“Gjendja alarmante”, kërkohet angazhim më i madh për dialogun Kosovë-Serbi: Jemi në fundin…!

Politika

“Gjendja alarmante”, kërkohet angazhim më i madh për dialogun Kosovë-Serbi: Jemi në fundin…!

Nga: A.M. Më: 18 shkurt 2025 Në ora: 08:02
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuciq

Së fundi, Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian Kaja Kallas, tha në Bruksel se do ta shqyrtojë mundësinë, së bashku me të dërguarin e ri për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, për ta bërë funksional dialogun mes dy vendeve fqinje.

Këtë deklaratë Kallas e bëri në një bisedë të përbashkët me grupin "Redaksia Evropiane”, ku bëjnë pjesë rreth 20 agjenci evropiane të lajmeve. "Janë dëgjuar kritika rreth formatit të deritashëm të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Kallas.

E në lidhje me atë se çfarë mund të pritet në vazhdim nga dialogu Kosovë-Serbi, foli publicisti Skënder Zogaj.

Ai në një prononcim për “Bota sot” shprehu rëndësinë e emisarit të ri, Peter Sorensen, ku foli edhe për misionin e tij në lidhje me negociatat mes dy palëve.

Po ashtu, vlerësoi se gjendja është alarmate, për këtë duhet angazhim më i shtuar dhe më serioz.

“Emisari special i BE-s për dialogun Kosovë - Serbi, Peter Sorensen, vjen në këtë mision në kohë shumë kritike, sepse në të dy vendet aktualisht ka krizë të thellë të brendshme: në Serbi demonstratat masive dhe në Kosovë mosoajtimet e thella politike pozitë-opozitë, që ekstremisht janë në kundërshtim dhe po e rrezikojnë fatin historik të shtetit të Kosovë!

Gjendja mendoj unë është alarmante, sepse jemi në fundin e kohës së lejuar për vendimin përfundimtar ndaj çështjes së Kosovës, dhe, mosangazhimi serioz dhe i mençur, ka pasoja të mëdha dhe të pariparueshme!”- nënvizoi publicisti.

Image
Skënder Zogaj.

Krahas kësaj, potencoi se emisarin e ri e pret një punë shumë e vështirë, derisa nuk e përjashtoi mundësinë që situata të ketë përparim të shpejtë, nëse SHBA dhe BE angazhohen më shumë për dialogun Kosoë-Serbi.

“Emisarin Sorensen e pret punë delikate sepse dialogu i degraduar është shumë vështirë të funksionalizohet dhe të ofrojë rezultatin e duhur! Por, nëse Sorensenit i ofrohet mbështja adekuate dhe serioze e BE-s dhe SHBA-ve, situata mund të ketë përparim të shpejtë. Sidomos kjo është shumë e kushtëzuar nga serioziteti i Kosovës e cila, ka bërë neglizhime të shumta dhe, nuk i falet nëse vazhdon të sillet papërgjegjshëm ndaj procesit dhe ndaj bashkëveprimit me faktorin ndërkombëtar që, jemi të gjithë dëshmitarë, jemi duke e anashkaluar, sikur Kosova të kishte qenë Angli” – shpjegoi ai.

Ndër të tjera, publicisti përmendi edhe takimin e Sorensen me dy kryenegociatorët, të Kosovës dhe atë të Serbisë.

“Biseda me Bislimin dhe Petkoviqin tregon se Sorenseni është i gatshëm, por kjo gatishmëri që të ketë sukses, duhet të shprehet edhe nga palët dialoguese! Si do të ecin punët do të shihet pas zgjedhjeve në Kosovë, që janë çelësi i pentagramit”, përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Kujtojmë se, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka zhvilluar biseda ta ndara me kryenegociatorët e të dyja vendeve, për herë të parë prej marrjes së detyrës nga paraardhësi i tij Mirosllav Lajçak.

Sorensen shkroi në X: “I vlerësoj bisedat shumë të mira dhe i mirëpres ftesat e tyre për t’i vizituar Kosovën dhe Serbinë”.

Ai nuk dha më shumë hollësi rreth bisedave e as rreth vizitave të mundshme në Prishtinë dhe Beograd.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat