Ftesa e Prokurorisë për Kurtin, flasin juristët – tregojnë si duhet të veprohet në këtë rast

Politika

Ftesa e Prokurorisë për Kurtin, flasin juristët – tregojnë si duhet të veprohet në këtë rast

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 21 shkurt 2025 Në ora: 10:01
Albin Kurti

Ftesa e Prokurorisë ndaj kryeministrit Albin Kurti, ka shkuar në Gjykatë.

Kurti vazhdon të thotë gjykatat e prokuroria, janë të kapura politikisht. Ai ka thënë se do të punojnë fort që t’i çlirojnë këto institucione jetike për drejtësinë.

Ndërkaq, në dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e kishte ftuar Kurtin të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

Megjithatë, Kurti kishte refuzuar të paraqitej në Prokurori, kështu duke iu bërë thirrje prokurorëve që të shkojnë ata dhe ta intervistojnë në zyrën e tij, në Kryeministri.

Ftesën e parë Kurti e kishte marrë më 16 dhjetor, kur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, kishte thënë se Kurti nuk ishte paraqitur pasi që ishte në udhëtim jashtë vendit dhe kishte shtuar se Kurti “ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dyja palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e Prokurorisë”.

Kurse, tani çështja ka shkuar edhe më tej, kështu që Prokuroria Speciale i ka bërë kërkesë Gjykatës Themelore në Prishtinë ta urdhërojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të paraqitet në Prokurori në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, pasi Kurti kishte refuzuar më herët.

Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë, kishte konfirmuar për REL se kërkesa është pranuar dhe se ajo “është duke u shqyrtuar nga gjykata”.

Kurti gjatë manifestimit qendror të Javës së Minatorëve, u pyet nga gazetarët nëse do t’i përgjigjet urdhrit të Gjykatës për dëshmi lidhur me rastin e rezervave shtetërore, por nuk u deklarua.

“Urime java e minatorëve”, tha shkurt Kurti, duke anashkaluar pyetjen e gazetarëve.

Cilët janë hapat e më tejshëm, flasin njohësit e ccështjeve juridike.

Burjani: Kurti duhet të dëshmoj, s’ka alternativë shmangie

Image
Juristi Blerim Burjani

Juristi Blerim Burjani në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se kjo kërkesë është moment i arsyeshëm, sepse sido që të jetë puna, Kurti duhet të dëshmoj ose përndryshe duhet të sigurohet prezenca e tij për të dëshmuar.

“Në këtë kohë është ndërmarr ky veprim për shkak se është kryeministër në detyrë, dhe aktiviteti qeveritar në intensitet bie, kjo është kërkesë për paraqitje për të dhënë dëshmi, është moment i arsyeshëm. Kurti duhet të dëshmojë, s’ka alternativë shmangie, veprimi ndërmarrës është i qartë.

Kërkesa është e qartë dhe ai duhet të dëshmoj, kështu përmbush obligimin e tij ligjor të kërkuar, përndryshe disi duhet të sigurohet prezenca e tij për të dëshmuar”, thekson ai.

Bajraktari: Të gjithë qytetarët pavarësisht statusit dhe pozitës janë të detyruar t’i përgjigjen thirrjes së prokurorisë për të dëshmuar

Avokati Ardian Bajraktari, duke iu referuar ligjit, thotë se kryeministri duhet të dëshmojë pas thirrjes së prokurorisë.

Në rast, se kryeministri nuk përgjigjet ftesës, atëherë ai mundë të dënohet me gjobë, gjithnjë duke iu referuar ligjit, sipas Bajraktarit.

Image
Avokati Ardian Bajraktari

“Të gjithë qytetarët pavarësisht statusit dhe pozitës janë të detyruar t’i përgjigjen thirrjes së prokurorisë për të dëshmuar, nga ky detyrim nuk përjashtohet as Kryeministri i vendit, aq më tepër Kryeministri duhet të reflekton në raport me përgjegjësinë dhe pozitën që aktualisht ka.

Lidhur me këtë rast, Kodi i Procedurës Penale, përkatësisht neni 132, përcakton se gjyqtari i procedurës paraprake sipas detyrës zyrtare apo pas kërkesës së prokurorit të shtetit mund ta detyrojë dëshmitarin që te paraqitet. E nëse dëshmitari nuk paraqitet, gjyqtari i procedurës paraprake e dënon atë me gjobë deri dyqindepesëdhjetë (250) Euro për çdo herë që nuk paraqitet”, thotë ai.

Duke shtjelluar tutje, nëse as pas gjobës nuk paraqitet, atëherë kjo mund të shkojë edhe me larg, të burgoset, duke shtuar se kryeminsitrit detyrimin e tij duhet ta bëjë para ligjit dhe organeve të zbatimit të ligjit.

“Po ashtu vlen të theksohet se nëse dëshmitari vazhdon të refuzojë të dëshmojë pasi që është dënuar me gjobë, ai mund të burgoset. Burgimi zgjat derisa dëshmitari nuk pranon të dëshmoje apo derisa dëshmimi i tij bëhet i panevojshëm, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se një (1) muaj.

Veprime të tilla nga ana e Kryeministrit të vendit nuk do të duhej bërë, ai sikurse çdo qytetarë tjetër, duhet të reflektoi dhe t'i përgjigjet thirrjen së organeve të drejtësisë për të dëshmuar, për ta kryer detyrimin e tij para ligjit dhe organeve të zbatimit të ligjit, një qasje e tillë mospërfillëse ndaj organeve të drejtësisë është absolutisht e papranueshme”, përfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat