Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi urime të shumta nga shtetet mike të vendit tonë, për nder të 17-vjetorit të Pavarësisë.
Një ndër letrat më të rëndësishme, konsiderohet ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në letrën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, shkruhet se “Rrugëtimi i Kosovës si komb sovran është shënuar me qëndrueshmëri dhe vendosmëri”.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Kosovën dhe përkushtimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike, ku të gjithë qytetarët e saj mund të jetojnë dhe të lulëzojnë së bashku. Lidhjet midis njerëzve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato lidhje, duke përfshirë rritjen e mundësive për investime, për të sjellë prosperitet më të madh për të dy kombet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën, pasi ajo forcon institucionet demokratike dhe promovon rritjen ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi.
Shtetet e Bashkuara mezi presin të ndërtojnë një marrëdhënie më produktive me qeverinë e Kosovës në vitin e ardhshëm. Ndërsa punojmë me Kosovën dhe fqinjët e saj për të ndërtuar një rajon më të begatë dhe më të sigurt, është e rëndësishme që Kosova të integrohet më tej me komunitetin euroatlantik. Mbështetja e palëkundur e Kosovës për Ukrainën përballë agresionit rus vlerësohet shumë.
Përvjetori i pavarësisë së Kosovës është një kohë për të nderuar arritjet e kaluara, si dhe për të parë drejt një të ardhmeje më të ndritshme dhe lidhjeve më të thella ndërmjet kombeve tona”, thuhet në letrën e presidentit Trump.
Por, kjo letër e presidentit të sapozgjedhur amerikan, a dallon nga ajo e paraardhësit të tij, ish-presidentit Joe Biden? Për këtë çështje kanë folur njohësit e çështjeve politike, duke treguar se cilat tema kanë përmendur presidentët e SHBA-së dhe cilat jo.
Politologu Gjanaj analizon letrën e Trump-it dhe me atë të Biden-it

Politologu Ramadan Gjanaj, në një prononcim për 'Bota sot', ka deklaruar se letra e Presidentit Trump për Ditën e Pavarësisë ka përcjellë një mesazh mbështetjeje për Kosovën. Ai ka përmendur disa pika kyçe në të cilat është fokusuar kjo letër.
“Edhe pse nuk është e detyrueshme, dërgimi i urimeve me rastin e festës kombëtare është një praktikë e zakonshme në diplomaci, që shërben si një sinjal politik dhe një mjet komunikimi midis shteteve. Toni i këtyre mesazheve varen kryesisht nga niveli i marrëdhënieve dypalëshe si dhe nga interesat strategjike në lojë.
Në këtë rast, letra e Presidentit Donald Trump për Ditën e Pavarësisë së Kosovës përcjell një mesazh mbështetjeje për vendin, duke theksuar përkushtimin e SHBA-së për marrëdhënie të forta dhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ajo vendos një fokus të veçantë në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve, duke e lidhur këtë me prosperitetin e përbashkët të të dy vendeve.
Trump gjithashtu nënvizon rëndësinë e forcimit të institucioneve demokratike dhe krijimit të një mjedisi të qëndrueshëm biznesor, si një rrugë për rritjen ekonomike. Ai thekson mbështetjen e SHBA-së për Kosovën në kuadër të integrimit euroatlantik, por pa u përqendruar drejtpërdrejt në procesin e dialogut me Serbinë apo njohjen reciproke.
Një element tjetër me rëndësi në letrën e Trump është vlerësimi për mbështetjen e Kosovës ndaj Ukrainës, duke e pozicionuar Kosovën si një aleate të SHBA-së në çështjet globale të sigurisë. Në përgjithësi, letra e tij reflekton një qasje pragmatike, duke e parë Kosovën si një partner strategjik për sigurinë dhe investimet, ndërkohë që shmang detajet mbi procesin e dialogut dhe reformat specifike politike”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Më tej, Gjanaj ka shpjeguar se pse është i rëndësishme urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, duke theksuar se një letër e tillë mund të ketë ndikim edhe në aspektet politike dhe ekonomike.
“Letra e urimit nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për Republikën e Kosovës është e një rëndësie të madhe, pasi përfaqëson vazhdimësinë e mbështetjes së fuqishme të SHBA-së për sovranitetin dhe zhvillimin e Kosovës. Që nga shpallja e pavarësisë, Shtetet e Bashkuara kanë qenë një partner kyç në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës, forcimin e sigurisë dhe promovimin e integrimit ndërkombëtar. Një letër e tillë riafirmon këtë përkushtim dhe dërgon një mesazh të qartë se Kosova mbetet një aleate për politikën e jashtme amerikane.
Përveç dimensionit diplomatik, një letër urimi nga Presidenti i SHBA-ve mund te ketë edhe ndikim në aspektet politike dhe ekonomike. Ajo rikonfirmon mbështetjen për stabilitetin e Kosovës dhe ndihmon në forcimin e besimit të investitorëve ndërkombëtarë, të cilët e shohin përkrahjen amerikane si një garanci për një mjedis të sigurt dhe të favorshëm për zhvillim ekonomik.
Gjithashtu, kjo letër ka një rëndësi të madhe sidomos për qytetarët e Kosovës, duke u dhënë atyre sigurinë se aleanca me SHBA-në mbetet e fortë dhe se vendi gëzon mbështetjen e një prej fuqive më të mëdha botërore. Për një shtet të vogël si Kosova, të kesh përkrahjen e SHBA-së jo vetëm që forcon pozitën e saj ndërkombëtare, por edhe ndikon pozitivisht në proceset e saj të brendshme politike dhe reformuese”, ka vlerësuar ai.
Gjithashtu, politologu ka bërë një analizë të letrës së Presidentit Trump dhe të asaj të ish-Presidentit Joe Biden (të cilën e kishte dërguar vitin e kaluar), duke treguar dallimet mes këtyre të fundit.
“Dallimet mes letrës së Presidentit Donald Trump dhe asaj të ish-Presidentit Joe Biden qëndrojnë kryesisht në qasjen e tyre ndaj Kosovës dhe marrëdhënieve dypalëshe.
Letra e Biden ka një ton më institucional dhe diplomatik, duke theksuar rëndësinë e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-së për një Kosovë multietnike. Ai vendos një fokus të veçantë në dialogun me Serbinë dhe thekson nevojën për të zbatuar marrëveshjet e arritura si pjesë e procesit të normalizimit. Për më tepër, Biden e lidh të ardhmen e Kosovës me përpjekjet për reforma demokratike dhe sundimin e ligjit, duke e konsideruar këtë si çelës për integrimin e mëtejshëm në BE dhe NATO.
Nga ana tjetër, letra e Trump ka një qasje më pragmatike dhe ekonomike. Ajo përqendrohet më shumë në rritjen e mundësive për investime dhe zhvillimin ekonomik si shtyllë kryesore të marrëdhënieve Kosovë-SHBA. Edhe pse mbështet integrimin e Kosovës në komunitetin euroatlantik, Trump nuk e përmend drejtpërdrejt dialogun me Serbinë apo nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
“Një tjetër ndryshim i dukshëm është mënyra se si të dy presidentët i referohen mbështetjes së Kosovës për Ukrainën. Të dy e vlerësojnë qëndrimin e Kosovës kundër agresionit rus, por Biden e lidh këtë me angazhimin e përbashkët për demokracinë dhe sigurinë globale, ndërsa Trump e përmend në një kontekst më të përgjithshëm të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në thelb, letra e Biden është më e orientuar drejt politikës institucionale dhe strategjisë afatgjatë për integrimin e Kosovës, ndërsa letra e Trump vendos theksin te zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi praktik mes dy vendeve”, ka shpjeguar Gjanaj.
Urimi i Presidentit Trump, Ahmeti: Një sinjal i qartë se marrëdhëniet bilaterale SHBA-Kosovë janë të qëndrueshme

Në anën tjetër, analisti politik Hidajet Ahmeti ka shpjeguar se çfarë sinjali përcjell letra e presidentit Trump.
“Letra e urimit nga Presidenti i SHBA-së, Donald J. Trump, për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, është një sinjal i qartë se marrëdhëniet bilaterale SHBA-Kosovë janë të qëndrueshme në kontekstin e të ardhmes”, ka vlerësuar ai.
ka theksuar se SHBA-të nuk bëjnë politika ditore, por ndjekin strategji afatgjata.
“Shteti i Kosovës është një projekt ndërkombëtar, veçanërisht i SHBA-së. SHBA-të nuk bëjnë politika ditore, por bëjnë strategji afatgjata, dhe marrëdhëniet e shëndosha nuk ndryshojnë, përveç nëse disa persona mendojnë ndryshe në disa studio televizive”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së, janë të forta dhe do të forcohen edhe më shumë në të ardhmen.
“Shteti i Kosovës është me fat që është rreshtuar përkrah SHBA-ve, dhe këto marrëdhënie do të forcohen akoma më shumë, pasi populli shqiptar është populli më pro-amerikan në botë”, ka përfunduar Ahmeti për “Bota sot”.