Rezultati zgjedhor i koalicionit AAK-Nisma dhe rënia e vazhdueshme e votave - analistët kanë këtë paralajmërim!

Politika

Rezultati zgjedhor i koalicionit AAK-Nisma dhe rënia e vazhdueshme e votave - analistët kanë këtë paralajmërim!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 21 shkurt 2025 Në ora: 13:53
Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka publikuar të enjten rezultatin preliminar të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, pas numërimit të 100 për qind të votave nga vendvotimet.

Megjithatë, në rezultatin e publikuar nuk përfshihen votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe mbi 80 mijë vota nga diaspora.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – parti në pushtet – ka dalë e para me 40.80 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.03 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.63 për qind të votave, koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate ka marrë 7.46 për qind të votave, si dhe Lista Serbe 4.61 për qind të votave.

Mirëpo nga këto zgjedhje koalicioni AAK-Nisma ka mbetur më i komentuari për shkak të votave që ka fituar.

Në listën e koalicionit AAK-Nisma, më i votuari është Ramush Haradinaj me 37 mijë e 752 vota.

I dyti i kësaj liste Fatmir Limaj, është poashtu kandidati i dytë më i votuar me 22 mijë e 207 vota. Kandidati i tretë i cili është votuar më së shumti nga koalicioni AAK-NISMA, është Daut Haradinaj me 21 mijë e 796 vota.

Ndërsa, si gruaja me e votuar e këtij koalicioni është kandidatja Time Kadrijaj me 12 mijë e 976 vota, duke u renditur si kandidatja e katërt me e votuar.

E të gjendur në këtë situatë a ka mundësi që në zgjedhjet e ardhshme të mos e kalojnë as pragun dhe të shkojnë si të themi drejt një ‘shuarje politike’?

Gashi: Politika kërkon qartësi, jo eksperimente të paqarta

Image
Eduard Gashi

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi i çështjeve politike, Eduard Gashi.

Ai thotë se rënia e votave për koalicionin AAK-Nisma është sinjal i qartë që qytetaët nuk duan politika të paqarta dhe koalicione që nuk kanë as identitet dhe as vizion të qartë.

Sipas tij, AAK dhe Nisma, nëse vazhdojnë me këtë model të bashkëpunimit të përkohshëm, nuk do të arrijnë më të mbledhin besimin e elektoratit.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, koalicioni AAK-Nisma arriti ta kalojë pragun, por me një rezultat që nuk mund të quhet aspak i suksesshëm. Rënia e votave është një sinjal i qartë: qytetarët nuk duan më politika të paqarta dhe koalicione që nuk kanë as identitet dhe as vizion të qartë. Kur dy forca me orientime të ndryshme—njëra e qendrës së djathtë, tjetra socialdemokrate—bashkohen pa një platformë të përbashkët, rezultati është i parashikueshëm: konfuzion për votuesit dhe dobësim politik.

Nuk mjafton të mbijetosh, duhet të fitosh!”

Në politikë, nuk ka vlerë të kalosh vetëm pragun. Pyetja është: ku po shkon? AAK dhe Nisma, nëse vazhdojnë me këtë model të bashkëpunimit të përkohshëm, nuk do të arrijnë më të mbledhin besimin e elektoratit. Votuesit kërkojnë stabilitet, kërkojnë profil politik dhe kërkojnë liderë që ofrojnë zgjidhje, jo vetëm koalicione teknike për mbijetesë”, u shpreh ai.

Më tej, njohësi thekson rëndësinë që partitë në koalicion duhet ta kenë mes vete në mënyrë që të mos zhduken më kalimin e kohës.

“Nëse një parti ekziston vetëm për një lider, atëherë nuk është parti, por klub mbështetës”

AAK është e lidhur drejtpërdrejt me Ramush Haradinajn. Nuk ka një ideologji të mirëpërcaktuar dhe nuk ka një brez të ri liderësh që të mbajnë në këmbë partinë nëse lideri tërhiqet. Kjo është e rrezikshme për çdo parti politike. Demokracia nuk matet me numrin e partive, por me cilësinë e tyre. Partitë që nuk evoluojnë dhe nuk përshtaten me kohën, zhduken”, thotë Gashi.

Ndër të tjera analisti radhitë disa nga strategjitë që dy partitë duhet të ndjekin në mënyrë që të mos humbin besimin e elektoratit.

“Në zgjedhjet e ardhshme, rreziku është i madh!”

Nëse ky trend vazhdon, nuk është e pamundur që në zgjedhjet e ardhshme ky koalicion të mos e kalojë as pragun. Kur elektorati humb besimin, është shumë e vështirë ta rikthesh. Rruga e vetme për këto parti është të rishikojnë tërësisht strategjinë e tyre

1. Qartësi politike – Nuk mund të jesh pak i djathtë dhe pak socialdemokrat në të njëjtën kohë. Zgjedhje të qarta, identitet i qartë!

2. Largimi nga varësia e figurave – Nëse një parti nuk mund të ekzistojë pa një lider të vetëm, atëherë nuk është një parti serioze.

3. Ofertë konkrete për qytetarët – Populli nuk voton për nostalgji, por për të ardhmen.

Nëse AAK dhe Nisma nuk e kuptojnë këtë, atëherë do të bëhen histori. Dhe historia politike nuk ka mëshirë për ata që nuk përshtaten”, përmbylli bisedën njohësi i çështjeve politike, Eduard Gashi për “Bota sot”.

Ahmeti: Është imerativ i kohës që AAK-ja të fillojë procesin e reformimit të brendshëm

Image
Hidajet Ahmeti

Ndërsa, analisti tjetër politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që AAK duhet të bëjë reforma të brendshme në partinë e saj, pasi mund të ketë rënie të vazhdueshme.

Sipas analistit, kontributi i familjes Haradinaj në luftë është i pakontestueshëm, mirëpo vazhdimi i kësaj logjike ka dëmtuar partinë.

“Është imerativ i kohës që AAK-ja të fillojë procesin e reformimit të brendshëm, pasi rezultatet pasqyrojnë një rënie të vazhdueshme. Për rezultatin e dobët të këtij subjekti politik janë në një mori faktorësh, por mbi te gjitha identiteti politik i kësaj partie, e cila akoma nuk ka arritur të shkëputet nga liderizmi.

Mendoj se kontributi i familjes Haradinaj në luftë është i pakontestueshëm, por këtë gjë e vlerëson historigrafia më së miri. Por, vazhdimi i funksionimit të kësaj partie në këtë logjikë e ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë, pasi nuk ka bë përpjekje minimale për të formësuar identitetin të ri politik e me vlera të reja identiare, e cila do t'i jepte një fryme të re rrethanave kontekstuale të kohës”, tha ai.

Në fund, analisti nënvizoi që AAK-NISMA duhet të ndryshojnë konceptualisht, kuptohet nëse dëshirojnë të rrugëtojnë tutje në realitetin e ri poltik.

Kurse dy partitë politike të koalicionit parazgjedhor AAK-NISMA duhet të ndryshojnë konceptualisht, kuptohet nëse dojnë të rrugëtojnë tutje në realitetin e ri poltik, por nëse vazhdohet me logjiken lideriste e të bastioneve, potencialisht do të mbetën parti jashtëparlamentare. Mbijetesa e vetme, padyshim është shkëuptja nga identiteti politik që kanë ndërtuar, vazhdimi i reformave të thella përbrenda, por njëkohësisht hapje e dyerve për kuadro të reja profesionale e intelektuale”, përfundoi analisti Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat