Mesazhi i fundit i Kaja Kallas – çfarë pritet të ndodhë me ‘fatin’ e dialogut Kosovë-Serbi?

Politika

Mesazhi i fundit i Kaja Kallas – çfarë pritet të ndodhë me ‘fatin’ e dialogut Kosovë-Serbi?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 17 shkurt 2025 Në ora: 14:05
Kaja Kallas

Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon të jetë një nga temat më të disktuara dhe të përfolura, jo vetëm në Kosovë e rajon, por edhe më gjerë.

Së fundi, shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian Kaja Kallas, tha në Bruksel se do ta shqyrtojë mundësinë, së bashku me të dërguarin e ri për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, për ta bërë funksional dialogun mes dy vendeve fqinje.

Këtë deklaratë Kallas e bëri në një bisedë të përbashkët me grupin "Redaksia Evropiane”, ku bëjnë pjesë rreth 20 agjenci evropiane të lajmeve. "Janë dëgjuar kritika rreth formatit të deritashëm të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Kallas.

"Sapo kemi emëruar një përfaqësues të posaçëm për dialog ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe unë do të ulem me të në mars, për të parë se si do të vazhdojmë me këtë dhe unë vërtet dua të shikoj se si mund ta bëjmë këtë funksional. E kam adresuar këtë edhe me ministrin e Jashtëm të Serbisë dhe ai më ka thënë se është i gatshëm vërtet të investojnë kohë në normalizimin”, tha Kaja Kallas.

Mirëpo, njohësit e çështjeve politike e ndërkombëtarë, treguan se çfarë mund të pritet nga ky paralajmërim i Kallas, kur Kosova ende nuk e ka përmbyllur procesin zgjedhore, ndërsa Serbia vazhdon me protesta masive.

Azemi: Me një lidership të ri europian, Kosova do ta ketë më lehtë t’i zhvillojë papengushëm kauzat e saj shtetërore

Image
Emin Azemi

E në lidhje me këtë temë, publicisti Emin Azemi tha se me ardhjen e Kaja Kallas në krye të diplmacisë së BE-së, për Kosovën dialog do marrë kahje më pozitive.

Madje, ai në një prononcim për “Bota sot” tha se pret që Kallas të e vlerësoj sitautën e dialogimit në mënyrë reale, jo si paraardhësi i saj, Josep Borell.

“Edhe në një prononcim të mëhershëm për gazetën tuaj, unë kam paralajmëruar se dialogu Kosovë-Serbi do të merr një kahje më positive pas ardhjes së Kaja Kallas në krye të diplomacies së BE-së. Ajo do të mundohet të sjell një frymë të re në procesin e dialogut. Këtë konstatim e kam mbështetur në faktin se zonja Kallas vjen prej një rajoni që i ka përjetuar në lëkurën e saj pasojat e një politike hegjemoniste që vinte nga Rusia, e cila për dekada me radhë kishte nëpërkëmbur krenarinë kombëtare të vendeve baltike, prej nga vjen edhe zonja Kallas. Ajo me të drejt ka paralajmrëruar se do ta bëjë më funksional dialogun mes dy vendeve fqinje, që nënkupton se diplomacia e BE-së do ta sheh me sy më realist situatën në terren, pa patur nevojë të mbaj anën e njërës palë dhe të kritikoj vetëm palëtn tjetër, siç kishte vepruar pararendësi i zonjës Kallas, z. Borelli”.

Krahas kësaj, Azemi parashikoi një fazë interesante në këtë proces, ku tha se Kosova ka nevojë për mirëkuptim nga ndërkombëtarët dhe jo penalizim, duke përmendur disa nga të arriturat e qeverisë sonë.

“Ndryshimet në kreun e diplomacisë evropiane po ndodhin në një fazë shumë interesante kur Kosova ka nevojë më së tepërmi për mirëkuptim nga ana faktorit ndërkombëtar sa i përket rrugës që po ndjekë në konsolidimin e shtetit në pikëpamje ligjore e territoriale, në avancimi e standardeve demokratike, në luftimin e krimit dhe korrupsionit, në dialogun e brendshëm qytetar, ku serbët vendorë kanë një prioritet të qartë. Pra, Kosova ka pasur nevojë të mos penalizohet për të gjitha këto veprime që i ka ndërmarrë viteve të fundit, sepse një Kosovë demokratike, paqësore dhe e kuryser nga grindjet ndëtretnike. Është një favor i madh edhe për vet Evropën, e cila edhe ashtu i ka hallet e veta”, nënvizoi publicisti.

Ndër të tjera, ai shpreson që me një lidershp të ri europian, Kosova do ta ketë më lehtë t’i zhvillojë pa u penguar kauzat e saj.

“Prandaj unë mendoj se në periudhën e ardhshme Kosovën e presin punë të mëdha që duhet t’i kryej si në aspektin e konsolidimit të brendshëm ashtu edhe në avancimi emarrëdhëmnieve me fqinjët, përfshi edhe Serbinë, si parakushte për t’iu parafruar standardeve që kërkon BE para anëtarësimit në të.

Shpresoj që me një lidershp të ri europian, Kosova do ta ketë më lehtë t’i zhvillojë papengueshëm kauzat e saja shtetëtore, gjithmonë duke patur parasysh edhe obligimet që dalin nga marrëveshjet paraprake me Serbinë në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel”, përfundoi Emin Azemi për “Bota sot”.

Shabani: Është një shans e mirë që kombinimi i Kaja Kallas dhe Peter Sorensen ta përshpejtojnë procesin e dialogut

Image
Amir Shabani

Ndërsa, njohësi i marrëdhënieve diplomatike, Amir Shabani potencoi se zhvillimet gjeopolitike kanë ndikuar që të shqyrtohet edhe më seriozisht çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Zhvillimet e fundit gjeopolitike në botë kanë bërë që të rishqyrtohen disa çështje në mënyrë hibride, së fundmi edhe dialogu Kosovë-Serbi.

Në ngjarjen e fundit të Konferencës së Sigurisë në Mynih, kryeministri Kurti takoi Peter Sorensen ku theksoi se për të ecur përpara dialogu: Serbia duhet ta nënshkruajë marrëveshjen, të tërheq letrën e Bërnabiq dhe ta dorëzojnë shefin e terrorizmit Radojçiqin në Kosovë”, deklaroi ai për “Bota sot”.

Krahas kësaj, tha se ka shumë pritshmëri nga Kallas dhe Sorensen, ku vlerëson se mund t’i përshpejtojnë negociatat.

“Unë mendoj se kjo është një shans e mirë që kombinimi i Kaja Kallas dhe Peter Sorensen ta përshpejtojnë procesin e dialogut Kosovë-Serbi, në mënyrë që të arrihet paqja dhe stabiliteti në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, përmbyli Amir Shabani për “Bota sot".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat