Profesori Binak Maxharraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për zhvillimet e fundit politike, duke përfshirë këtu fushatën zgjedhore dhe rezultatin e datës 9 shkurt. Ai i ka kritikuar partitë politike për gjuhën e përdorur gjatë fushatës zgjedhore.
“Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbajtën më 9 shkurt të këtij viti. Fillimisht për këto zgjedhje u bë zhurmë e madhe dëshirash nga ana e partive politike, u bë një fushatë jo mjaftueshëm dinjitoze nga ana e partive politike, pati fyerje, ofendime, sharje, por me shumë piskama. Gjuha ofenduese gjatë kësaj fushate ishte e pa-dinjitetshme, e cila edhe u kritikua në opinionin e gjerë dhe nga komentues të cilët e përcillnin këtë fushatë.
Por megjithatë, edhe për shkak të marifetëve të partive politike, fushata parazgjedhore ishte e qetë, pa ndonjë problem të theksuar, ndonëse secila parti përplasej me veten se do t'i fitojë zgjedhjet, secila parti mundohej t'i bindte votuesit se do të dalë e para. Dhe kjo është krejt normale, fontanë dëshirash. Por, sipas rezultateve paraprake, këto dëshira nuk u realizuan gati për asnjërën parti, rezultatet ishin larg dëshirave të tyre”, ka thënë ai.
Më tej, profesori është shprehur se në bazë të rezultatit të këtyre zgjedhjeve, ai është i njëjtë me atë të vitit 2021.
“Zgjedhjet parlamentare, sipas rezultateve paraprake, treguan këto rezultate. KQZ foli duke thënë se këto zgjedhje bindshëm i fitoi përsëri LVV, që ka marrë 341,672 vota ose 40.84%, pastaj në vendin e dytë është PDK me 184,040 vota ose 22.15%, LDK doli e treta me 146,241 vota ose me 17.59%, AAK (me koalicionin saj) doli e katërta me vetëm 62,000 vota ose 7.47%. Siç po shihet, renditja e partive nuk ndryshon hiç nga zgjedhjet e vitit 2021, është e njëjta”, ka deklaruar Maxharraj.