‘Shpërthimi’ i Ardian Kastratit, çfarë po ndodh pas zgjedhjeve – a po fillojnë përçarjet në PDK?

Politika

‘Shpërthimi’ i Ardian Kastratit, çfarë po ndodh pas zgjedhjeve – a po fillojnë përçarjet në PDK?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 19 shkurt 2025 Në ora: 16:19
Ardian Kastrati

Nga rezultatet e publikuara deri më tani të zgjedhjeve të 9 shkurtit, është bërë e ditur se shumë figura të partive politike, që kanë qenë deputetë kanë mbetur pa ulëse në Kuvend.

Disa prej tyre kanë qenë befasi, e disa janë irrituar dhe kanë akuzuar për ‘bllokadë të votave’.

Ngjashëm, në këtë rast, ka reaguar Ardian Kastrati, kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, i cili në legjistraturën e kaluara ishte zgjedhur deputet.

Mirëpo, si duket ky i fundit nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për të marrë edhe një mandat në Kuvend.

E për këtë, Kastrati ka ‘shpërthyer’ ashpër me kritika ndaj Memlit Krasniqit dhe ‘bandës’ së tij.

Në një postim në Facebook, publikoi një arsyetim se pse nuk ka marrë vota të mjaftueshme.

Kandidati i PDK-së nuk i ndali akuzat ndaj kreut të partisë dhe ‘ushtaraët e vasalët’ të tij.

“Miq, arsyeja që "nuk jam votuar" është sepse unë i kam dalur kundër Memli Krasniqit për koalicionin PDK-VV.

I kam thënë këtij Memlit, pas takimit të tij me Kurtin, që nëse bën koalicion me VV-në (për interesa të Memlit) unë jo vetëm që do të kundërshtoj publikisht, por kudo që je ti, duke ngrënë darkat e tua të shtrenjta në Hotel Emerald, do të vij të gjuaj me ngjyrë në lule të ballit.

Si pasojë, të gjithë ushtarët e vasalët e Memlit janë mobilizuar për të ma bllokuar votën nëpër të gjitha strukturat e PDK-së, duke i ndikuar dhe duke i devijuar votat e zemrës së PDK-së... dhe jo vetëm”, shkroi në Facebook, përcjell “Bota sot”.

Kjo deklaratë e Ardian Kastratit hodhi dyshime për një përçarje të mundshme, gjë për të cilën ishte përfolur që një kohë të gjatë në media.

Por, çfarë mund të pritet në vazhdim, a do të ketë përçarje edhe më të mëdha brenda kësaj partisë dhe si do ndikonte kjo gjë?

Haziri: Kjo deklaratë për mua, më shumë është frustrim i z. Kastrati

Image
Nexhat Haziri

E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli analisti politik, Nexhat Haziri.

Së pari, ai tha se ky ‘shpërthim’ i Kastratit nuk paraqet domosdoshmërisht një përçarje brenda partisë, pasi ai nuk është një figurë e rëndësishme e PDK-së.

“Nuk mendoj se kjo paraqet një përçarje brenda PDK-së, duke marrë parasyshë se Ardian Kastrati nuk është një figurë me peshë politike në PDK, përkundër se ka qenë deputet nga radhët e këtij subjekti politik në mandatin e legjislaturës që tashmë e ka mbyllur mandatin e vet”.

Krahas kësaj, Haziri këtë deklaratë e cilësoi si frustrim të Kastratit, i cili mund të ketë ardh nga akumulimi i pakënaqësive të tij

“Kjo deklaratë për mua, më shumë është frustrim i z. Kastrati me numrin e votave të marra apo që edhe mund të i jetë akumuluar edhe nga paknaqësia e tij edhe me numrin që është vendusr në listën kandiduese për deputetë të PDK-së. Pra, të tjera janë ato përsonalitete në PDK, që kanë peshë politike dhe ndikim që do të mund të paraqitnin ndonjë përçarje brenda këtij subjekti politik, por ky nuk është Ardin Kastrati”, shpjegoi ai.

Ndër të tjera, analisti paralajmëroi se pakënaqësi të ngajshme në vazhdim do ketë edhe nga figura politike të partive tjera.

“Të tilla pakënqësi dhe të tillë zëra do të kemi në ditët në vazhdim edhe brenda subjekteve të tjera politike, si rezultat i mos marrjes së mandateve për deputet dhe paknaqësitë e tyre me rezultatin e votave të tyre, fajin do të mundohen ta bartin në adresa të tjera, e më së shpeshti të liderët e tyre partiak, siç është rasti me z. Kastrati”, përfundoi Nexhat Haziri për “Bota sot”.

Halimi: Është normale, në çdo demokraci mundet me pas mes vete përçarje brenda individëve

Image
Jeton Halimi

Ndërsa, analisti tjetër, Jeton Halimi u shpreh se reagimi i Kastratit erdhi pas konkurrencës që kanë fraksionet e ndryshme brenda PDK-së.

Madje, ai u shpreh i befasuar se si deputeti në fjalë nuk e di se “ka marrëveshje për qeverisje” mes PDK e LVV-së.

“Këto pakënaqësi të ish deputetit nga radhët e PDK-së, vijnë si pasojë e konkurrencës shumë të fortë që kanë brenda PDK-së farksione të ndryshme. Deputetit Kastrati është qudi e madhe si i ka ikur ky informacion, se partia e tij është takuar dhe ka bërë marrëveshje për qeverisje me VV-në, kjo është dobësi e ti, e jo dobësi e kundërshtarëve brenda PDK-së”, deklaroi ai.

Po ashtu, Halimi foli mbi faktin se a është shenjë se ka përçarje brenda PDK-së.

Sipas tij, kjo është një lloj pakënaqësie, por përçarje të thellë brenda kësaj partie nuk pret.

“Është normale, në çdo demokraci mundet me pas mes vete përçarje brenda individëve, brenda partisë. Në rastin e PDK-së, kjo parti nuk lë njeri sado i fortë me qenë, nuk lejon brenda partisë me bo përçarje, kjo është shumë e sigurt. Përçarje nuk pritet të këtë në PDK”.

Në fund, ai paralajmëroi bashkëpunim mes PDK-së dhe LVV-së edhe në nivel lokal, ku dha parashikime befasuese.

“Kjo qeveri i hapi shumë rrugë tjera PDK-së dhe VV-së edhe për marrëveshje tjera, në zgjedhjet komunale një bashkëqeversije sidomos në Prishtinë, që mundet me deklasu LDK-në për toke, nëse marrin kryeqyetin Prishtinën.

LDK-ja duhet të bëjë reformime të forta në Prishtinë, me kyretarët e degëve dhe nëndegëve, pasi kanë bërë klane me njerëz analfabeta vetëm për intersat personale dhe klanore për oligarkët e tyre, kjo e ka dëmtu Lumir Abdixhikun, si dhe LDK-në në përgjithësi”, përmbylli Jeton Halimi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat