Disa nga rezultatet preliminare tashmë janë bërë të ditura për disa kandidatë nga parti të ndryshme politike. Deri diku po dihet se kush ka siguruar një ulëse në Kuvend për mandatin e ri.
Analistja politike, Magbule Shkodra e pyetur se kush mund të quhet fitues e kush humbës nga kandidatët për deputetë, thotë për ‘Bota sot’ se, ka raste që deputetë shumë aktivë nuk kanë marrë votat e mjaftueshme, por ka edhe nga ata që kanë qenë pasiv dhe kanë fituar sërish.
“Nëse i shikojmë listat preliminare që po dalin këto ditë se kush mund të jenë deputetët në Parlamentin e Kosovës, vërejmë se ka raste, që psh ka deputetë që kanë qenë shumë aktiv, sic ësht rasti i Besnik Tahirit, i cili nuk ka arritur të siguroj një ulëse në Kuvend, në anën tjetër kemi raste kur deputetët nuk kanë folur asnjëherë në Parlament dhe disa prej tyre edhe janë zgjedhur ose karriera e tyre gjatë këtij mandati 4 vjeqar ka qenë e përfshirë me skandale, por që kan arritur të sigurojnë një ulëse në Parlamentin e Kosovës.

Dua të them që nuk është gjithmonë ajo se sa ke qenë aktiv dhe të mund të sigurosh ulëse. Madje, po i shtoj kësaj se mundësia për tu bërë deputet në këto zgjedhje, ishte 10 kandidatë dhe mendoj se këtu është bërë një gabim i madh gjatë reformës zgjedhore, nëse mund të quhet ajo reform, sepse votuesit e kishin të vështirë që të gjenin vërtetë ata që meritonin votën e tyre”, vlerëson ajo.
Sipas saj, në këto raste ‘shumica prej tyre votonin 3-4 kandidatë që i kanë favoritë dhe mendojnë që e meritojnë votën dhe pjesën tjetër duke i shtuar varësisht prej referencave të miqve, familjes dhe në këtë mënyrë po shohim deputetë që nuk e kanë merituar votën dhe janë në parlament dhe deputetë që e kanë merituar voten dhe janë në parlament’.
“E kam thënë gjithmonë dhe prapë e përsëris që gabim është të shkohet në këtë formë, siҫ është bërë me votimin e 10 kandidatëve, që unë e quaj një 10-tëshe famëkeqe dhe në të kaluarën e kishim 5-ëshen famëkeqe. Duhet të ndryshojmë, të bëjmë një reform zgjedhore të tillë, që të paktën ne si votues të kemi mundësinë të votojmë bartësin e listës, pra kandidatin për kryeministër dhe vetëm një deputet. Në këtë mënyrë secili do të mendohej mirë se kë do të votonte dhe do të kishim në parlament deputetë të cilësisë më të lartë”, thotë ajo.
Analistja Shkodra thekson se, votat e Lëvizjes Vetëvendosje janë të gjitha vota të Albin Kurtit, ndërsa kandidatë tjerë kanë fituar krahë tij.
“Sa i përket votave të shumta, psh tek Lëvizja Vetëndosje, dua të them që të gjithë ata që kanë marrë vota në Lëvizjen Vetëvendosje, në atë listë, ato vota janë vota të Albin Kurtit. Dhe ҫdo qytetarë ka zgjedhur Albin Kurti dhe pastaj edhe nëntë kandidatë të tjerë. Pra nëse të njëjtit i qesim në ndonjë listë tjetër, të jeni të bindur se nuk do t’I kishin këto vota. Pra jo të gjithë ata që janë meritor, fitojnë ulëse në Parlamentin e Kosovës, pra qytetarët nuk është se gjithmonë i shpërblejnë ose ndëshkojnë ata që duhet”, vlerëson Shkodra.