Në Kosovë më 27 prill shënohet Dita Kombëtare e të Zhdukurve nga lufta e fundit 1998/99.
Sipas të dhënave zyrtare, 1.617 persona konsiderohen të zhdukur me forcë që nga lufta e fundit në Kosovë.
Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi.
Autoritetet shtetërore në Kosovë kanë kërkuar që Serbia të hapë arkivat shtetërore, që sipas tyre, do të ndihmonin në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Mirëpo, pavarësisht që është kërkuar nga Serbia që të hapen arkivat shtetëtore, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.
E së fundmi për këtë çështje i është shkruar një letër përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, duke kërkuar hapa konkretë për të detyruar Serbinë të bashkëpunojë dhe të hapë arkivat shtetërore të saj, përfshirë ato ushtarake, policore dhe të inteligjencës.
Këtë letër e ka bërë publike kryesuesi i Komisionit Qeveritar nga Kosova për të Pagjeturit, Andin Hoti.
Ai ka thënë dje se ndërsa Kosova feston këtë ditë historike, nuk mund të harrohen ata që ende nuk janë rikthyer pranë familjeve të tyre.
Në këtë letër, kemi kërkuar:
– Hapjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të arkivave shtetërore të Serbisë, të cilat përmbajnë informacione kyçe mbi vendndodhjen e të zhdukurve.
– Bashkëpunim të plotë për zbardhjen e rolit të forcave paramilitare dhe bashkëpunëtorëve serbë, të cilët, me mbështetjen e regjimit të Millosheviqit, ekzekutuan dhe zhdukën mijëra shqiptarë.
– Llogaridhënie për refuzimin e vazhdueshëm të Serbisë për të dorëzuar informacion mbi varrezat masive të njohura brenda territorit të saj.
E të gjendur në këtë situatë a mund të kemi rezultate konkrete në këtë drejtim pas kësaj letre drejtuar Kallas?
Burjani: Trysni gjithmonë ka pasur, por rezultat asnjëherë
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjani.

Ai thotë se ka pasur trysni gjithmonë, mirëpo që rezultate nuk ka pasur në lidhje me të pagjeturit.
Sipas tij përveç kërkesës që vazhdimisht i është parashtruar Serbisë për të bashkëpunuar e cila as nuk ka qenë e sinqertë, nuk kemi pasur asnjë zhvillim tjetër në këtë drejtim.
“Trysni gjithmonë ka pasur, por rezultat asnjëherë, pra kërkesa gjithmonë ka pas për të pagjeturit që të gjenden, por deri tash nuk ka rezultat. Për gati 26 vjet, nuk po gjenden të pagjeturit, por po kërkohen, me shumë fjalë politike se sa suksese, kërkesat e vazhduara për BE dhe SHBA nuk kanë munguar por ende gjendja e njëjtë. Vetëm kërkesë për Serbinë që të bashkëpunojë.
Për këtë çështje, tash Serbia asnjëherë nuk ka qenë e sinqertë dhe jopolitike për një çështje humane, Serbia nuk ka bartë pasoja, për shkak vrasjeve masive të shqiptarëve”, u shpreh ai.
Më tej, juristi theksoi që Serbia nuk ka kërkuar as falje ndaj familjarëve e aq më pak ndonjë gjë tjetër në këtë drejtim.
“Përveç të dënimit të personave në Hagë kriminelëve serbeë, por asnjë zhdëmtim nuk ka bërë ndaj familjeve dhe nuk ka pas presion për zhdëmtim, madje as falje s’ka kërkuar ndaj këtyre familjeve”, foli Burjani për “Bota sot”.
Mehmeti: Të zhdukurit janë plagë e madhe
Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që të zhdukurit janë plagë e hapur për Kosovën dhe se kërkesa e presione tek ndërkombëtarët duhet të ketë më shumë, në mënyrë që Serbia të tregoj fatin e të pagjeturve.

“Të zhdukurit janë plagë e madhe, e hapur e që pikon gjak në hartën e Kosovës. Kërkesa e z.Hoti është e drejtë, aq më tepër merr peshë kur familjari i tyre Ukshin Hoti, ende është i zhdukur. Kosova duhet të bëj sa më shumë kërkesa, presion tek BE dhe SHBA në mënyrë që ajo të detyrojë Serbinë për të treguar për fatin e të pagjeturve”, thotë ai.
Në fund, analisti vlerësoi letrën e Hotit me shpresën se do të ketë rezultate në këtë drejtim.
“S’mund të ketë kurrë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë pa u zbardhur fati i të pagjeturëve, ndryshe çdo gjë e kot dhe pa kuptim. E vlerësoj shumë letrën e Andin Hotit me shpresën se do të jetë edhe më i zëshëm në këtë drejtim, vetëm preisoni i madh e detyronë Serbinë për të zbardhur fatin e tyre”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.