitë e tjera që tani nuk janë më në skenën politike. VV-ja, para afatit për zgjedhjen e kryetarit të shtetit, mund të prishë koalicionin, ashtu siç e ka bërë para pesë vitesh. VV-ja ofron bashkëpunim me subjektet e tjera vetëm për qëllime të saj partiake. Opozita nuk duhet ta harrojë periudhën kur Vetëvendosje dhe Albin Kurti u silleshin dhe talleshin me ta”,  ka thënë Hertica.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat