Veriu i Kosovës ende mbetet temë e nxehtë në Kosovë.
Atje kanë vepruar bandat kriminale të Serbisë, madje më 2023 kriminelët serbë vranë edhe rreshterin Afrim Bunjaku, në një konflikt në veri. Derisa, sot që shkruajmë situata është e qetë.
Se Kosova duhet të përgatitet për një konflikt, e ka thënë edhe një historian zvicran.
Historiani i njohur zviceran Oliver Jens Schmit, ka paralajmëruar se Kosova duhet të përgatitet “për një konflikt të mundshëm ushtarak”.
Meha: Nga Serbia është rreziku nga ndonjë sulm nga grupe të stërvitura nëpër kazermat e Serbisë
Njohësi i sigurisë, Xhevat Meha në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se kjo nuk është diçka e re, por rreziku më i madh është ai nga grupet e stërvituara nëpër kazermat e Serbisë.
“Historiani austriak Schmitt paska deklaruar se Kosova rrezikohet nga Serbia. Rrezikimi i Kosovës nga Serbia nuk është lajm. Z. Schmitt veçse e ka dramatizuar sepse ky rrezikim është diçka e përhershme. Rreziku më konkret i Kosovës nga Serbia është rreziku nga ndonjë sulm nga grupe të stërvitura nëpër kazermat e Serbisë. Rreziku se do të ndodhë ndonjë sulm nga ushtria serbe është i vogël, për faktin se do të ballafaqohen me KFOR-in me të cilin nuk kanë shanse”, deklaron ai.

Tutje, Meha thotë se ato grupe janë stërvitur së paku nga pranvera e vitit të kaluar, duke shpjeguar se kjo stërvitje ka dy qëllime.
“Grupe të individëve të armatosur janë duke u stërvitur së paku nga pranvera e vitit të kaluar. Dhe kjo stërvitje nuk është organizuar kot-së-koti nga shteti i Serbisë. Kjo stërvitje ose është organizuar për të shantazhuar Kosovën ose për ta përdorur për ndonjë sulm. Gjasat se këto grupe do të sulmojnë tani janë më të mëdha, në fakt kanë qenë të rritura qysh se janë intensifikuar demostratat kundër Vuçiçit. Sigurisht se ekziston rreziku, tani i rritur, se këto grupe do të përdoren nga Vuçiç si shpëtim nga rrezikimi i humbjes së pushtetit, kuptohet për të përqendruar vëmendjen diku tjetër”, thekson ai.
Dashevci: Neve rreziku na vjen vetëm nga Serbia
Kurse, ekspreti tjetër i sigurisë, Arben Dashevci, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se rreziku i vetëm për Kosovën vije nga Serbia, duke shtuar se sa më shpejtë duhet të krijohet qeveria e re.

“Historiani zviceran, Oliver Jens Schmit, ka dhënë mendimin e tij për sigurinë e Kosovës, duke e cilësuar atë si një nga shtetet më të rrezikuara në Evropë. Ai theksoi se shteti ynë duhet të përgatitet për mundësinë e një konflikti ushtarak dhe të ketë një qeveri të qëndrueshme.
Sipas asaj që mendoj unë është mendim i drejtë dhe real.
Mendoj se Republika e Kosovës duhet ta krijojë sa më shpejtë një qeveri.
Mendoj gjithashtu se Kosova nuk ka luks për asnjë ngërç politik, ka nevojë për qëndrueshmëri që të jetë një hap me kohën dhe partnerët strategjik, në këtë vit mjaft sfidues në aspektin e sigurisë ashtu siç ka qenë edhe viti 2024.
Neve rreziku na vjen vetëm nga Serbia, deklaratat e atij presidenti atje dje janë të njëtat deklarata siç kanë qenë edhe më përpara, gjithmonë duke na provokuar dhe sulmuar në çdo fjalim neve si shtet”, nënvizon ai.
Dashevci thotë se diplomacia jonë duhet të jetë shumë proaktive që t’i informojë partnerët strategjikë për çdo tentativë të Serbisë kundrejt Republikës së Kosovës.
“Duke pasur parasysh protestat atje që nuk mbahen në mend deri më sot, ai tenton me çdo kusht ta zhvendos vëmendjen dhe gjithmonë mirret me ne si shtet që t’i shpëtoj situatës që ndodhet.
Fundi i tij politik tashmë po shihet, por Kosova duhet ta ketë vigjilencën maksimale, duhet ta forcojmë ushtrinë në maksimum, t’i kemi kapacitetet mbrojtëse si preventivë kundrejtë çdo rreziku që na vjen.
Diplomacia jonë duhet të jetë shumë proaktive që t’i informoi partnerët strategjikë për çdo tentativë të Serbisë kundrejt Republikës së Kosovës.
Ne duhet të jemi në një hap me SHBA-të, duhet të jemi në koordinim të plotë me ta, duhet t’i forcojmë lidhjet sa më shumë sepse jemi krijesë e SHBA -së.
Mendoj se duhet dhënë maksimumin tonë që të anëtarësohemi sa më shpejtë në NATO, me anëtarësim në aleancë për ne si shtet mbaron çfardo lloj rreziku ose kërcënimi nga Serbia, sepse atëherë jemi direkt nën ombrellën e mbrojtjes të aleancës më të fuqishme NATO-s”, përfundon ai për “Bota sot”.