Kosova sot shënon 17 vjetorin e pavarësisë së saj.
Në gjithë këto vite liri e pavarësi, shteti i Kosovës ka shënuar arritje, por edhe disfata.
Analistët konsiderojnë se Kosova duhet të punojë në ruajtjen e shtetit dhe t’i kthejë aleatët drejt vetes.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, thotë se gjatë gjithë këtyre viteve ka pasur arritje dhe arritja më e jashtëzakonshme është funksionimi i shtetit në mënyrë demokratike.
“Kur Kosova u shpall e pavarur pati një entusiazëm të paparë. Askush nuk e mendonte se do të kalonin 17 vite dhe ajo ende në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Aq shumë u zgjat ky proces, sa duket sikur kjo nuk do të ndodhi tashmë për shkak se po vihet në diskutim ekzistenca e vetë OKB-së dhe agjencive të saj, si dhe ekzistenca e NATO-s, Bashkimit Europian e organizatave të tjera ndërkombëtare, si OSBE, KiE etj. Lidershipi i Kosovës është përgjegjësi kryesor i kësaj zvarritjeje. Të hënën do të festohet. Shtatëmëdhjetë vite në liri e në pavarësi nuk janë pak për një vend dhe një komb. Janë vite, të cilat shënuan shumë arritje, por edhe disa disfata për Kosovën. Arritjet janë në fushën e zbatimit tëligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar e korrupsionit. Arritja më e madhe është shtrirja e sovranitetit në veri të vendit. Por arritje e jashtëzakonshme është finksionimi i shtetit në mënyrë demokratike”, deklaron profesori.
Sipas tij, kur u shpallë pavarësia shumë politikanë dhe ndërkombëtarë thonin se duhet paqe dhe jo armatimi i Kosovës.
Por, sipas tij, qeveria e katër viteve të fundit e kuptoi se investimi në mbrojtjen e lirisë së shtetit duhet të merret seriozisht.
Bytyçi: Kosova është një shtet kombëtar i veçantë
“Kur u shpall pavarësia shumë prej politikanëve dhe lidershipit të Kosovës si dhe ndërkombëtarë thoshin se “duhet paqe”, se “Kosova nuk ka nevojë të armatoset dhe të ketë ushtrinë e saj”, se tashmë ajo është e sigurt për shkak të prezencës së KFOR-it e kështu me radhë. Politikanët në Prishtinë e përceptuan këtë qëndrim të shumë ndërkombëtarëve si garanci për lirinë, demokracinë dhe shtetësinë. Si diçka të dhënë njëherë e përgjithmonë. Menduan dhe besuan se bota do të paguajë gjithmonë faturën e sigurisë së saj. Pra nuk menduan sa e si duhet për ta marrë vetë në dorë sigurinë territoriale dhe të qytetarëve të vendit. Vetëm qeveria e katër viteve të fundit kuptoi se investimi mnë mbrojtjen e lirisë e të shtetit duhet marrë seriozisht. Ndaj dhe katër ose pesëfishoi buxhetin për mbrojtjen e vendit. Bleu armë modern dhe ka nis të ndërtojë një fabrikë të prodhimit të municioneve. Nënvleftësimi i rritjes së aftësisë mbrojtëse ishte gabim shumë i madh i qeverive para Kurtit”, shprehet Bytyçi.

Ai konsideron se diskutimet në dialog për shkëmbim territoresh ishte goditja më e madhe që iu dha shtetësisë dhe pavarësisë.
“Por në vitet e pavarësisë situata nuk rodhi siç pritej në fillim. Vetëm tri vite pas shpalljes së saj, kur në Uashington erdhi administrata Obama, Kosovën e detyruan të rinisë dialogun me Serbinë. Në fillim u tha se do të kishte vetëm bisedime teknike e më vonë u fol edhe për shkëmbime territoresh, ndryshim kufijsh dhe ndarjen e saj. Jo vetëm u fol, por kreu i shtetit u angazhua direkt në këtë projekt të Serbisë të mbështetur nga disa ndërkombëtarë. Kjo qe goditja më e madhe që iu dha shtetësisë dhe pavarësisë. Ai që mburrej se kishte lexuar deklaratën e pavarësisë së Kosovës, pra Hashim Thaçi, tashmë pas dhjetë vitesh u pajtua me propozimin e presidentit serb dhe kryeministrit të Shqipërisë për ta zhbërë këtë pavarësi. Periudha e diskutimit për këtë çeshtje është periudha më e turpshme e lidershipit Kosovar në këto 17 vite të shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës. Këto sfida nuk u përballuan dot. Shkaku ishte presioni i ndërkombëtarëve, por edhe pengmarrja e liderëve të kohës. Kosovën e drejtuan liderë e politikanë që paten dhe kanë për qëllim interesat e veta personale, në vend që të luftonin e punonin për interesat e shtetit e të kombit Kosovar. Lidershipi Kosovar u ndikua nga lidershipi I Shqipërisë dhe mbajti gjallë frymën e “bashkimit kombëtar”, gjë të cilën Beogradi e shiti te partnerët ndërkombëtar si project kombëtar të shqiptarëve. Pra, u krijua bindja se “shqiptarët nuk janë të bindur dhe të vendosur të ken[ shtetin e tyre të pavarur, por duan të bashkohen me Shqipërinë”! Kjo narrative i bindi shumë ndërkombëtarë që të ndalonin përpjekjet për konsolidimin e shtetit të Kosovës. Madje edhe disa amerikanë”, thekson profesori
Askush nuk do të angazhohet për ta përfunduar shtetin e shtetësinë e Kosovës, sipas Bytyçit, sa kohë që politika dhe lidershipi në Kosovë nuk i bind partnerët e aleantët se qytetarët dhe politika në Kosovë janë të përkushtuar dhe e meritojnë këtë shtet.
“Këtë dilemë Kosova do ta vuajë edhe në të ardhmen. Nuk ka shans që Kosova të bëhet shtet, nëse ajo dërgon te ndërkombëtarët mesazhet e bashkimit me Shqipërinë. Askush nuk do të angazhohet për ta përfunduar shtetin e shtetësinë e Kosovës, sa kohë që politika dhe lidershipi në Kosovë nuk i bind partnerët e aleatët se qytetarët dhe politika në Kosovë janë të përkushtuar dhe e meritojnë këtë shtet. Nuk ka e nuk mund të ketë shtet pa komb dhe komb pa shtet. Edhe deklarimet si ato të presidentit të Republikës së Shqipërisë e të tjerëve, se „Jemi dy shtete, por jemi një komb“, janë populizma që e rrënojnë shtetësinë e Kosovës. Duhet të jesh injorant në politikë dhe shkencën e saj të mos dish se shteti dhe kombi janë simbiozë e njëri-tjetrit. Dhe kjo nuk do të thotë se Kosova e Shqipëria të armiqësohen midis tyre, për ta bindur botën se Kosova është një shtet kombëtar i veçantë. Ne shqiptarët shpesh herë bëjmë gabime, të cilat nuk i vemë re, por që na kushtojnë shumë në jetën tonë. Gabime si ato që përmenda më lart nuk duhen përsëritur. Kjo është sfida më e madhe e jona. Nuk ësht mos-njohja nga Serbia sfida më e madhe. Ne duhet ta sfidojmë vetëvetren. Të jemi më të vendoaur e këmbngulës në idetë dhe qëndrimet e qarta e të sakta. Sjellja jonë na dëmton, në vend që të na avantazhojë. Nëse besojmë vërtet se „jemi një komb“, atëherë le të pajtohemi me ndarjen e Kosovës dhe bashkimin e pjesës së mbetur me Shqipërinë. Por kjo është vetëvrasje, jo bashkim. Prandaj duhet të japim mesazhin e qartë e kuptimplotë të forcimit dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008!—“, pohon profesori.
Qarri: Pavarësia e shtetit të Kosovës, shfuqizoi edhe ligjet që juridikisht e politikisht ndalonin dhe shkelnin të drejtat e shqiptarëve
Kurse, analisti Gani Qarri, konsideron se shpallja e pavarësisë, përveçse shënoi zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, ajo hapi perspektivë të re për qytetarët, vendosi shtetin demokratik të saj si dhe forcoi e ngriti në shkallë më të lartë edhe faktorizimin e shqiptarëve.

“Çlirimi i Kosovës nga okupimi gati një shekullor i Serbisë hegjemoniste, ka shënuar aktin përfundimtar të shpërbërjes së ish federatës së popujve sllav, dhe i dha fund edhe fragmentarizmit ndaj shqiptarëve, që veçanërisht më 1997-98-99, shkoi deri në dëbimin masiv të tyre nga trojet e veta etnike, duke quar në çlirimin dhe pavarësinë e pashmangshme të Kosovës, si dhe shënuar një nga etapat, më të ndritshmet në historinë më të re të shqiptarëve, pas shpalljes së pavarësisë kombëtare më 2012, në Vlorë! Kurse shpallja e pavarësisë, përveçse shënoi zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, hapi perspektivë të re për qytetarët, vendosi shtetin demokratik të saj, si dhe forcoi e ngriti në shkallë më të lartë edhe faktorizimin e shqiptarëve në Evropën Juglindore, siç avancoi edhe çështje shqiptare në rajon, ofroi garanci për paqen e sigurinë dhe solli stabilitet në të gjithë Ballkanin Perëndimor”.
“Në këtë kuptim, nuk duhet harruar dhe duhet cekur fort e përsëritur gjithmonë, se mbi të gjitha është me shumë rëndësi fakti që pas pak më tepër se dy viteve, nga shpallja e shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si organi më i lartë juridik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me 10 vota pro dhe 4 kundër, me vendimin e saj pozitiv të 22 korrik të vitit 2010, e vulosi përjetësisht, pavarësinë e Kosovës, duke hedhur poshtë tendencën cinike të Serbisë hegjemoniste, para kësaj gjykate botërore, për shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Kështu që shtatëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është njohur nga shumë shtete, megjithëse ende nuk ka arritur të anëtarësohet në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare, përfshi edhe anëtarësimin si shtet i pavarur dhe me të drejta të plota në OKB”, shprehet Qarri.
Vendimi i GJND-së, sipas Qarrit, përveçse vulosi pavarësinë e Kosovës, nga GJND u ngrit dhe u vendos edhe një “standard” i ri politik ndërkombëtar.
“Vendimi i GJND-së, me vlerësimin pozitiv të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, përveçse ishte një sihariq i jashtëzakonshëm për shtetin tonë të ri, në rrugën për shtet ndërtim dhe mbijetesë edhe në arenën politike ndërkombëtare si shtet i-po sa shpallur, i pavarur dhe demokratik, i dha shtysë të jashtëzakonshme edhe njohjes ndërkombëtare, akt që u plotësua me njohje nga mese 120 shtetet anëtare të OKB-së nga të katër anët e globit, deri më sot! Me këtë vendim të mirëseardhur të GJND-së, edhe çështja kombëtare e shqiptarëve, një popull deri atëherë pothuajse të margjinalizuar megjithëse numëron rreth 8 milion në rajon, me aktin e vulosjes së pavarësisë së Kosovës, nga GJND, u ngrit dhe vendos në një “standard” të ri politik, ndërkombëtar! Çlirimi i Kosovës, përveçse i dha fund shtypjes dhe terrorizimit të shqiptarëve nga Serbia dhe pakica serbe, në Kosovë, mese 9 vite pas çlirimit nga okupimi, me shpalljen e pavarësisë vendosi dhe sqaroi politikisht edhe situatën paradoksale të statusit të Kosovës dhe shumicës shqiptare, duke e shndërruar vendin tonë në shtetin më demokratik në rajon dhe në një Republikë të mirëfilltë Parlamentare e cila garanton bashkëjetesën demokratike me të gjitha pakicat dhe veçanërisht respekton në mënyrën mbimaksimale të drejtat dhe liritë e minoritetit serb, deri në diskriminimin pozitiv të fjalës, të drejta që nuk i gëzojnë as vet shumica shqiptare në shtetin tonë të ri”, shton Qarri.
Ai kërkon avansim të shpejt dhe konstituimin urgjent e më më kualitativ të mundshëm të një stafi vërtetë të aftë dhe aktiv diplomatik, për të ndryshuar, në mënyrën më të shpejt të mundshme, qasjen e vendeve ndërkombëtare dhe të faktorëve kryesor vendimmarrës në botë, ndaj vendit
“Pavarësia e shtetit të Kosovës, shfuqizoi edhe ligjet që juridikisht e politikisht ndalonin dhe shkelnin të drejtat e shqiptarëve duke i dhënë fund sundimit të shumicës shqiptare nga një pakicë ekstreme nacionalshoveniste serbe dhe u rrit e zgjerua hapësira e lirive dhe të drejtave të njeriut, duke u bërë një shoqëri moderne, e hapur për të gjithë si në rrafshin shoqëror dhe atë të përgjithshëm ekonomiko politik, me ç`rast u hoqën edhe kufizimet ndaj shtypit e fjalës së lirë dhe shprehjes së mendimit personal, që mbytnin lirinë individuale nga veprimet e dhunshme të shtetit okupator serb, për të kaluar në liberalizim të plotë për të gjithë qytetarët pa dallim gjuhe, race a etnie. Andaj tani është momenti vendimtar që të bëhet edhe konsolidimi dhe forcimi i menjëhershëm dhe atë në mënyrë vërtetë të ndjeshme, i shtetit të së drejtës, ligjit dhe strukturave të sigurisë shtetërore, për të qenë në gjendje, të mbrohemi me sukses edhe nga sulmet eventuale të Serbisë hegjemoniste, e cila edhe 25 vite pas çlirimit, nuk ndalon kërcënimet publike, për gllabërim me forcë, dhe agresion të dhunshëm ushtarak, të pjesëve më jetike të vendit tonë. Po ashtu, duhet të bëhet avancimi i shpejt dhe konstituimi urgjent e më kualitativ i mundshëm i një stafi vërtetë të aftë dhe aktiv diplomatik, për të ndryshuar, në mënyrën më të shpejt të mundshme, qasjen e vendeve ndërkombëtare dhe të faktorëve kryesor vendimmarrës në botë, ndaj vendit tonë, veçanërisht duke pasur parasysh ndryshimet marramendëse të qasjeve dhe strategjive politike në mbarë botën, pas ardhjes në krye të SHBA-ve të presidentit Trump!”, thekson analisti.
Sipas tij, 17 shkurti le të jetë data e kuptimit të gjendjes dhe të nisë fillim i mbarë edhe për Kosovën
“Me rastin e festimit të këtij përvjetori sublim, është dhe mbetet shumë e papranueshme që edhe 25 vjet pas çlirimit dhe 17 sosh nga shpallja e Pavarësisë, jo vetëm në politikën e brendshme por edhe në diplomaci dhe agjendën e marrëdhënieve ndërkombëtare, në Kosovë, gjithnjë e më tepër të vijojnë të zënë vend veprimet e paqarta, aktet thellësisht kundërthënëse dhe qëndrimet e dyshimta e komplekse politike, që përfshijnë aspektet e të gjitha natyrave, duke dëmtuar gjithnjë e më rëndë edhe dinamikën e shtet-ndërtimit, penguar zhvillimin e vendit e mirëqenien e qytetarëve dhe bllokuar me vetëdije avancimin e çështjes shtetërore, edhe në politikën e jashtme dhe rrafshin gjeopolitik të ditëve të sotme, kur me ardhjen e Trumpit në krye të SHBA-ve, ka ndryshuar çdo dhe nuk është më, jo vetëm për ne, por për gjithë botën, asgjë si përpara. Andaj ky 17 shkurt duhet të jetë, data e kuptimit të seriozitet të gjendjes dhe të nisë përfundimisht një fillim i mbarë edhe për Kosovën, e cila e ka për detyrë dhe obligim të patejkalueshëm, që të gjitha detyrat e saj ti bëjë sa më shpejt dhe në mënyrën më të mirë, duke unifikuar të gjitha forcat intelektuale, politike e profesionale dhe lënë anash menjëherë dhe urgjentisht, të gjitha përçarjet e ndasitë e ulëta politike dhe inatet primitive partiake, ngase koha nuk na pret neve dhe një ditë mund të bëhet shumë vonë për vendin tonë të vogël. Vetëm në këtë mënyrë, mund ta zëmë hapin dhe kapim momentin e duhur për veprim si shtet i konsoliduar, kur dihet se Kosova ende nuk e ka rrumbullakuar plotësisht shtetndërtimin, nuk është anëtarësuar në shumë organizata me rëndësi ndërkombëtare dhe me gjithë dëshirën dhe përpjekjet, nuk është afër anëtarësimit në NATO, si ombrella më e mirë e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit, të cilat do ti hapnin rrugën edhe pranimit të Kosovës, si shtet me të drejta të plota në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, andaj është në dorën tuaj, që të veproni të unifikuar për të mirën e qytetarëve që ua kanë besuar votën dhe të ardhmen e sigurt të shtetit tonë të ri, të cilin mezi e kemi arritur dhe krijuar me aq shumë mund e gjak të disa gjeneratave! Gëzuar dhe jetëgjatësi të përjetshme shtetit të lirë, e demokratik të Republikës së pavarur të Kosovës!”, përfundon Qarri.
Kujtojmë se pavarësia e Kosovës është bërë më 17 shkurt 2008 në ora 15:39 minuta në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në mbledhjen e jashtëzakonshme merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.