Presidenti Donald Trump i ka ndryshuar ekuilibrat e gjeopolitikës botërore, thuajse po aq sa lufta në Ukrainë ose konflikti në Gaza. Ai po përdor mjetet diplomatike të forcës për t’iu imponuar Fuqive të tjera të Mëdha e mundësisht për të mos i përfillur ato.
Në Riad të Arabisë Saudite, ka nisur bisedimet e para, ku do të marrin pjesë një delegacion amerikan, si edhe delegacioni rus. Por, Evropa dhe Ukraina si viktimë e luftës ruse nuk përfaqësohen në këto bisedime.
Madje presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se shteti i tij nuk do të pranojë asnjë marrëveshje, në të cilën nuk merr pjesë në bisedime.
Formula e re nga Trump
E sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçit, kjo ka ngritur një furtunë reagimesh.
“Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, thirri të hënën një samit të 27 vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe presidentin ukrainas, Zelensky, me qëllim koordinimin e politikave evropiane në çështjen e Ukrainës, Duket se frika është se mos presidenti amerikan pajtohet me një marrëveshje në të cilën nuk mbahen parasysh interesat evropiane dhe ato të viktimës së luftës, Ukrainës. Përjashtimi i Fuqive evropiane nga ky samit është risi e re në këto 35 vitet e fundit. Prandaj dhe reagimi është i madh. Askush nuk kishte pritur se Donald Trump do ta injoronte Evropën në këtë mënyrë”, thotë Bytyçi.
Sipas tij, Trump duket se do ta formulojë rendin e ri botëror me dy Fuqitë e Mëdha, Kinën dhe Rusinë. Rusia nuk është fuqi ekonomike.

“Trump tha të shtunën se ekonomia e Rusisë është sa ajo e Teksasit në SHBA. Por rasti i Ukrainës është disi ndryshe. Në bazë të planit të zgjidhjes të publikuar të dielën, fillimisht do të arrihet marrëveshja e armëpushimit dhe ndërmjet 20 prillit e 9 majit do të nënshkruhet marrëveshja e paqes. Plani duket se është që marrëveshja e paqes do të arrihet ditën e 80 vjetorit të fitores mbi fashizmin. Plani parashikon që fondet për rindërtimin e Ukrainës t’i paguajë Bashkimi Evropian, ndërkohë që Ukrainës do t’i ndalohet të anëtarësohet në NATO. Unë mendoj se lëvizja e tillë e mospërfshirjes së Evropës bëhet me qëllim që të ndikojë për një strategji të re evropiane të mbrojtjes dhe sigurisë. Me qëllim që BE dhe shtetet e saj të rritin buxhetin për ushtrinë dhe armatimin. Pra që vetë këto vende të marrin në dorë fatin e vet. Duket qartë se ka ardhur koha që SHBA-të të tërhiqen ushtarakisht nga Evropa, përkatësisht nga territori i Gjermanisë. Kjo do të thotë se do të duhen më shumë para për sigurinë e Evropës, para të cilat duhet t’i paguajnë vetë shtetet evropiane”, deklaron Bytyçi.
Ai thotë se është pak e besueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës heqin dorë nga partneriteti strategjik me Bashkimin Evropian.
“Është pra një lëvizje me detyrim-përcaktim: - Ose nënshtrojuni Rusisë, ose përgatituni për luftë kundër saj, nëse doni të jetoni në paqe. Prej Luftës së Dytë Botërore e këtej është hera e parë që Uashingtoni bën një lëvizje si kjo. Dhe nuk mendoj se evropianët, pra se Macron dhe shefat e tjerë të shteteve anëtare të BE-së, përfshirë edhe Britaninë e Madhe, kanë potencialin politik, ushtarak etj për t’iu imponuar veprimeve dhe qëndrimeve të presidentit Trump. Megjithatë duhet thënë se shkëmbimet tregtare midis SHBA-ve dhe vendeve të BE-së zënë 1/3 e shkëmbimeve të përgjithshme në rang global. Që do të thotë se marrëdhëniet midis këtyre dy Fuqive më të mëdha ekonomike në botë nuk mund të tensionohen deri në atë masë sa të prishin ekuilibrin e tregtisë midis tyre. Asnjëra palë nuk do të dilte e fituar”, nënvizon Bytyçi.
Por, a mund të ndodhë një gjë e tillë edhe me dialogun Kosovë-Serbi, a mund të SHBA ta marr krejtësisht e vetme në dorë fatin e këtij dialogu?
“Donald Trump i dërgoi një telegram urimi presidentes së Kosovë, Vjosa Osmani. Në atë telegram apo letër urimi ai nuk e përmend dialogun me Serbinë. Flet me gjuhën e pranimit të shtetit të Kosovës. Madje pret që Kosova dhe SHBA-të të forcojnë bashkëpunimin, sidomos në biznes. Ndërkohë që shpreh dëshirën e tij që të ndihmojë për integrimet euro-atlantike të Kosovës. Kjo letër është një lajm i mirë, sepse na bën të besojmë se ajo nuk do të preket nga bisedimet për paqe në Ukrainë. Mendoj se është herët të besohet se dialogu Kosovë-Serbi do të drejtohet nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
“Kjo për faktin se këto bisedime kanë nisur përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit të sponsorizuar nga ish-presidenti Barak Obama. Kjo rezolutë ngarkon Bashkimin Evropian për ndërmjetësim në dialog. Derisa bisedimet, pra dialogu Kosovë-Serbi, janë atribut i Këshillit të Sigurimit, atëherë do të duhet që të ketë një rezolutë tjetër të këtij këshilli, me qëllim që të ndryshojë ndërmjetësuesi. Por Trump mund të aplikojë bisedime të tipit të shtatorit 2020. Prandaj dhe autoritetet e Kosovës duhet të jenë të përgatitura. Nuk duhet të ndodhë që objektivat ekonomike t’i përcaktojë administrata Trump për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë”, shpjegon profesor Bytyçi.
Sipas tij, Qeveria, presidentja e parlamenti duhet të bëjnë një platformë të re.
“Tani shihet qartë se SHBA-të në këmbim të ndihmave për sigurinë dhe mbrojtjen kudo në botë po e kushtëzojnë me privilegje në sipërmarrje, investime dhe shfrytëzimin e pasurive. Kosova nuk bën përjashtim. Ndaj dhe duhet përgatitje, duhet projekt, duhet propozim i saktë dhe i qartë për administratën Trump. Çfarë kërkon dhe çfarë jep Kosova për të arritur shtetësinë e saj. Deri tani pro-serbët kanë thënë se duhet t’i japim Serbisë diçka, që ta fitojmë plotësisht shtetësinë. Në fakt ajo që ata donin t’i jepnin Serbisë ishte shuarja e shtetit. Por tani duhet thënë se “Duhet t’i japim diçka SHBA-ve që ta përfundojmë historinë e krijimit dhe njohjes së plotë të shtetit të Kosovës”!”, përfundon Enver Bytyçi për “Bota sot”.
Dështimi i Evropës në dialogun Kosovë-Serbi
Kurse, analisti Faton Mehmeti shprehet se Evropa ka dështuar në dialogun Kosovë-Serbi.

“Evropa ka dështuar në bisedimet Kosovë Serbi, që 14 vjet kanë nisur bisedimet dhe ende pa epilog. Në këtë kuptim e vlerësoj të drejtë vendimin e Trump që të përjashtojë Evropën nga bisedimet Rusi-Ukrainë, sepse janë të paaftë dhe të anshëm e si rrjedhojë s’mund të ofrojnë përmbyllje të një konflikti”, shprehet Mehmeti.
Siç thotë ai, vetëm SHBA mund ta mbyll me marrëveshje përfundimtare dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Mund të ndodhë dhe duhet të ndodhë që edhe në raport me Kosovën të veprohet kështu, vetëm SHBA mund të përmbyll dialogun Kosovë-Serbi me marrëveshje. Sa për Evropë, BE edhe 100 vjet kështu vazhdon odisea pa asnjë përfundim”, përfundon analisti Faton Mehmeti.