Dikur ishte partia e parë në Kosovë, por të njëjtën gjë nuk mund ta themi edhe tani. Lidhja Demokratike e Kosovës është renditur e treta në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ajo arriti t’i merrte vetëm 17,67% të votave. Ky rezultat nuk është pritur aspak mirë.
Profesori Binak Maxharraj, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, e ka kritikuar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për të cilin thotë se i ka 'ngrënë' fjalët, duke premtuar dorëheqje nëse nuk del mirë në zgjedhje.
“Kësaj radhe dua të ndalemi në veçanti tek rezultati i LDK-së, pasi lideri i saj, Abdixhiku, trumbetoi fuqishëm me zë të lartë se do të jemi partia e parë dhe se kjo parti do ta formojë edhe qeverinë me Abdixhikun si kryeministër. Por, kështu nuk mendoi sovrani, kësaj partie ia dha 147.827 vota ose 17,67%, ndërsa kjo parti kishte marrë në vitin 2021 vetëm 110 mijë vota ose 12,73%, ose me shumë për vetëm 37.800 vota.
Në konferencën e fundit, lideri i kësaj partie nuk i ka quajtur si dështim, por si të mira, për lakmi, sepse i ka fituar vetëm 37.800 vota më shumë në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021. Kjo do të thotë se ky rezultat është shumë larg nga pritjet e kësaj partie, e cila bile edhe trumbetonte se do të dilte e para. Gjatë fushatës elektorale, Abdixhiku trumbetonte se do të jepte dorëheqje nëse LDK nuk dilte mirë në zgjedhje.
Dhe tani, kur LDK nuk doli mirë në zgjedhje, publikisht i ka ngrënë fjalët, duke theksuar se nuk do të japë dorëheqje.
Por Abdixhiku po e lajthit vetën, nuk është i ndërgjegjshëm për premtimin e dhënë se nëse nuk del mirë në zgjedhje do të japë dorëheqje, por nuk doli ashtu. A mos ishte kjo deklaratë vetëm ta frikësonte elektoratin se mos po mbetet LDK pa Abdixhikun dhe do të bëhet kijameti? Por, megjithatë, opinioni dhe mediat janë gjithnjë më të zëshëm në kërkesat për dorëheqjen e Abdixhikut nga LDK. Liderët që para zgjedhjeve premtojnë dorëheqje nëse nuk dalin mirë në zgjedhje dhe më pas i 'hanë fjalët', siç po i hanë tani vetë Abdixhiku”, ka thënë ai.
Gjithashtu, profesori ka ngritur disa çështje se çfarë ka ndodhur dhe po ndodh në LDK që nga largimi nga jeta i liderit historik, Ibrahim Rugova.
Ai shton se kjo parti nuk po mundet të ngrihet në këmbë dhe se i duhet një reformë rrënjësore për t’i larguar të gjithë aktorët e klanit të ish-kryetarit Mustafa.
“Diçka me partinë e Ibrahim Rugovës, LDK, nuk është në rregull, për shkak se këtë parti e rrëmbeu klani i Isa Mustafës, i cili për katër vjet në krye të LDK e rrëzoi atë në zgjedhjet e vitit 2021 në vetëm 12%, duke dalë jashtë parimeve dhe qëndrimeve të anëtarësisë dhe elektoratit, duke hyrë në gjirin e PDK-së të Hashim Thaçit, i cili kishte qëllimin kryesor poshtërimin e LDK-së. U përzi shumë në punët 'e brendshme të LDK-së'
Dhe pikërisht këtu është nyja e LDK-së që s’po mund ta marrë veten. Pas vdekjes së liderit të LDK-së, Ibrahim Rugovës, gati se LDK-në e zapuan njerëzit që ishin të vonë në LDK, si Isa Mustafa dhe Lumir Abdixhiku, të cilët nuk bënë asgjë për ringritjen e LDK-së, por vetëm sa e shkatërruan atë. Anipse LDK, kur Mustafa e rrëzoi në 12%, atëherë as kush nuk kërkoi përgjegjësi se pse i ndodhi kjo dërgje LDK-së. Rënien e LDK-së në vetëm 12% ku e çoi Isa Mustafa, nuk u kërkua kurrfarë përgjegjësie se pse kjo i ndodhi LDK-së. Bile për këtë nuk guxoi të diskutojë as Kryesia e LDK-së, as Këshilli i Përgjithshëm, nuk thanë asnjë fjalë për rënien kaq drastike të LDK-së, por përkundrazi, Isa Mustafën e zgjodhën si kryetar nderi i përjetshëm i LDK-së. Kurse si shpërblim për këtë, Isa Mustafa, anipse dha me vullnetin e tij dorëheqje, e la si trashëgimtar anëtarin e Klanit Isa Mustafa, Lumir Abdixhikun. I cili e rrokullisi LDK-në nëpër disa rrugë dhe rrugica të reja, duke e lënë pas rrugën e Ibrahim Rugovës, u mundua që LDK ta nxjerrë nga 'ferri i Isa Mustafës', por nuk ia arriti dhe luajti lojën për shefin e vet, Isa Mustafën. Edhe me Abdixhikun, LDK nuk u reformua sa duhet dhe siç duhet. Nuk është reformim kur në LDK liferojnë dy-tre individë, si Kica, etj. LDK-së i duhet një reformë rrënjësore për t’i larguar të gjithë aktorët e klanit të Isa Mustafës, i cili e shkatërroi LDK-në duke e çuar në vetëm 12%”, ka shpjeguar Maxharraj.
Më tej, për rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, sipas profesorit, ky është një dështim dhe duhet të shërbejë si një reflektim për të rinovuar LDK-në me figura të reja pro-rugoviane.
“Por rritja e LDK-së për 5% në 17% në zgjedhjet e fundit parlamentare nuk duhet të jetë e kënaqshme, por si një dështim dhe dështim, si një mësim për të reflektuar për ndryshime më thelbësore, duke e rinovuar LDK-në me figura të reja pro-rugoviane, e jo të marrë aso kuadrosh që dalin apo ndiqen, apo nuk janë të kënaqur me partitë e tyre dhe kërkojnë shpëtim duke hyrë në LDK.
Për në fund, pas rezultatit jo të kënaqshëm në zgjedhjet e fundit parlamentare, duhet të reflektojë fuqishëm duke bërë reforma rrënjësore në parti, me program të fuqishëm pro-rugovian, sepse ekziston në opinionin e përgjithshëm në Kosovë se LDK e ka lëshuar rrugën e Ibrahim Rugovës, rrugë kjo e cila e solli LDK-në në piedestalin e partive të tjera. Por kjo rrugë tjetër 'Rruga e Re' është një rrugë për shkatërrimin e LDK-së.
Pasiqë LDK u deklarua se nuk është e kënaqshme me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare, duke dalë vetëm me 17%, Kryesia e saj duhet të reflektojë fuqishëm së pari. Këto ditë po janë zërat gjithnjë e më të fuqishëm që lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me çdo kusht duhet të japë dorëheqje, si akt i parë i ndërgjegjës dhe i përgjegjësisë për rezultatin e dobët. Dorëheqja e Abdixhikut duhet të jetë e pashmangshme nëse do të ecë përpara LDK-ja. Lumir, ik nga LDK-ja sa nuk të kanë zënë stuhitë apo furtunat e anëtarësisë së LDK-së”, ka përfunduar Maxharraj për “Bota sot”.