Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, janë dhënë deklarata dhe parashikime të ndryshme mbi atë se si do duhej të dukej qeveria e re e Kosovës.
Në këtë pikë, janë përmendur edhe disa koalicione të mundshme, ndër të cilat është edhe ai mes LVV-së dhe LDK-së.
Në lidhje me këtë çështje ka folur në një prononcim për "Bota sot", veprimtari nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.
Së pari, ai u kthye pas në kohë dhe përmendi prishjen e koalicionit LVV-LDK, e që sipas tij këtë nuk e ka bërë Kurti.
Madje, tha se këtë koalicion e kishin prishur Thaçi, Grenell, Vuçiq, Rama dhe Mustafa.

“Akuza se kryeministri Albin Kurti prishi, njëanshëm, koalicionin LVV-LDK, nuk qëndron dhe këtë e thonë edhe shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi: "Grenell na dha afat një javë, për ta prishur koalicion me LVV". Dhe, më vonë, edhe ish-kryeministri, Isa Mustafa, pranoi: "Unë e prisha koalicionin me LVV-në". Mendoj se gjithçka është e qartë dhe dikush duhet të kërkojë falje, për akuzat shpifëse ndaj kryeministrit Kurti. se, kinse, ai e prishi koalicionin në fjalë. Realisht, autorë gruporë të prishjes së koalicionit në fjalë, ishin pesëshja e zezë: Hashim Thaçi, Richard Grenell, Aleksander Vuçiq, Edvin Rama dhe Isa Mustafa”.
Këtë sqarim, veprimtari tha se e bëri për t’i hequr dyshimet se kinse Kurti e ka prishur koalicionin me LDK-në.
Me këtë rast, tha se kjo e kaluarë nuk do duhej të ishte pengesë për një koalicion të ri, pasi një i tillë do ishte në interes të Kosovës dhe të dy partive.
“E bëra këtë sqarim, për hirë të së vërtetës, si dhe për të hequr dilemën se kjo prishje nuk ishte vepër as e LVV dhe as e LDK-së, madje as në interesin e tyre. Por, ishte skenar e regji e Hashim Thaçit, së bashku me horrakët e përmendur më lart, në interes të Serbisë. Prandaj, kjo ish-prishje të koalicionit, në mes të LVV dhe LDK-së, duhet harruar si një ëndërr e keqe. Dhe, nuk duhet të ndikojë fare, si pengesë e rikthimit të koalicionit, i cili, gjithsesi është në interes të palëve, pra, LVV dhe LDK-së dhe, mbi të gjitha, në interes të Kosovës. Çfarëdo arsyetimi i kundërt, do të ishte në interes të Serbisë”, shpjegoi ai.
Tutje, Zeqiraj e vlerësoi reformën e LDK-së në krye me Abdixhikun, duke shtuar se në raport me partitë e PAN-it është me e reformuar.
“LDK-ja në Kuvendin e 10 të jashtëzakonshëm të saj, zgjodhi Dr. Lumir Abdixhikun kryetar dhe strukturat përkatëse të partisë. Bujshëm u proklamua për reforma të nevojshme, por pati edhe ngecje dhe tolerancë, në emër të unitetit të LDK-së, gjë që e dëmtuan partinë. Megjithatë, në raport me opozitën PAN-iste, e cila nuk bëri asnjë reformë, LDK-ja bëri disa reforma domëthënëse, të prekshme”.
Ndër të tjera, veprimtari shoi se vetëm koalicioni LVV dhe LDK mund të funksionojë si i pranueshëm për shqiptarët, duke thënë se këto parti nuk kanë afera vrastare e as korruptive.
“Vlen të theksohet, një pjesë e "gardës së vjetër", e afërt me klanin e ish-kryetarit Mustafa dhe nostalgjikë të koalicionit me PAN-in, kryesisht, PDK-në, ose janë lënë jashtë strukturave vendimmarrëse të partisë, ose kanë humbur forcën dominuese në parti. Kjo është një vlerë shtesë dhe rrethanë lehtësuese, për të rikthyer koalicionin e LDK-së, me Lëvizjen Vetëvendosjen, duke shpërfillur opinionin e gabuar dhe krejt të qëllimshëm e artificial, se LVV-LDK, kanë provuar dhe kanë "dështuar" në koalicionin në mes tyre! Këtë mendësi, sa të gabuar, aq edhe qëllim-keqe, e thonë kundërshtarët ziliqarë, të cilët nuk ua duan të mirën këtyre dy subjekteve politike, rrjedhimisht, as Kosovës.
Tashmë, ekziston opinioni progresiv se, aktualisht, vetëm koalicioni LVV dhe LDK mund të funksionojë si i pranueshëm për shqiptarët e Kosovës dhe më gjerë në shqiptari. Mbi të gjitha, këto dy subjekte nuk kanë as afera vrastare dhe as hajnore. Duhet pranuar se ky koalicion kishte fillim të mbarë, korrekt, funksional dhe profesional, edhe në Qeverinë Kurti 1. Ishin armiqtë e LVV-LDK dhe, më tej, armiq të Kosovës, ata që prishën koalicionin në fjalë. Urojmë dhe shpresojmë në ripërtritjen e koalicionit LVV me aleatët e saj besnik, Alternativa e Guxo dhe LDK” – përmbylli Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.