Një shkrim i medias gjermane “Bild”, ka tronditur opinionin në Kosovë. Sipas shkrimit të medias, shtetet evropiane janë duke u përgatitur për një tërheqje të mundshme të trupave ushtarake amerikane nga Evropa. Fuqitë më të mëdha të kontinentit të vjetër janë veçanërisht të shqetësuara pas takimit të organizuar në Arabinë Saudite midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë, pasi dyshojnë se kjo mund të çojë drejt largimit të trupave ushtarake amerikane nga Evropa.
Por duket se trupat amerikane nuk do të jenë të vetmet. Sipas informacioneve të BILD, Italia po përgatitet edhe për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane edhe nga Kosova.
“Putini dëshiron që trupat e NATO-s të tërhiqen nga e gjithë ish-perandoria sovjetike. Zyrtarët evropianë besojnë se ka të ngjarë që Trump të pranojë të tërheqë trupat amerikane nga Baltiku dhe ndoshta më në perëndim. Kjo do ta linte BE-në të pambrojtur ndaj një ushtrie ruse.”
Sipas informacioneve të BILD, aktualisht nuk janë në diskutim vetëm bazat amerikane në Ramstein të Gjermanisë dhe bazat e forcave ajrore në Britaninë e Madhe. Pjesa tjetër e Evropës duhet të përgatitet për ndryshime të thella nëse Trump dhe Putin arrijnë një marrëveshje.
Një zyrtar i sigurisë së Evropës Lindore i tha medias gjermane: Sipas informacioneve tona, në negociatat e Riadit u diskutua për kërkesat e Putinit në vitin 2021, pra tërheqjen e trupave amerikane nga të gjitha shtetet e NATO-s që iu bashkuan aleancës pas vitit 1990.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se nëse ndodh tërheqja e trupave amerikane, mund të ketë disa arsye dhe disa pasoja.
Sipas tij, tërheqja e tyre varet nga zhvillimet politike, ushtarake dhe diplomatike.
“Sa i përket lajmit nga BILD dhe mundësisë që Italia të tërheqë trupat amerikane nga Kosova, kjo është një temë që ka shkaktuar shumë spekulime dhe debat. Tërheqja e trupave amerikane nga Kosova, nëse ndodh, mund të ketë disa arsye dhe mund të ketë pasoja të rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Po e ndarë në disa aspekte: Po, është e mundur që trupat amerikane të tërhiqen, por kjo do të varej nga zhvillimet politike, ushtarake dhe diplomatike. Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar politikat e tyre të angazhimit ushtarak në rajon përmes periudhave të ndryshme. Nëse ka një ndryshim të qëndrimeve strategjike të SHBA-së ose një marrëveshje ndërkombëtare, si një angazhim më të fuqishëm të BE-së ose të NATO-s, kjo mund të çojë në një tërheqje të trupave”, shprehet Shala.

Ai parasheh pasoja serioze, nëse tërhiqen trupat amerikanë, gjersa shton se pa praninë e tyre mund të rritet pasiguria dhe tensionet.
“Tërheqja e trupave amerikane nga Kosova mund të ketë pasoja serioze. Trupat amerikane janë pjesë e KFOR-it, forcave të sigurisë ndërkombëtare që garantojnë stabilitetin dhe mbrojtjen e paqes në Kosovë. Pa praninë e tyre, mund të rritet pasiguria, duke përfshirë mundësinë për tensione të rinovuara mes grupeve etnike, si dhe një hapësirë më të madhe për influencën e vendeve të tjera si Rusia ose Serbia, që janë kritike ndaj pavarësisë së Kosovës. Një mundësi është se SHBA mund të ndryshojë strategjinë e saj globale dhe të reduktojë angazhimet ushtarake në rajone që konsiderohen më pak prioritare. Një tjetër mundësi është që Bashkimi Evropian ose NATO të marrin përgjegjësinë e sigurisë në rajon. Disa mund të argumentojnë se është koha që Kosova të kalojë në një fazë të sigurisë dhe mbrojtjes më shumë të udhëhequr nga vendet evropiane”, pohon eksperti i sigurisë.
Ai konsideron se tërheqja duhet të jetë e lidhur me dinamikën ndërkombëtare, por analiza e tij nuk sheh një gjë të tillë.
“Në fund, gjithsesi, ndodhia e një tërheqjeje të trupave amerikane nga Kosova do të jetë shumë e lidhur me dinamiken ndërkombëtare dhe zhvillimet e ardhshme të marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos ato që lidhen me Ballkanin dhe aleancat perëndimore. Në anën tjetër mbetet për të parë veprimet e administratës se Presidentit Trump por nga analiza ime nuk shoh një gjë e tillë të ndodh”, përfundon Shala.
Forcat amerikane janë të stacionuara në kampin Bondsteel, në afërsi të Ferizajt, rreth 40 kilometra nga Prishtina dhe operojnë së bashku me partnerët tjerë në kuadër të KFOR-it, misioni i të cilit në Kosovë realizohet në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Bondsteel është kampi ushtarak amerikan i vetëm në Evropën Juglindore.
Forcat ushtarake amerikane janë të pranishme në Kosovë, në kuadër të forcave të NATO-s, që nga përfundimi i luftës dhe largimi i forcave serbe, në vitin 1999. Aktualisht, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka 3.746 trupa që vijnë nga 28 vende të botës. Forcat amerikane në këtë mision numërojnë 635 ushtarë dhe shënojnë praninë më të madhe ushtarake në krahasim me 27 vendet tjera pjesëmarrëse në këtë mision.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një numër të madh të bazave ushtarake në Evropë. Prania më e madhe ushtarake amerikane është në Gjermani, ndërkaq baza ushtarake të SHBA-së ka edhe në Itali, Britani të Madhe, Portugali, Turqi, Belgjikë, Spanjë, Bullgari, Holandë, Hungari, Greqi dhe të tjera.