Në Kosovë përfundoi procesi i votimit për zgjedhjet e rregullta parlamentare, pas një mandati katër vjeҫar të qeverisë së kryesuar nga Lëvizja Vetëvendosje drejtuar nga Albin Kurti.
Në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje është partia që ka marrë më së shumti vota.
Kjo parti ka fituar rreth 41 për qind të votave, me 22.37 për qind të votave, e dyta u rendit Partia Demokratike e Kosovës, ndërkaq e treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.57 për qind të votave.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë fitoi 7.56 për qind të votave.
Lista Serbe ka fituar 3.98 për qind të votave, që nënkupton shumicën e votave të komunitetit serb në garë me pesë subjekte të tjera politike që garuan për votat e këtij komuniteti.
E në lidhje me ecurinë e procesit të zgjedhjeve ka folur ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka akuzuar Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë, duke kërkuar vota për Listën Srpska.
Ai e bazoi këtë duke e cituar kryevëzhguesen e Bashkimit Europian për zgjedhjet në Kosovë, Nathalie Loiseau.
Po ashtu, Rohde tha se Serbia pa bazë e akuzon Kosovën për mbështetje të protestave në Serbi.
“Këto sulme dhe fushata shtrihen përtej kufirit serb. Siç theksoi shefja e Misionit Vëzhgues i BE-së për Zgjedhjet në Kosovë, Loiseau, Serbia ndërhyri në zgjedhjet e Kosovës duke promovuar votat për Listën Serbe. Në të njëjtën kohë, Serbia në mënyrë të pabazë akuzon Kosovën për mbështetjen e protestave të të sinqerta në Serbi pa asnjë provë”, tha Rohde në BlueSky, ndërsa shpërndau një postim të Ministrisë së Jashtme gjermane, e cila tha se situata në Serbi mbetet “thellësisht shqetësuese”.
Shabani: Fakti se në Serbi po mbahet protesta masive është se kupa e korrupsionit dhe dështimit të shtetit të së drejtës është mbushur
E në lidhje me këtë deklaratë të Rohdes në në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani.

Ai përshëndeti këtë deklaratë të Rohde duke theksuar që po vë në fokus angazhimin e vazhdueshëm të Serbisë drejt destabilizimit dhe ndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti tjetër, siç është Republika e Kosovës.
“Deklarata e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rhode është për t'u përshëndetur, pasi që po e vë në fokus angazhimin e vazhdueshëm të Serbisë drejt destabilizimit dhe ndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti tjetër siç është Republika e Kosovës”, u shpreh ai.
Më tej, ai përmendi edye protestat në Serbi, duke theksuar që tashmë më shumë se gjysma e serbëve kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.
Sipas tij, është koha e vetëdijësimit të Serbisë për ndalimit e skandaleve të tilla.
“Fakti se në Serbi po mbahet protesta masive është se kupa e korrupsionit dhe dështimit të shtetit të së drejtës është mbushur dhe një regjim i tillë i Vuçiqit është i padurueshëm, mirëpo kjo nuk ka shtytje nga Kosova, por nga vet populli serb, pasi që shumica e popullit e ka pranuar faktin se Kosova është e pavarur nga Serbia, por narativën nacionaliste dhe propagandistike e luan vazhdimisht pushteti. Andaj, koha e vetëdijësimit të Serbisë për ndalimit e skandaleve të tilla ka ardhur që moti, por kjo nuk do të realizohet pa ndryshimin e qeverisë dhe funksionimin e një shteti që do ta pranojë Kosovën si të pavarur”, foli Shabani për “Bota sot”.
Qarri: Të mos lejohet ndërhyrja e Serbisë në punët e brendshme të Kosovës

Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri përmes një bashkëbisedimi me “Bota sot”, thotë që Serbia duhet ta pranojë realitetin dhe ta njoh sovranitetin e Kosovës.
Analisti theksoi që ndërhyrja në zgjedhjet e Kosovës duke cenuar publikisht edhe integritetin e territorit të Kosovës.
“Fatkeqësisht Serbia përveçse kundërshton ta pranojë realitetin e ri të krijuar qysh para 25 vitesh dhe njohë sovranitetin e shtetit të pavarur të Kosovës, ajo vazhdon në mënyrë të pareshtur, para syve të faktorit ndërkombëtar dhe vëzhguesve të huaj, të ndërhyjë në çështjet e brendshme të vendit tonë, që nga rregullimi shtetëror dhe e drejta ligjore, e deri te ndërhyrjet edhe në zgjedhjet e lira e demokratike, që u mbajtën edhe kësaj radhe në Kosovë, duke cenuar publikisht edhe integritetin territorial të vendit tonë, ndaj Kosova, përfundimisht duhet t`ia ndalojë Serbisë, ndërhyrjet e përhershme në çështjet tona të brendshme dhe politikën e shtetit të Kosovës”, thotë ai.
Tutje, analisti vazhdon bisedën duke vlerësuar deklaratën e Rohde duke thënë që ndërhyrja në zgjedhjet në Kosovë, përbën sulme e fushata që shtrihen përtej kufirit serb dhe janë përzierje e drejtpërdrejtë e Serbisë në çështjet e brendshme të Kosovës.
“Siç ka theksuar ambasadori gjerman Jorn Rhode, përveçse Serbia ka ndërhy në zgjedhjet e mbajtura në Kosovë, kryevëzhguesja e Bashkimit Evropian për zgjedhjet në Kosovë, Nathalie Loiseau, ka shtuar se ndërhyrja në zgjedhjet në Kosovë, përbën sulme e fushata që shtrihen përtej kufirit serb dhe janë përzierje e drejtpërdrejtë e Serbisë në çështjet e brendshme dhe mbarëvajtjen e votimeve në një shtet tjetër, siç u dëshmua me rastin e ndërhyrjes së Serbisë në keqpërdorimin e zgjedhjeve të mbajtura në Republikën e Kosovës”, potencon analisti.
Krahas kësaj, analisti përmend edhe akuzat e Serbisë për mbështetjen e Kosovës në protestat në Serbi.
“Madje derisa sipas shefes së Misionit të Vëzhgimit në Kosovë Nathalie Loiseau, Serbia ndërhyri në zgjedhjet e shtetit të Kosovës, duke kërkuar dhe jo vetëm, por siç jemi dëshmitar të gjithë ne, edhe duke blerë e imponuar votat për Listën Serbe, gjë që e thekson edhe ambasadori Rohde në një prononicim të tij, Serbia pa asnjë fakt, krejtësisht në mënyrë të pabazuar, dhe pa asnjë provë të vetme, akuzon Kosovën, për "mbështetjen" e Protestave demokratike, të studentëve dhe qytetarëve në Serbi, të cilat kanë shpërthyer jo për hire të mbështetjes nga Kosova, por për shkak të vdekjes së 15 qytetarëve të pafajshëm nga rrëzimi i kulmit të keqinstruktuar nga firmat kineze, në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ndaj dhe po zgjasin tash e mese 4 muaj me radhë”, shpjegoi analisti.
Në fund, ai nënvizoi që është koha që Serbisë të mos i lejohen më këto gjëra pasi ndërhyrjet në punët e brendshme të Kosovës sipas analisti janë jashtë çdo rregulle.
“Kështu që, derisa Serbia hegjemoniste, përveçse kundërshton ta pranojë realitetin e krijuar qysh para 25 vitesh dhe ta njohë sovranitetin e shtetit të pavarur të Kosovës, ajo vazhdon në mënyrën më të vrazhdët edhe para syve të faktorit ndërkombëtar dhe vëzhguesve të huaj, të ndërhyjë në çështjet e brendshme të vendit tonë, që nga rregullimi shtetëror dhe e drejta ligjore, e deri te ndërhyrjet edhe në zgjedhjet e lira dhe demokratike, që u mbajtën edhe kësaj radhe në Kosovë, duke cenuar publikisht edhe integritetin territorial të vendit tonë, andaj është koha e fundit që Serbisë të mos i bëhen më lëshime të këtij lloji, dhe pamundësohen ndërhyrjet e saj të përhershme në politikën e brendshme të vendit tonë, në mënyrë që, deshi-s`deshi përfundimisht Serbia te vetëdijesohet edhe me ndalesat ligjore, të bazuara në rregullat ndërkombëtare, për mosndërhyrje në çështjet e brendshme të shtetit të pavarur të Kosovës”, përfundoi analisti Qarri për “Bota sot”.